Suplementi Pena Shqiptare/ 96 VJET- Kur Faik Konica vinte në skenë tragjedinë “Othello” dhe interpretonte rolin e Dukës së Venedikut

81

Nga Dalip Greca

 

103 vite te shkuara, Gazeta “Dielli” e numrit 25 Maj 1916 përcillte me entuziazëm këtë njoftim:

U mbarua së shtypuri tragjedia e “Othellos” e shkruar prej dramatistit më të madh të botës, pas Krishtit, William Shakspear, e shqipëruar prej Inglishtes në vjershë prej At Fan Nolit. Kjo është e para vepër klasike që kthehet nga Inglishtja në Shqip. Shqiptarët e Amerikës duhet të jenë kryelartë, që kjo vepër me rëndësi u shtyp prej “Vatrës”, e cila nuk dëshiron që të jetë e para vetëm në fushën e politikës, por edhe në fushën e letrave të bukura. Përkthimi mban në faqen e pare dedikimin kushtuar Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”

Faik Konica, që ishte rikthyer në Amerikë, më 22 shtator 1921, pas një qëndrimi për më shumë se një dekade në Evropë, i zgjedhur në krye të “Vatrës” në mungesë, kishte marrë mbi vete barrë të mëdha për të nxjerrë në dritë kombin shqiptar. Krahas gazetës “Dielli”, ku ai ishte realisht kryeredaktor i saj, duke e përdorur si tribunë të mendimit të lirë, ai përdori edhe forma të tjera të zgjimit kombëtar, veçanërisht teatrin për zgjimin kulturor. Konica krijoi grupin e teatrit të “Vatrës”, dhe përzgjodhi për ta vënë në skenë tragjedinë “Othello”, të shqipëruar prej Imzot Nolit.

Tragjedia “Othello” u shfaq për herë të parë, më 4 Korrik 1923 në Arlington Theatre, Boston, (skenë ku pesë vite më vonë do të shkëlqente edhe më i shquari i kohës prej racës shqiptare, Aleksandër Moisiu gjatë një turneu në SHBA). U zgjodh Dita e Pavarësisë së Amerikës për të dhënë shfaqjen e parë në kuptimin simbolik, si Atdheu i dytë i shqiptarëve. Gazeta “Dielli” ruan gjurmët e përgatitjes dhe vështirësitë që u hasën për ta vënë në skenë një nga kryeveprat e Shekspirit. Problemi më i madh ishte gjetja e aktoreve femra në rolet e Desdemonës, të Emilisë dhe të Biankës. Disa herë editori i “Diellit” Andon Frashëri publikoi thirrje në faqet e gazetës, duke u lutur zonjave dhe zonjusheve që të paraqiteshin për të marrë rolet e tragjedisë. Përgjatë vitit 1922, kur nisën përgatitjet, thirrje të tilla u publikuan në disa numra. Më në fund u gjetën tri zonja që pranuan të merrni rolet.

Përgatitjet në tavolinë bëheshin në zyrën e “Vatrës”. Përgjegjësi për organizimin e përgatitjeve ishte Andon Frashëri, por ndihmuan edhe George Prifti e Aqile Tasi, ndërsa regjisor ishte vetë Faik Konica, i cili në atë kohë ishte Kryetar i “Vatrës” dhe Menaxher i “Diellit”.

Para se të jepej shfaqja “Dielli” udhëzonte shqiptarët e Amerikës të lexonin tragjedinë e përkthyer nga Noli, se ashtu do ta kuptonin më mirë dhe më lehtë shfaqjen.

Shfaqja pati sukses të plotë. Faik Konica e njoftonte përkthyesin e tragjedisë Nolin, që atë kohë ndodhej në Vjenë, me telegram: Arlington Theatre, 4 July, Wonderful performance of Othello in Albanian.(Performancë e mrekullueshme e Othellos në shqip)…

Noli përgjigjej po nga Vjena me telegram: “Përhirimet e mija zonjave dhe zotërinjëve që lojtë Othellon”!

“Dielli” i datës 7 Korrik 1923 e përshkruan suksesin në vend të dukshëm, në faqen e dytë, në vend të editorialit, me vijim në faqen 5. Është vetë Faik Konica, regjisor i shfaqjes, që përshkruan suksesin e trupës së teatrit të “Vatrës”.

