Suplementi Pena Shqiptare/ Petraq Risto: Lojë shahu me Uitmanin

603
Sigal

Uitman, eci në Long Island si mbi një krokodil gjigant:

gjithnjë gojëhapur nga habia

Askush s’e di që ky krokodil je ti mbasi ke gëlltitur barin poetik të botës.

 Vij nga Shqipëria.

 Në shqip: goja

 ka qiell,

faqja

ka mollë

 Kur flasim

 përziejmë vetëtima me diell

 Se faqja ka mollë

 dhe goja ka qiell.

Eja luajmë shah, stërgjyshi im, e di që do më mundësh  

Dhe pse kam mësuar lëvizje të reja

Nga i panjohuri Juaj: zoti Kompjuter.

 

– Je i mundur, bari im, je i mundur!

 

Ti bën lëvizjen e parë: një ushtar i ri hedh hapin në fushën me bar të freskët

Një ushtar në bar. Një milingonë vrapon e trembur

nën hijen e këpucës – gijotinë 

kokrra e grurit si zemër

 i rreh mbi shpinë  .

Lëviz dhe unë ushtarin e zi, më thotë: “ndjej plagën që do marrë”

në fushën bleruar me barin tënd ushtari im kërkon të gjej varr.

U vjetruan himnet e botës, si fustanet e gjyshes – u  vjetruan

si kapela jote e vjetër – u vjetruan

si flokët e tua të verdhë në një kornizë dru-molezuar – u vjetruan.

Të vjetruara himnet e botës: luftëra, gjak, tym, hakmarrje, dëshmorë, varre

himnet e kombeve të botës nën hije funeralesh.

 

Himnet e të gjithë kombeve pikojnë gjak dhe zjarr

 himnet: thirrje për luftë e bashkim

shëtita gjithë botën dhe ende s’kam gjetur

një Himn për Dashurinë, një Himn për Dashurinë.

 

Luaj, kapiteni im!

Një oficeri yt ngriti flamurin e bardhë si prapanicë: u dorëzua

Mbretëresha jote me heshtje magjistrice vallëzon e tërbuar

Mbretëresha ime vë Urën e Brooklyn-it mbi kokë si karficë

i thotë mbretit tënd: “Të dua!”

(Mbi Urën e Brooklyn-it rusi Majakovski  pluhurosur nga yjet 1

Me Lilin e ngatërron Mbretëreshën time, matet të hidhet nga Ura.

Jo këtu, Majakovski, vetëvrasjen do ta kryhej

kur ylberet me urat ke për të ngatërruar!)

…Dhe Majakovski nën barin tënd: trumbetar misterioz

u qetësua.

Uitman,

Liria është një mut: e shkelim çdo mëngjes 

dhe bie erë gjithë ditën

natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për Lirinë.

Ti lëviz Kalin e mençur në Parkun Qendror

kullot dhe bari i gjelbër i ngjet me vargje

Në botë ka pak kuaj të tillë që dinë të lexojnë edhe parqet.

Unë lëviz një oficer romantik: mes barit kërkon manushaqe.

Ti më jep shah me “Trumbetarin misterioz”2 në metrotë e mesnatës

Muzikantët e metrove në New York lypin

duke na argëtuar me “Shqipen e Andeve”,  me Moxartin

Ca peni pikojnë vajtueshëm mbi parukën e Moxartit

Ca peni mbi sqepin e shqiponjës së Andeve

Mes fytyrave të lodhura si petalet e zeza të Pound-it

Mbreti im habitet ballë një goje që hapet:

tunel ku shkëmbehen dy trenat e dhëmbëve.

(Ti më pyet: Pound-i, kush është Pound-i?…

Pound-i, biri yt, kokëderri, i marri

pasi gdhendi drurin që preve ti

pa se kish formuar veç…ca fije bari.)

-I humbur, biri im, i humbur…

 

(Në një muze pashë flokët e tua:

kaçurrel bari nga floriri i Diellit galvanizuar.

Në shqip fjala “bar” mund të  thotë “ bëj ar”

Gjithë bari i botës – flokët e tua

Samson i Poezisë).

Uitman,

Liria është një mut: e shkelim çdo mëngjes

dhe bie erë gjithë ditën

natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për Lirinë.

 

Himnet e të gjithë kombeve pikojnë gjak dhe zjarr

himnet: thirrje për luftë e bashkim

shëtita gjithë botën dhe ende s’kam gjetur

një Himn për Dashurinë, një Himn për Dashurinë.

 

Luaj, Kapiteni im!

Qentë njujorkezë veshur me kostume, këpucë, kapele

bëjnë paradë para ca lypsarëve me zhele

mbuluar me kuti kartoni në Qendrën Rokfeler.

Limuzina” të gjata: krimba mëndafshi mbi degët e rrugëve

tymi që nxjerrin mbrapa – mëndafsh false duket.

Unë lëviz oficerin në pistën e akullt ku të rinjtë vallëzojnë

(mes akullit ti pe një…zog që këndonte në hapësirat polare

të rinjtë befas ngrinë: cërr-cërr kënga e zogut

e ata vallëzojnë veç me një cicërimë

pa muzikë fare!

Vallëzojnë. Telefonat u janë kthyer në kacekë:

fryjnë në veshë

e mbajnë ndezur në zemra prushe dashurie

Uitman, dashuria – fije bari në dridhje!

– Jam  i mundur, bari im, jam i mundur!

 

Përballë: ti i thinjur me pamjen e një luani të zbutur

dhe unë i ardhur nga larg: kureshtje e kthyer në shpuzë.

