Miroslav Kloze, hakmarrje ndaj Ronaldos për Mylerin

533
Sigal

Gjermani ka shënuar 14 gola, një pak se braziliani që mban rekordin si golashënuesi më i mirë

Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslab Kloze, ka dy objektiva të mëdha kur ai të luajë në Botërorin e Brazilit: të hakmerret ndaj brazilianit Ronaldo dhe nder të Gerd Mylerit dhe të shndërrohet në golashënuesin me të mirë në Kampionatet Botërore. 36-vjeçari ka shënuar deri tani një gol më pak se braziliani Ronaldo, me këtë të fundit që mban edhe rekordin me 15 gola. Kloze është pjesë e “Nationalmanschaft” në Botërorin e Brazilit, ndërkohë që “Fenomeni” është në rolin e ambasadorit të Kupës së Botës dhe nuk luan në një Botëror nga viti 2006. Për momentin renditja e tre më të mirëve në Botërorë është kjo: Ronaldo, 15 gola; Kloze dhe legjenda gjermane Gerd Myler nga 14, por vetëm Miroslav Kloze është në aktivitet. Ronaldo i ka shënuar 15 golat e tij në 19 ndeshje në botërorët e viteve 1998 (4), 2002 (8) dhe 2006 (3) në 1617 minuta lojë në total, ndërkohë që Kloze i ka realizuar 14 golat e tij po në 19 ndeshje (1497 minuta): 2002 (5), 2006 (5) dhe 2010 (4). Gerd Myleri i ka realizuar 14 golat e tij në 13 ndeshje: 10 në Meksikë 1970 dhe 4 në Gjermani 1974, përfshirë edhe golin në finalen e fituar 2-1 ndaj Holandës në Munih. Gjithsesi, është francezi Zhyst Fonten ai që mban një rekord unik: 13 gola në një kampionat të vetëm, atë “Suedi 1958” dhe në vetëm 6 ndeshje të luajtura (540 minuta)! Pele, tri herë Kampion i Botës dhe pjesëmarrës në katër Kupa Bote: 1958, 1962, 1966 dhe 1970 ka shënuar 12 gola. Më pas vinë me nga 11 gola: Jurgen Klinsman (Gjermani), Helmut Rahn (Gjermani) dhe Sandor Kocsis (Hungari), por ky i fundit i ka shënuar vetëm gjatë një botërori (1954). Nga emrat e tjerë të njohur në arenën botërore, gjermani Rumenige, italianët Rosi e Baxho, portugezi Euzebio kanë shënuar nga 9 gola, ndërkohë që argjentinasi Maradona, 8 gola.

GOLASHËNUESI MË TË MIRË

 Ronaldo              Brazil    15

M.Kloze              Gjermani      14

G.Myler       Gjermani      14

Zh.Fonten           Francë   13

Pele                     Brazil    12

J.Klinsman   Gjermani      11

H.Rahn        Gjermani      11

S.Koçsish           Hungari 11

G.Lato          Poloni   10

G.Lineker            Angli           10

T.Kubijas            Peru             10

G.Batistuta   Argjentinë    10

Kloze, golin e parë kundër Shqipërisë

 Mund të duket si e habitshme, por Miroslav Kloze golin e parë të tij me fanellën e Gjermanisë e ka shënuar pikërisht kundër Shqipërisë. Pikërisht në fitoren 2-1 ndaj Kuqezinjve, më 24 mars 2001, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2002 (Kore/Japoni). Takimi u luajt në “BayArena” të Leverkuzenit. Pas shënimit të golit nga Sebastian Drasler në minutën e 50-të, barazoi për Shqipërinë Bledar Kola në minutën e 65-të. Trajneri Rudi Fëler hodhi në fushë në minutën e 72-të Klozen në vend të Nojvilit dhe 13 minuta më pas, gjermani i lindur në Poloni shënoi golin e fitores 2-1 në të 85’, që mposhti edhe skuadrën tonë të drejtuar nga i ndjeri Medin Zhega.

Maradona: “Brazili do të organizojë një Botëror fantastik”

 Legjenda e Argjentinës, Diego Maradona, pavarësisht protestave në rrugët e Brazilit, ai shpreh besimin e tij se vendasit do ta kthejnë këtë eveniment në një festë të madhe. Kur pyetet në lidhje me vizionin që ai ka për këtë kompeticion, mjaftohet me një përgjigje të thjeshtë. “Nga largësia e kohës e kupton se shumë gjëra mund të bëhen dhe të ishin bërë ndryshe. Unë jam i sigurt se Brazili do të organizojë një Botëror fantastik, por nuk duhet të harrojmë për asnjë moment njerëzit”. Ish-kampioni i Botës në vitin 1986 e cilëson FIFA-n si një fuqi të shëmtuar. Gjatë intervistës së tij, ai i referohet skandalit për caktimin e Katarit si vend organizator i Botërorit 2022. “FIFA fiton plot 3 miliardë Euro për organizimin e një Kupe Bote dhe fituesi merr vetëm 26 milionë. Në këtë mes ka një diferencë të pabesueshme. FIFA është një top që thith para sepse arkëton 3 miliardë Euro pa bërë absolutisht asgjë”. Maradona ka qenë kapiten i Argjentinës në Botërorin e vitit 1986 kur kombëtarja e tij u shpall kampione për herë të fundit.

