Topi i Artë? Më mirë të përdoret shumësi. “France Football”, në fakt, ka lajmëruar krijimin e dy çmimeve të tjerë, përveç atij që i jepet tashmë prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh futboollistit më të mirë europian (ose që luan në Europë).

Tani do të ketë një Top të Artë për femrat dhe një për lojtarët Under-21. Të dy këto trofe do të jepen dhjetorin e ardhshëm, kur do të zbulohet edhe se kush do të jetë pasardhësi i Cristiano Ronaldo (në rast se portugezi nuk fiton të 6-in). Për rrjedhojë, do të jenë tre personat që do të ngjitën në skenë për të tërhequr çmimin. Gjithmonë nëse dikush nuk fiton dy nga këto tre Topa të Artë.

Në fakt, rreziku ekziston, sepse në listën e kandidatëve për trofeun e “të rriturve” është edhe një djalosh 19-vjeçar, i cili pritet të jetë fituesi i parë i Topit të Artë Under 21. Madje, i Kopa Award, i quajtur kështu në nderi të sulmuesit francez Raymond Kopa, ylli i kombëtares franceze, fitues i Topit të Artë në 1958-ën. Gjashtëdhjetë vite më pas, trofeu, të paktën ai i të rinjve, duhet t’i shkojë një francezi, siç është Kylian Mbappe, i cili gjatë Kupës së Botë i ka kujtuar shumë njerëzve debutimin e Pele si kampion bote.

Kush do të jetë në juri? Votat do të jepen nga fituesit e mëparshëm të trofeut. Kështu, do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi, por edhe legjenda të tjera të futbollit si, Zidane, Van Basten etj. Vlerësimi i lojtarit më të mirë Under 21 do të jetë një përgjegjësi e madhe. Veçanërisht nëse mendohet për të ardhmen që mund të presë adoleshentin që do të përzgjidhet nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit.

Një peshë kjo që Mbappe mund ta mbajë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për atë që do të vijë pas tij. Ndërkohë, vlerësimi nga legjendat e botës së futbollit do të jetë një ndjesi e veçantë për këdo.