Se faqja ka mollë

dhe goja ka qiell.

– Shah!- ti thërret dhe karrigia, çapkënçe, kërcet nga lëvizja e bukur.

 

Mbreti im u mbrojt në Hudson: një anije padashur iu ankorua në buzë.

Po ndjehej i mundur.

Krokodili i madh Long Island më dha një të puthur:

– I mundur, bari im, je  i mundur!

 

Të dy kemi lindur kur piqen qershitë: Dy qershi – vëth, dy qershi

 në vesh të poezisë

veç dy orë – i lumtur.

 

– I humbur, bari im, je i humbur!

 

Luaj, kapiteni im!

Në shtratin tënd: fuzhnje kujtimesh si mbi trupat gjigantë të balenave.

Prej kohësh ka lindur “Instituti i dashurisë së vërtetë të shokëve”

si mbi oqean: Instituti i Erërave!

Ti lëviz kalanë te një kishë e madhe ku Elton Xhoni me një burrë u martua…

Mos u drithëro, Uitman, mes shpirtrave shpika një kishë për ty

ku psalme bari kam për të lexuar.

Në shqip “bar” mund  të thotë: “bëj ar”.

Gjithë bari i botës – flokët e tua: Samson i Poezisë.

Luaj, Kapiteni im!

Dy qershi – vëth, dy qershi

 

Bari në mëngjes thotë, jam dhëndër i dehur nga velloja e vesës.

Ti më jep Shah: Serioz si trëndafili në oborrin e uzinës ku farkëtohen pranga

Unë mbrohem dhe ndjej ngërçin e notarit të lodhur në gjoks të oqeanit.

Mjeshtër i ecjes (pa hartë në xhep) u ndodha në Harlem:

I vetëm – një mbret i bardhë në një skakierë me gurë të zinj

I pyesja: ku ta gjej “Mbretin e Harlemit”3

dhe ata mblidhnin supet: Lorka… Lorka… Lorka…

(S’e shihja që Lorka më qëndronte përbri)

Unë të dhashë shah me “Ode për Uitmanin”4

Kur Lorka i pushkatuar thërriste: Liri!

Dy qershi – vëth, dy qershi

në vesh të poezisë veç dy orë – i lumtur.

– I mundur, bari im, je i mundur

Dy qershi – vëth, dy qershi

 

Uitman! Nxite Trumbetarin Misterioz të ndez ndjeshmërinë e botës!

Ne ngjitemi në qiell me raketa, me satelitë, me anije kozmike

dhe Zoti ngjitet me shpejtësinë e një drite hyjnore:

Parajsa, gjithashtu, më lart ngjitet

…sa humbet dhe kujtesën tokësore.

Bari është po ai, veç më i lartë, i ushqyer me pleh organik

njeriu ha barin, bari ha njeriun – krijove një ligj të ri, or mik!

Luaj, Kapiteni im!

Dy qershi – vëth, dy qershi

 

Uitman,

Liria është një mut: e shkelim çdo mëngjes

dhe bie erë gjithë ditën

natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për Lirinë.

 

U vjetruan himnet e botës, si fustanet e gjyshes – u vjetruan

si kapela jote e vjetër – u vjetruan

si flokët e tua të verdhë në një kornizë dru-molezuar – u vjetruan.

Të vjetruara himnet e botës: luftëra, gjak, tym, hakmarrje, dëshmorë, varre

himnet e kombeve të botës nën hije funeralesh.

 

Sa më shumë u ngjitemi qiejve

Zoti largohet dhe nën një kufomë ylli përpiqemi t’ia kuptojmë lojën.

Shpesh qajmë fshehtas vetes me ca lot gjaku në damarë

gurë sizifësh mbajmë në vend të zemrave

gurë sizifësh mbajmë dhe mbi varr.

Shpesh ne qajmë dhe pse lotët treten në njollën e pyetjes hamletiane.

Shpesh ne qajmë jo se jemi mundur, por se askush s’është fitimtar

globi si një grua flokëmerdianeshkulur

arratiset nga çmendja e galaktikës së marrë

dhe s’di ku të shkojë…

– Jam i mundur, bari im, jam i mundur!

 

Një milingonë vrapon e trembur  

nën hijen e këpucës – gijotinë 

kokrra e grurit si zemër

i rreh mbi shpinë.

 

Unë të them: E para nuk qe fjala po mendimi

dhe pas mendimit erdhi fjala e veshur me frikë.

Pas frikës ia behu gënjeshtra e zhveshur lakuriq.

Kurse ti moskokëçarës: Oqean i çarë nga helika

kupton se nga koha jote

Njerëzimi është trefishuar

dhe me pak farë

nga bari i librave të tua.

 

Bari në mëngjes thotë jam dhëndër i dehur nga velloja e vesës

 

Unë lëviz një kala në Urën Uitman si mbi një varg të tendosur

Poshtë në pasqyrën e lumit: mjekra dhe kapela e poetit.

 

Jashtë ligjeve të lojës –

Uitmani hyn në skakierë dhe lëviz vetë:

Fton në banket të gjithë poetët

të varfrit, të verbrit dhe mbretërit!

Profetët tallur në vendin e vet

të gjallët dhe të vdekurit.

Trumbetari misterioz përsërit:

Poetët, të varfrit, të verbrit dhe mbretërit!

Profetët që u tallën në vendin e vet

Të gjallët dhe të vdekurit.

Dhe u mblodhën mbi skakierë të ftuar të pafund si lëvizjet shahut:

miliarda dhe miliona

Uitmani i madh bën lëvizjen e fundit:

unë kapem Mat

në cajtnot 5 – KOHA!