Brazil-Spanjë, finalja më e dëshiruar e Botërorit

494
Sigal

Brazili shikohet si ekipi favorit për të fituar titullin kampion, Spanja vjen e dyta

Brazil-Spanjë është finalja më e dëshiruar e Kampionatit të 20-të Botëror 2014. Është ky përfundimi i një sondazhi të organizuar nga gjiganti i statistikave “Infostrada”. Sipas të dhënave, 7.8% e votuesve kanë preferuar një finale Brazil-Spanjë, ndërkohë që për Brazil-Argjentinë janë shprehur 5.9%. Vendi organizator, Brazili është më i preferuari si një nga finalistët pasi fansat e kanë parë atë dhe në finale të tilla si Brazil-Gjermani (2.6%), Brazil-Angli (2.6%). Një finale e gjitha europiane, Spanjë-Gjermani preferohet nga 4%, Argjentinë-Gjermani 3.4%, Holandë-Spanjë 1.6%, Angli-Spanjë 1.5%. Brazili shikohet si ekipi favorit për të fituar titullin kampion, çka do të ishte i gjashti për të dhe i pari në shtëpinë e tij, pasi ai e humbi atë të vitit 1950. 21.4 për qind mendojnë se Brazili i Nejmarit ka më shumë shanse për ta fituar, kundrejt 17.3% të Spanjës. Argjentina e Lionel Mesit vlerësohet me 12.8%, ndërkohë që Gjermania është në shifrat 10.7%. Si fitues të mundshëm në përqindje më të vogla shihen edhe Anglia (5.5%), Uruguai (3.9%), Kolumbia (3.4%), Franca (3.3%), Holanda (3.3%), etj.. Në Europë pak e njohin, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nate Silver, njihet si guruja i statistikave, njeriu i parashikimeve mes dy botëve që pak lidhje kanë me njëra-tjetrën, sportit e politikës. Kulmin e famës Silver e arriti në zgjedhjet presidenciale në Amerikë të vitit 2008, kur me saktësi parashikoi fituesin në 49 nga 50 shtete dhe në të njëjtin vit gjeti edhe fituesit për vendet në senat. Po kështu, profeti me kravatë ka impresionuar edhe me parashikime të tjera në baseballin amerikan, prandaj jo më kot, njerëzit e basteve sidomos, duhet t’i marrin seriozisht fjalët e tij. Nate Silver është pyetur tashmë se çfarë mund të ndodhë në Kupën e Botës dhe lajmin më të mirë e ka për tifozët brazilianë. Sipas përllogaritjeve të 36-vjeçarit, kombëtarja e Selecaos ka 45% shanse që të ngrejë lart trofeun më të madh në planet në finalen e 13 Korrikut, pra më shumë se çdo skuadër tjetër. Spanja kampione në fuqi, e konsideruar nga shumë specialistë si njëra prej favoriteve, ndodhet mes të parëve, por në vendin e katërt me 8% mundësi, pas argjentinasve me 13% dhe gjermanëve me 11%. Ka surprizuar Nate Silver me parashikimet, e ndoshta italianët janë duke e mallkuar në këto momente pasi kombëtares së kaltër i ka dhënë më pak se 1% shanse për triumfin në Botëror, po aq sa Portugalia, Holanda e shumë ekipe të tjera. Anglezët ndodhen pak më lart në kuotën e 2%-it, ndërsa kombëtarja e Kilit, ashtu si Franca, ka 4% mundësi në rrugën e gjatë drejt suksesit në Brazil.