Faiku nuk e fsheh gëzimin e madh si regjisor e aktor, por mbi të gjitha e sheh arritjen e suksesit si vepër të “Vatrës”. Në artikullin e tij hasen elementët profesionistë të kritikës letrare dhe skenike. Ai analizon vlerat e tragjedisë dhe lojën e personazheve amatorë. Jo vetëm kaq, por ai e quan shfaqjen në gjuhën shqipe si hapin e parë drejt themelimit të Teatrit Shqiptar, pavarësisht se ngjarja ndodhte në diasporën e largët, përtej oqeanit, në SHBA.

Konica e trajton vënien në skenë të tragjedisë si histori të mundimeve për të përhapur kulturën ndër shqiptarët e Amerikës. Ai shkruan, se 4 korriku 1923, do të mbetet si një datë e paharruar në historinë tonë. Atë ditë u luajt në Arlington Theater të Bostonit për të parën herë në gjuhën shqipe një vepër dramatike e vërtetë, tragjedia e pavdekshme e Shekspirit “Othello” dhe u luajt si duhet, me zonja në rol të zonjave, që në atë kohë dukej gjë e pamundur, kur merr në sy trurin e pagdhendur dhe shpirtin e pa t’holluar të shumicës së shqiptarëve. Faiku konstatonte se suksesi qëndronte në vullnetin e bashkuar me të kuptuarit të thelbit të problemit. Vetëm kështu u kapërcyen të gjitha pengesat. Konica shkruante: “Kuptimi dhe vullneti i tri zonjave dhe i të afërmve të tyre bënë të mundur vendosjen e gurit të parë në themelet e Teatrit shqiptar.”

Konica e konsideron këtë moment si themelimin e Teatrit shqiptar. Regjisori Konica e vlerëson shumë angazhimin e atyre zonjave të nderuara që për të realizuar këtë shfaqje u duhej të udhëtonin nga larg, prej Usteri e Hudsoni në Boston dhe jo vetëm një e dy herë, por për katër muaj radhazi sa vazhdoi përgatitja dhe vënia në skenë e tragjedisë. Ato prishën rehatinë e tyre pa asnjë interes, pa asnjë përfitim. Gjithçka ishte vullnetare.

Dhe pema, i dha frytet, mundimi nuk shkoi kot; “Othellua” u luajt në një mënyrë çuditërisht të bukur, do të konstatonte Konica pas shfaqjes. Për shembullin që dhanë, veçanërisht zonjat, çdo shqiptar, çdo mik i kulturës dhe i përparimit do t’u jetë përherë mirënjohës zonjave Henrietta V. Miller, Antigoni V. Kosta dhe Virginia T. Miller.

   Analiza e Konicës:

  • Rolin e Desdemonës e luajti me shumë talent zonja Henrietta Miller – Fisnikëria e bashkuar me vuajtjet, dëshpërimi i përulur që s’ngre krye kundër padrejtësisë më të madhe, besnikëria dhe dashuria deri në fund, të gjitha këto ndjenja gjetën aktore me shfaqje të hollë e të mençur tek zonja Henrietta Miller, e cila edhe nga pamja fizike kishte dukjen e Desdemonës. Vjershëtori anglez Milton, e përshkruante heroinën Shekspiriane me këto fjalë: “Grace was in all her steps, heaven in her eyes, In every gesture dignity and love.” (Hiri ishte në të gjitha hapat e saj, qielli në sytë e saj, në çdo gjest, dinjitet dhe dashuri.”)…

Pa fjalë, konstatonte Konica, zonja Henrietta Miller i afrohej këtij përshkrimi më tepër se shumë aktore profesioniste, që kemi parë në rolin e Desdemonës.

  • Rolin e Emilisë e luante zonja Antogoni V. Kosta, e cila shfaqi në skenë një rol dramatik me të vërtetë të çuditshëm. Tek analizonte lojën aktoreske të Antigonit, Konica konstatonte: “Pa dalë përpara si amatoret axhaminj që duan kurdoherë të duken, e hequr si mënjanë, me një zë aq natyral, sa na dukej se s’ishim përpara një lodre skenike, por përpara ngjarjesh të vërteta dramatike. Zonja Antigoni në akt të fundit, ku e kërkonte roli, tregoi një fuqi e një gjallësi me aq tragjicitet e pathos, sa s’gjejmë fjalë që ta lëvdojmë.”

 

  • Zonja e tretë aktore, Virginia T. Miller, provoi se në një vepër Shekspiriane, nuk ka rol të vogël. Zëri i kulluar i saj, mënyra e bukur me të cilin e shqiptoi dhe gjallësia çupërisht me të cilën e interpretoi pjesën e saj, i dhanë rëndësi të madhe rolit të shkurtër të Biankës.

