Valter Dauti: Letër (e mbyllur) Dritëroit
Nuk na duan,s’di se pse Dritëro,
Ç’është kjo kohë? Më të shumtët pështyjnë !
Unë ombrellë ty të bëhem ngado,
Të këqijtë, me bërryla më shtyjnë.
Nuk na duan dhe çudi, ç’është kështu?
Ti ombrellën i zgjat gegëtoskut.
Edhe balta të jetë gjer në gju,
Nga Tropoja, në fund të Njew Jorkut.
Dhe dervishin e bën kapelan,
Kapelanin e ngre, e bën Papë,
Dritëro, që me dritë më mban,
(Ti, i keqi je, prapë se prapë!)
Ç’kohë është kjo e ngratë kështu?
Që njeriun e shtyp si një morr?
Jataganë mbajnë të gjithë përmbi gju.
Shoqi-shoqin të bëjnë theror.
Vallë, ku humbëm në rrugën e trishtë?
U përziemë, u bëmë s’di se ç’far.
Dritëro, Dritëro,shpirt i brishtë,
Qofsh gjithmonë mbushur dritë si fanar !
Nuk na duan. Xhins e farë bëjnë theror,
Nuk e di ç’kohë e mbrapshtë u lind,
Dritëro, dritë e paç çdo tetor,
Dritëro,për të ligjtë, u bëfsh xhind!
Nuk na duan,njëri-tjetrin pështyjnë,
Ç’ishe ti, çfarë jam unë…(Zot o Zot !)
Njëri-tjetrin humnerës e shtyjmë,
Dhe kur s’je…qajmë të gjithë me lot.
…unë ombrellë le të jem në tetor,
Kur ndër gjethe shkërmoqen stuhitë,
Dritëroi i mirë si shenjtor,
Dritëro që ke bërë vetëm dritë.
Urim për ditëlindjen
time
U poqe,more, miku im i mirë,
U bëre burrë i bukur!
I nise rrugët që pa gdhirë,
Herë dukur,herë pa dukur.
Dy çupëza si nimfa, rrite,
(Pjellë-Engjëllit që thinje !)
Me dorë u dhe formë në vite,
U dhe frymë Perëndie.
Pa,ndonjëherë,bëre nën udhë,
I shtyrë dhe nga halli,
Veç,shenjtërinë s’e hoqe kurrë,
E vure dritë te balli.
Dhe,zemrën ,kurrë s’e poshtërove,
Të dridhet si një flutur!
Dhe,dole burrë,para çdo prove,
Siç del një burrë i bukur!
U thinje,more,mik i mire…!
Të grinden përrenj te balli!
Të ecke jetës,është vështirë,
Kjo jetë, mundon si djalli.