Komisioni Europian: Shqipëria nuk ka infrastrukturën e nevojshme për kontrollin e mbetjeve të importuara

508
Sigal

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria nuk e ka
infrastrukturën e nevojshme për kontrollin e mbetjeve të importuara. Përmes një
reagimi me shkrim pas kërkesës së ABC News, Komisioni Europian kërkon që
legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet europiane përpara se të nisë
importi.

Komisioni Europian konsideron se
Shqipëria nuk ka ende infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe sistemet e
duhura për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve në
Shqipëri. Sipas KE-së, ndarja e mbetjeve në Shqipëri nuk ka filluar ende me
përjashtime të pakta dhe normat e riciklimit janë shumë të ulëta.

“Shqipëria duhet të bëjë përafrimin me
direktivën dhe rregulloret e BE-së , duke lejuar importin e mbetjeve, përmes
rritjes së klasifikimit të mbetjeve në burim, riciklimit, mbylljes së derdhjeve
të paligjshme, ndërtimit të instalimeve të mbetjeve” shprehet KE-ja në
përgjigjen e drejtuar nga ABC News mbi kredibilitetin e importit të mbetjeve në
Shqipëri, kur vendi arrin të riciklojë vetëm 30% të mbetjeve të vendit.

Në këtë përgjigjje, ekzekutivi
europian nënvizon dukshëm dobësitë e Shqipërisë lidhur me kapacitet për
menaxhimin dhe importin e mbetjeve:

“Forcimi dhe zbatimi i ligjit për menaxhimin e mbetjeve është kyç, pavarësisht
regjimit të importit të mbetjeve, që është në fuqi aktualisht. Shqipëria duhet
të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, si dhe të institucioneve dhe
sistemeve për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
Një kujdes i veçantë duhet të tregohet për minimizimin e mbetjeve nëpërmjet
parandalimit të mbetjeve, grumbullimit të diferencuar dhe riciklimit. Në këtë
kontekst, është i domosdoshëm sigurimi i kapaciteteve administrative dhe
teknike së bashku me investime themelore. Zgjidhja e problemit të mbetjeve në
Shqipëri është një çështje serioze dhe kërkon teknikën dhe financat e duhura,
vullnetin politik, dhe ndërgjegjësimin e publikut”, thuhet në përgjigjjen e
KE-së.

Komisioni Europian rikujton, se në
bazë të progres-raportit të vitit 2013 për Shqipërinë, thuhet se “Menaxhimi i
mbetjeve mbetet një çështje serioze shqetësuese në Shqipëri. Ndarja e mbetjeve
nuk ka filluar ende me përjashtime të pakta dhe normat e riciklimit janë shumë
të ulëta. Industria e riciklimit është sapolindur dhe ka nevojë të importojë
materialet e nevojshme të para nga jashtë vendit.”

Bashkimi Evropian shprehet i gatshëm
për t’i ofruar Shqipërisë legjislacionin dhe praktikat më të mira në përputhje
me standardet e BE-së.