FINALJA

Brazil-Spanjë             7.8%

Argjentinë-Brazil      5.9%

Gjermani-Spanjë        4.0%

Argjentinë-Gjermani 3.4%

Brazil-Angli       2.6%

Brazil-Gjermani         2.6%

Argjentinë-Spanjë     2.0%

Brazil-Uruguai          1.8%

Holandë-Spanjë         1.6%

Angli-Spanjë             1.5%

KAMPION

Brazili                 21.4%

Spanja                 17.3%

Argjentina                 12.8%

Gjermania                  10.7%

Anglia                 5.5%

Uruguai              3.9%

Kolumbia                  3.4%

Franca                 3.3%

Holanda              3.3%

Kili                     2.3%

TË GJITHA FINALET DHE FITUESIT

 1930 URUGUAI-Argjentinë 4-2

1934 ITALI-Çekosllovaki 2-1,

1938 ITALI-Hungari 4-2,

1950 URUGUAI-Brazil 2-1

1954 GJERMANI-Hungari 3-2

1958 BRAZIL-Suedi 5-2

1962 BRAZIL-Çekosllovaki 3-1

1966 ANGLI-Gjermani 4-2

1970 BRAZIL-Itali 4-1

1974 GJERMANI-Holandë 2-1

1978 ARGJENTINË-Holandë 3-1

1982 ITALI-Gjermani 3-1

1986 ARGJENTINË-Gjermani 3-2

1990 GJERMANI-Argjentinë 1-0

1994 BRAZIL-Itali 0-0 (3-2 p).

1998 FRANCË-Brazil 3-0

2002 BRAZIL-Gjermani 2-0

2006 ITALI-Francë 1-1 (5-3 p)

2010 SPANJË-Holandë 1-0

Vitrinë për yjet me valixhe në duar

 “Brazil 2014” mbetet një vitrinë e madhe dhe e rëndësishme për yjet e futbollit që janë në kërkim të një destinacioni të ri për sezonin e ardhshëm. Sytë janë drejtuar tek emra të tillë si Marcelo, Guarin, Lukaku, Torres, Drogba, Janmat, Abel Hernandez, Behrami, Xheko e Mandzukic, pa harruar Aleksis Sançez. Janë shumë emra, kryesisht mesfushorë dhe sulmues, që e kanë në ADN golin.

Sulmuesi i Kilit Aleksis Sançez pëlqehet shumë nga Juventusi, që kërkon të përfitojë nga fakti se 25-vjeçari nuk ka mundur të përshtatet si duhet përkrah Lionel Mesit në lojën “tiki-taka” të Barcelonës. Lojtari vlerësohet 25 milionë Euro, me bardhezinjtë që kryesojnë listën e klubeve që dëshirojnë të sigurojnë shërbimet e tij. Ideja e presidentit Anjelli dhe drejtorit sportiv Bepe Marota është të përsërisin operacionin “Tevez”.

  

Mbrojtësi shqiptar është pjesë e përfaqësueses gjermane: “Dua të lë gjurmë në Botëror”

 Mustafi: “Në Brazil gjithçka fantastike”

 Shqiptari Shkodran Mustafi, mbrojtësi i Kombëtares gjermane ndihet plotësisht gati për ndeshjen e parë kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos, takim që do të luhet më 16 qershor (të hënën e ardshme). Lojtari i Sampdorias në kampionatin italian ka folur për mediat përtej Adriatiut, për aventurën e tij në Brazil. “Këtu gjithçka është fantastike, ndihemi të mirëpritur, – tha Mustafi për faqen zyrtare të Sampdorias. – Pritja e brazilianëve është e jashtëzakonshme”. Mustafi, i cili u thirr nga trajneri Johakim Lëvi pas dëmtimit të Marko Rojsit, është i përqendruar në objektivat e tij dhe të skuadrës. “Qëllimi im, kur luaj futboll, është gjithmonë i njëjti: të jap 100 për qind dhe të ndihmojë sa më shumë që të jetë e mundur skuadrën time”. Në “Brazil 2014” janë jo pak, por nëntë shqiptarë përfshirë Xherdan Shaqirin, Valon Berhamin, Granit Xhakën, Blerim Xhemailin, Admir Mehmedin që luajnë me Zvicrën; Adnan Januzajn me Belgjikën; Stefan Kapinon dhe Panajot Konen me Greqinë. Sulmuesi i Gjermanisë Lukas Podolski në një intervistë paralajmëroi shokët e tij të skuadrës për të dhënë maksimumin në fushën e lojës nëse duan të kalojnë përtej fazës së grupeve. Gjermania bën pjesë në Grupin G së bashku me Portugalinë, Ganën, dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas numrit 10 të “pancerave”, skuadra duhet të japë më të mirën e saj që në fazën e grupeve pasi në të kundërt mund të pësojë një eliminim shokues. “Mendoj se bëjmë pjesë në grup shumë të vështirë. Portugalia ka në skuadër Kristiano Ronaldon, por edhe shumë lojtarë të tjerë që mund të të krijojnë probleme. Shtetet e Bashkuara kanë një trajner Gjerman si Jurgen Klinsmann dhe për të sfida përballë nesh do të jetë speciale, ndërkohë që Gana është skuadra afrikane që lufton gjithmonë, ata japin 110% nga vetja. Nuk do të jetë aspak e lehtë për ne përballë kundërshtarëve të tillë megjithatë mendoj se kemi një skuadër të mirë dhe kam besim se do ta kalojmë grupin, pasi dëshirojmë të luftojmë për titullin”. Podolski është i bindur se nëse Gjermania do të kalojë përtej fazës së grupeve skuadrat amerikano-jugore si Brazili dhe Argjentina përfaqësojnë një kërcënim për Gjermaninë në luftën për të fituar kampionatin Botëror. “Nuk është gjithmonë e lehtë pasi njerëzit mendojnë se Gjermania shkon në Brazil për të fituar Kupën e Botës. Të gjithë mendojnë se ne mund ta arrijmë diçka të tillë por nuk duhet harruar që ka edhe shumë ekipe të tjera të forta që gjithashtu dëshirojnë suksesin, sidomos skuadrat amerikano-jugore që kanë një potencial shumë të madh”.