  Të kuqtë mbeten tepër aktivë në merkaton verore. Mbrojtësi vjen nga Shkëndija e Tetovës

  Partizani, vjen Shabani ikën Krasniqi

 Bunjamin Shabani është përforcimi i radhës i Partizanit. Klubi i kuq zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes me mesfushorin shqiptar nga Maqedonia. 23-vjeçari, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë ë Shkëndijës së Tetovës tashmë ka zgjedhur 15 herë kampionët, për të shënuar edhe debutimin e parë në kampionatin shqiptar. Tetovari ka luajtur me disa skuadra në karrierën e tij të re, ku përveç Shkëndisë së Tetovës është dhe Shkupi, Olun Palo, Milano Kumanove dhe Bashkimi. Shabani pëlqehet shumë nga trajneri Shpëtim Duro, i cili e pati atë në urdhrat e tij kur tekniku aktual i Partizanit drejtonte sezonin e kaluar Shkëndinë e Tetovës. Para pak ditësh, Partizani prezantoi në ambientet e klubit blerjen më të re, Mentor Zhdrellën, i cili konsiderohet një nga talentet më të mëdhenj që ka nxjerrë futbolli kosovar vitet e fundit. Por, nëse Shabani vjen te Partizani nga të kuqtë largohet kosovari Gëzim Krasniqi, me këtë fundit që nuk është më në planet e trajnerit Shpëtim Duro, pavarësisht se futbollisti pranoi parimisht rinovimin e kontratës me 15 herë kampionët e Shqipërisë. “Me Partizanin kalova një sezon të mrekullueshëm, që nuk do ta harroj, pasi njoha njerëz të mirë, ku padyshim spikat presidenti Gazmend Demi, me të cilin kisha marrëdhënie shumë të mira. Me Partizanin pata një kontratë një vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Nuk lë pa falënderuar edhe Altin Rrakllin, që në verën e shkuar më ofroi një klub si Partizani. Me ardhjen e trajnerit të ri në klub ndryshuan programet dhe duke ditur se ai ka filozofinë dhe idetë e tija për ndërtimin e skuadrës. Kam pasur një takim me vetë presidentin Demi dhe trajnerin Duro ku mu shpjegua dhe arsyetua situata, pasi nuk bëja pjesë në skemat e reja, kështu që me marrëveshje rashë dakord që të vijojë karrierën në ndonjë klub tjetër, që më jepte hapësirë aktivizimi. Padyshim largohem me respektin maksimal për Partizanin dhe gjithë pjesëtarët e tij me në krye presidentin Demi. Gjithashtu respekt maksimal nga unë gëzojnë edhe tifozët e Partizanit, të cilët më kanë mbështetur shumë, sidomos një grup nga Lapraka”, përfundon deklarata e Gëzim Krasniqit.

Renaldo Rama, pranë Tiranës

 Renaldo Rama pritet të vijojë karrierën e tij në Kategorinë Superiore. 24-vjeçari ka zgjidhur kontratën me klubin AEK të Athinës duke qenë një lojtar i lirë. Destinacioni i ardhshëm është pikërisht Tirana dhe raportohet se bisedimet mes palëve tashmë kanë nisur. Rama u largua nga AEK-u pasi skuadra greke mendonte të huazonte sulmuesin, fakt që nuk është pranuar nga lojtari.

Kukësi, me probleme lojtarësh

 Vetëm një javë pas prezantimit të trajnerit Agim Canaj, te skuadra e Kukësit dalin në pah disa problematika të mprehta, që kanë të bëjnë më organikën e nënkampionëve të Shqipërisë. Aktualisht, nën urdhrat e Canajt është një grup i cunguar lojtarësh, ndërsa mungojnë shumë nga emrat që mbyllën sezonin. Kukësi do të luajë në Ligën e Europës, ashtu si dhe sezonin e kaluar.

Mikel Canka tek Apolonia

 Apolonia zyrtarizoi përforcimin e parë për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Lushnjës, Mikel Canka, i cili pavarësisht rënies së myzeqarëve në Kategorinë e Parë ishte një ndër më të spikaturit e sezonit që lamë pas. 27-vjeçari u prezantua me bluzën bardhjeshile nga trajneri Demiraj. Apolonia e rikthyer në Superligë synon një ekip të fortë.