 

  • Rolin kryesor, peshën e tragjedisë e kishte marrë përsipër Zoti Vançi I. Miller. Në provat e para që ishin bërë në muajin mars, regjisori Konica, ishte treguar skeptik dhe ishte trembur ngaqë nuk ishte i sigurt, nëse Vançi Miller do t’ia dilte që të përcillte me realizëm e tragjizëm rolin e Arapit të Venedikut. Por pas çdo prove, skepticizmi pakësohej dhe Vançi tregohej me vullnet të madh dhe ia arriti që të skaliste figurën tragjike të Arapit. Kur u ngrit perdja e skenës së Arlingtonit, më 4 Korrik, loja aktoreske e Arapit të Venedikut, interpretuar nga Vançi, ishte e përkryer. Zoti Miller hyri thellësisht në shpirt të tekstit shekspirian dhe u dha spektatorëve një fytyrë tragjike me plot forcë, me zjarr, e me dukje vërtetësie.

Faiku analizon rolin e Miller: “Për ne që ndodheshim prapa skenës, aktrimi i përkryer i zotit Miller na dha një kënaqësi artistike të plotë, po mendimi i shikuesve në sallë pas shfaqjes, ndryshon: Këta lëvduan lodrën skenike, lëvizjet dhe tonin e z. Miller si shumë të mira, por kishin një ankesë; fjalët e tij s’dëgjoheshin çkoqur dhe s’merreshin vesh lehtë.”

Por Faiku thotë se ai kishte shkuar gjatë provave, një ditë para shfaqjes me spektatorë, në fund të sallës dhe e kishte dëgjuar qartë dhe shkoqur zërin e Millerit. Ndoshta emocionet kishin ndikuar.

Gjithsesi Konica arrin në konkluzionin se: “Si do që të jetë, z. Miller na dha një Othello të paharrueshëm, të besueshëm.”

– Tek analizonte rolet e aktorëve të tjerë” gjatë shfaqjes së 4 korrikut, Faiku shkruante: “Mendimet e kritikëve ndryshojnë në është më i madh e më i rëndë roli i Othellos apo i Iagos. Ka që thonë se Othello është më i rëndë, ka të tjerë që të atillë vlerësojnë rolin Iagos, më të rëndë. Një gjë është e sigurt, shkruan Konica, roli i Iagos është shumë më i gjatë: Në tekst anglisht të Shekspirit, Othellua ka 888 vija për të folur, ndërsa Iago ka 1,117. Pas Hamletit dhe Richardit III, roli i Iagos është më i gjati i tërë repertorit Shekspirian. Por pengimi i gjatësisë, konstatonte Konica, nuk është aq i madh pranë mundimeve të lojtjes aktoriale. Roli i Iagos kërkon hollësi, ndjenjë, do thellësi mendimi e loje aktoriale, do gjallësi dhe shpejtim, do ndryshim lëvizjesh edhe në zë dhe në fytyrë, edhe në sjellje. Të gjitha këto kondita Z. Andon Frashëri, që luajti rolin e Iagos, i përmbushi me një talent që meriton më të mëdhatë lëvdata.

– Rolin e Kasit, e kishte marrë mbi vete zoti Harry T. Ratsey, i cili u shfaq në skenë si një aktor me zotësi të rralla. Me sa bukuri i deklamoi këto radhë nga skena e parë e aktit të dytë, kur Desdemona arrin në Qipro:

 

Furtuna vete, det’ i egër, er’ e rreptë,

Shkëmbinjt’ e prerë edhe rëra e përmbledhur,

Të fshehur tradhëtore që përpijn’ anijet,

E njohnë’ bukurin’ e s’deshën që ta ngasin,

Dhe lanë pa rrezik të shkojë pranë tyre

E perëndishmja Desdemonë….

Konica analizon detajet: Në skenën e tretë të aktit të dytë, me ç’ndenjë dramatike të vërtetë i tha fjalët e famshme:

– Nderin, nderin, nderin…!

Ah, e humba nderin! …

Humba pjesën e pavdekshme të vetes sime dhe ajo që më mbetet është kafshërishte.

Nderin, Iago, nderin!…..

Regjisori Konica në analizën e tij ua bën qejfin të gjithë aktorëve:

“- Po në mes aq talentesh të lindura prej natyre dhe të papritura që na shfaqi të lojturit e “Othellos”, ndofta më i çuditshmi ishte ai i zotit Sotir Pepivani, i cili si Roderigu, shfaqi para nesh një zotësi që mund të barazohet me zotësinë e një aktori profesionist. Z. Pepivani sikur ish i lindur për rolin e Roderigut me aq bukuri natyrale hyri në lëkurën e fisnikut Venecian.”

