Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Buçpapaj: Syshiu je, sybora ime syqiell

37
Sigal

Shterron një krua më në jug të jugut
për të buruar më në veri të veriut.
Në gurgullimën e tij më veriore:
të vetmen e pashterrur,
që s’ka shuar kurrë etje.
E kemi shtëpinë tonë,

arkitekturë e kolme
fantazie të pacënsurueshme.

Të pavarur nga shkaqet jemi,
të privuar nga pasojat.

Sy me pa, sy mos me u pa je, syreja ime, syre me breshër e rrufe.

Është një femër bilbili, që këndon për t’i rritur vezët
në një cep të hapësirës.
Është një femër korbi që këndon për t’i rritur vezët
në cepin tjetër të hapësirës.

Baras larguar këngës së femrës së bilbilit dhe krrokut të femrës së korbit.
E kemi shtëpinë tonë.
Dritare mbi dritare,
dritare krah dritaresh.

Parqe koralesh
në rrjeta të ngatërruara rrymash të rrëmujshme.

Cezurë dhe cezurë dhe cezurë,
pas cezure, pas cezure, pas cezure.

Të panënshtrueshëm ndaj gravitacionit,
të pabindur ndaj fushave magnetike jemi.

Sy doremifasolsido, symelodiozja ime je, sydosilasolfamiredo.

Është një rreze agu të palindur dhe një rreze perëndimi të paperëndueshëm
qqë diku priten mes tyre
dhe krijojnë kënde të kundërta, të gjera, të ngushta.
Aty ku takohen mos me u nda këndgjerët dhe këndngushtët,
E kemi shtëpinë tonë
me ngrohje mbiyjëse,
me ftohje nënyjëse.

Dhe hiatuse dhe hiatuse dhe hiatuse!
Pas hiatusesh, pas hiatusesh, pas hiatusesh!

Jemi të pakontrolluar nga revolucionet.
Jemi të pakontrollueshëm nga evolucionet.

Sythëna, sy pathëna ime, sy çka me thënë çka mos me thënë, çka me lënë pathë në çka mos me lënë pa thënë.

Të nxorra nga ëndrra

Të kisha në ëndërr,
E butë si një fshikëz mëndafshi ishe, e pëllumbtë si kullë fildishi.
Të nxora nga përjetësia e përkohshme të të sjell në përkohësinë e pavdekësisë.
Të nxora nga ëndrra ime, se të desha për vete…
E largët e lagët,
larvë e zbehtë që zhbëheshe në pikëtakimin e parë me jetën.
Të kisha në ëndërr, të nxora nga ëndrra,
le pas mbresë të mosqenies,
le pas amë shkumësh shkimur muzgjesh.

Të kisha në ëndërr. Nuk më kishe në ëndërr.