Pagat e magjistratëve, Rama: Kushtetuesja nuk mund t’i thotë ligjvënësit sesi duhet ta ngrejë dorën

Kryeministri Edi Rama u shpreh  në Kuvend se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ndërhyjë në sferën e ligjvënësit, duke theksuar se kompetenca për krijimin e normave të reja i takon pushtetit legjislativ.

Duke folur gjatë debatit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Rama tha se çështja lidhet me ekuilibrin ndërmjet pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare.“Është e pabesueshme se si përfaqësues të një pushteti të pavarur, thjesht e vetëm për inat të palës tjetër, dorëzojnë me këtë kollajllëk pushtetin e tyre te një pushtet tjetër. Dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me atë që flasim sot për pagat e gjyqtarëve.

Sigal

Kjo ka lidhje me ekuilibrin e pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare”, u shpreh Rama. Kryeministri iu referua edhe një debati të mëparshëm në Kuvend lidhur me deputeten Olta Xhaçka, duke përmendur qëndrime të Komisionit të Venecias dhe kufijtë e kompetencave të gjykatave kushtetuese.

Sipas Ramës, Gjykata Kushtetuese, si organ gjyqësor dhe jo politik, ka kompetencën të interpretojë në mënyrë autoritative normat ekzistuese, ndërsa krijimi i normave të reja kushtetuese i takon ligjvënësit. Rama pranoi se kufiri mes interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar, por theksoi se duhet shmangur, sipas tij, perceptimi i një “qeverisjeje të gjyqtarëve”.

“Kufiri ndërmjet interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar, por duhet shmangur perceptimi i një qeverisjeje të gjyqtarëve”, tha Rama. Kreu i qeverisë theksoi se Gjykata Kushtetuese është e pavarur nga Kuvendi dhe qeveria dhe se roli i saj është të kontrollojë respektimin e normave kushtetuese.“Nëse ne ngremë dorën gabim dhe Gjykata Kushtetuese na thotë se u shkel kjo normë, prandaj kjo normë rrëzohet, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i thotë në asnjë rast dhe për asnjë arsye një pushteti të pavarur se si duhet të ngrejë dorën”, deklaroi Kryeministri.

Në lidhje me formulën dhe shumën e përcaktuar në projektligjin për pagat e magjistratëve, Rama tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i diktojë Kuvendit tekstin që duhet të miratojë apo shumën konkrete. Kryeministri deklaroi se nevojitet një ligj i ri për pagat e magjistratëve, duke argumentuar se situata aktuale lidhet me reformën në drejtësi dhe mënyrën se si u përcaktua balancimi i pagave në sistem. Rama u shpreh se është plotësisht dakord me deputetin e Vlorës, Bujar Leskaj, i cili sipas tij argumentoi se duhet një ligj i ri për t’i dhënë fund kësaj historie.“Jam plotësisht dakord me deputetin e Vlorës, që u shpreh se këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, që e ka zanafillën e vet në atë moment kur u bë reforma në drejtësi, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej dhe nuk u tha troç se do merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, pasi reforma kërkon një sforcim nga ju, por kjo s’do të jetë permanente. Kjo është një veçori sepse sot këtu në sallë janë 84 vota që janë të nevojshme për të miratuar këtë normë”, tha Rama.

Rama: Nevojitet ligj i ri për balancimin e pagave të magjistratëve në piramidën e pagave

Kryeministri theksoi se nuk mund të vijojë në mënyrë të përhershme rritja e pagave në këtë mënyrë, duke shtuar se në të kundërt “do të ishim shteti i parë në botë në 2 mijë vjet që gjykatësit qëndrojnë mbi të gjithë”.Rama tha se qeveria ka nisur konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për hartimin e një ligji të ri.“Kur flas për ligjin e ri nuk flas në ajër. Ne kemi filluar kontaktet me KiE-në, me Komisionin Europian për eficiencën e drejtësisë dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, pasi kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, për t’iu dhënë të gjithëve mundësinë të flasin dhe të flasim për të kuptuar se këtu ka një problem dhe s’mund të kthehet kjo në konflikt pushtetesh”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se qeveria është e gatshme dhe plotësisht e angazhuar për hartimin e një ligji të ri, duke theksuar se ekzistojnë disa mënyra për ta zgjidhur çështjen.

“Ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të angazhuar për një ligj të ri, ka një sërë mënyrash për ta bërë. Por kjo historia që sa herë rritet një pagw në Republikë, duhet rritur një pagë atje duhet të marri fund.”, tha Rama.