  • Zoti Xhevat Harxhi e mbajti mirë rolin e Montani-t, dhe si në skenë të pirjes, si në atë duelit, e të plagosjes, diti ta ndryshojë zërin dhe fytyrën,siç e kërkonin rastet e rolit.

– Zoti Sotir Mborja u tregua i shkathët, përcolli zemërimin dhe forcën e duhur. Roli i tij, sado i shkurtër, shërben si një pe’ që lidh tërë aktin e parë, dhe një gabim interpretimi nga ai, sado i vogël mund të çqepte tërë aktin. Loja e tij në skenë ishte nga më të mirët. Në të dy rolet e tij, si të Kasnecit të aktit të parë, dhe si Gratiani, i ungji i Desdemonës në akt të fundit, z. Thomas Anastas doli dy herë faqebardhë. Fjalët përpara Desdemonës së vdekur:

– E mjerë Desdemone, ç’fat të priste!….-I tha me një ndjenjë tragjike të matur, që bëri efekt të madh në skenë.

-Z. George Prifti, si senator i parë, z. Vasil Petro, në të dy rolet si gastor dhe si oficer, z. Llambi Dishnica si Zot i parë, z. Stefan Theodhor, si Zot i dytë, z. Ilo Moni si lajmëtar, i luajtën mirë rolete tyre.

  1. George Prifti dhe i nënshkruari(Faik Konica) muarën nga një pjesë të vogël për t’u dhënë kuarajë aktorëve të tjerë, por puna jonë e rëndë ishte mbrapa skenës, komenton Konica.

Ai e vlerësonte se kontributi i George Priftit (që më vonë, pasi vetë u emërua ambasador në Uashington, Priftin do ta emëronte Konsull të Shqipërisë), ishte pjesë e suksesit, pranë të cilit radhiste edhe kontributin e editorit pasues të “Diellit”, Aqile Tasi.

Një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë kishin ndihmuar duke luajtur rolet e oficerëve, ushtarëve, trimave, qytetarëve të Qipros, që me sjelljen e tyre fisnike i kishin dhënë lojës skenike bukuri. Përfundimi i Faikut ishte ky: “Të lojturit e “Othellos” në Arlington Theater të Bostonit, më 4 korrik 1923 ka qenë shumë më tepër se një lojë aktorësh amatorë; ka qenë për të parën herë në gjuhën shqipe, përfaqësim i fortë dhe i bukur i një kryevepre tragjike.”

Faik Konica shkruante se për ta parë shfaqjen kishin ardhur jo vetëm nga Bostoni e rrethinat por edhe nga Pensilvania, nga Detroiti, nga Nju Jorku etj.

Pas shfaqjes në gazetën “Dielli” pati shkrime vlerësues nga Refat Gurrazezi dhe nga vatranë të thjeshtë që përgëzonin trupën e teatrit dhe regjisorin Konica. Por edhe para se të shfaqej tragjedia “Dielli” i përcolli me shkrime inkurajuese provat. Bie në sy artikulli i shkruar nga Haki Blloshmi që botohej në “Diellin” e 9 Qershorit 1923. Blloshmi shkruante dhe lëvdonte kryetarin e “Vatrës”: “Një shfaqje e shkëlqyer. Merr pjesë edhe kryetari ynë Faik Konica si regjisor, por edhe aktor duke lojtur rolin e Dukës së Venedikut. Ja një veprim i duhur në moshën e shkuar të tij për të inspiruar djemtë e rinj në këtë art kaq të bukur. Pjestarët e trupës teatrore që luajnë “Othellon” duhet të punojnë me energji dhe të mos dëshpërohen shpejt po të kenë durim. Emri i tyre do të zerë një vend të çquar në radhën e parë të meritës në artin theatral të botës shqiptare. Edhe veprimi i tyre do të quhet një shembull atdhesie për stërvitjen e popullit injorant.”

Nëse shfaqja në gjuhën shqipe e tragjedisë Othello në Tatrin më të njohur të asaj kohe-Arlington, konsiderohet si gur themeli për teatrin e ardhshëm shqiptar, analiza e shfaqjes prej Faik Konicës, mendoj se shënon hapat e parë të analizës së kualifikuar të një shfaqjeje.

Gjatë një pikniku të “Vatrës” në vjeshtë 1923, grupi teatror vatran shfaqi edhe komedinë “Mustaqet” të shkruar prej vetë Faik Konicës. Është folur pak për këtë komedi nga studuesit.