Tirana-Partizani nuk e lëshojnë kreun, fitojnë edhe në javën e 9-të

484
Sigal

Mbyllet faza e parë e Superligës, ndërkohë që, rivaliteti vazhdon të jetë pjesë e tij.

Mbyllet faza e parë e Superligës duke parë si kryesuese Tiranën dhe Partizanin, që tashmë, me fitoret e ditës së djeshme janë edhe më të kuotuara për të mbajtur ecurinë pozitive në renditje dhe në “luftën” për titull. Ndërkohë, u luajtën dje edhe ndeshjet e ngelura të javës së 9-të, me takimin e parë mes Laçit dhe Apolonisë që u mbyll me rezultatin 3-1 në favorin e laçjanëve. Ndeshja e zhvilluar nuk ishte dhe aq e thjeshtë për laçjanët që kanë pasur para vetes një Apoloni shumë të fortë dhe problematike për tu mundur, aq sa arriti edhe të barazonte shifrat, por në fund të fundit, ishin vendasit ata që rrëmbyen fitoren. Kjo fitore e arritur tregon edhe një herë se është shumë e vështirë që të ndalohen kurbinasit e Cungut që po tregojnë një lojë shumë të bukur duke e ndërthurur edhe me rezultate pozitive, që për pak kohë dje, bënë që të rrinte në krye të klasifikimit bashkë me Kukësin. Ndërkohë që Apolonia vetëm përforcon faktin që kanë si skuadër, duke mos mundur të mbledhin pikë jashtë fushës së tyre. Dy ndeshjet e tjera, ndeshjet kryeqytetase, u mbyllen me fitore për të dyja kryesueset, edhe pse duhet thënë jo pa vështirësi. Por ndeshja e vërtetë u bë edhe në radhët e stadiumit, ku tifozët kishin lënë mënjanë simbolet e klubit të tyre duke shpalosur ato kombëtare, në kuadër edhe të vendimit që mori UEFA dhe frymës së bashkëpunimit të çdo tifozi shqiptar kundër atij vendimi. Partizani në fakt e pa veten në vështirësi pasi përballë pati një Elbasan që pavarësisht formës së dobët, arriti që të bëhej pritë për “demat” duke ju lejuar të shënonin vetëm një gol me anë të serbit Raçic. Ndërkohë që Tirana, ashtu siç pritej, luajti përballë një Teute shumë të mobilizuar, në një ndeshje shumë të luftuar nga të dyja por që në fund pa fitues tiranasit që duke arritur të shënojnë vetëm në minutën e 81 me anë të Elis Bakaj, “shënojnë” njëkohësisht edhe titullin “kampion” për fazën e parë. Këto rezultate i vënë përsëri në krye të renditjes të dyja skuadrat edhe për këtë javë të 9-të duke thënë bindshëm fjalën e tyre për qëllimet e këtij sezoni. Por kjo javë e Superligës filloi që të shtunën, me dy ndeshje shumë të rëndësishme siç ishin Kukësi-Flamurtari dhe Skënderbeu-Vllaznia e në këtë rast nuk zhgënjyen skuadrat pritëse por fituan bindshëm ndaj miqve duke mos pranuar asnjë gol. Në Kukës, verilindorët treguan forcën e tyre përballë një Flamurtari jo të qartë para porte. Kjo fitore erdhi në një kohë shumë të vështirë për Kukësin që vetëm javën e kaluar humbi kreun ndaj Tiranës, në një ndeshje që u mbush me polemika.  Jo më mirë ndodhej Flamurtari, që ashtu si edhe Kukësi ndodhej në gjendje “lufte” për rezultate ku më shumë kanë përqafuar barazimet duke humbur kështu terren në shumë ndeshje. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të së shtunës, ajo që bie në sy është forma gjithmonë e më në rritje e Skënderbeut, që pas asaj goleade me Himarën, duket se kishte ruajtur diçka edhe për Vllazninë duke i shënuar plot 3 gola. Një ndeshje shumë e bukur kjo për korçarët që treguan epërsinë që po krijojnë dhe dita-ditës po forcojnë pozitat duke u bërë me të vërtetë pretendente me të drejta të plota për titullin kampion edhe për këtë sezon.

Duhet thënë se nga të gjitha ndeshjet, vetëm Teuta nuk ja doli që të fitonte në shtëpi, pasi në rastet e tjera fitore kanë përqafuar vetëm skuadrat pritëse.

 

 

Të shtunën

Skënderbeu 3-0 Vllaznia

Kukësi 2-0 Flamurtari

Të dielën

Laçi 3-1 Apolonia

Partizani 1-0 Elbasani

Teuta 0-1 Tirana

Nr Skuadra Nd P
1 KF Tirana 9 18
2 KF Partizani 9 18
3 KF Laçi 9 16
4 KF Kukësi 9 16
5 KF Skënderbeu 9 15
6 KF Flamurtari 9 13
7 KF Vllaznia 9 8
8 KF Teuta 9 7
9 KF Apolonia 9 7
10 KF Elbasani 9 3

UEFA do të rishikojë vendimin e ndeshjes Serbi-Shqipëri

 Vendimet e UEFA-s vazhdojnë akoma të bëjnë jehonë, dhe jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga të huajt. Shumë media mbarë botërore nuk kanë ngurruar të japin mendimin e tyre ndaj vendimit të UEFA-s duke e quajtur madje qesharak dhe shumë të pa drejtë. Nisur kjo, nga të gjitha provat që favorizojnë Shqipërinë që janë bërë të ditura dhe janë rishfaqur në shumë forma nga të gjithë. Siç duket protesta  e bërë dhe jehona negative që mori ky vendim po bën që rishikimi të jetë shumë pranë. Burime pranë UEFA-s bëjnë të ditur se vendimi mund të ketë nevojë për rishikim dhe do të bëhet i ditur brenda disa ditësh. Nëse rishikimi do bëhet vetëm si kërkesë e palëve apo do jenë vetë anëtarët e UEFA-s që do ta ndërmarrin këtë hap, kjo nuk bëhet e ditur. Në fakt, edhe nga deklaratat e bëra kohët e fundit nga presidenti Duka, vendimi për apelim nuk duket i largët pasi ai u shpreh: “Nuk mund ta quajmë të humbur, sepse procesi vazhdon në 3 shkallë. Unë mendoj se ne do t’i marrim edhe pikët në shkallët e gjykimit, por gjithsesi, skuadra jonë e ka treguar në fushë se çfarë dinë të bëjnë. Gjithkush e ka parë se çfarë dinë të bëjnë, në Portugali, në Shqipëri kundër Danimarkës, madje edhe në Serbi, në të gjitha drejtimet. Duke i hequr 3 pikë Serbisë dhe me dy ndeshje pa spektatorë, nuk mendoj se i ka shërbyer në të mirë të lojës ky vendim. Ky lloj vendimi nuk i ka dhënë një mësim dhunuesve të futbollit, por e ka lënë që ta komandojë Ivani, besoj se edhe në këto dy ndeshje pa spektatorë, Ivani do jetë në qoshe të vendit ” UEFA në fakt u bë këto ditë objekt talljesh dhe ngacmimesh nga të gjithë, që nga mediat e deri tek tifozët. Disa gazetarë nuk kanë ngurruar as ta “shpallin” si sportistin më të keq apo si një nga vendimet më të turpshme të UEFA-s. Siç duket, deklaratat e Platinisë dhe vendimi që u mor nuk është se do ta ndihmojnë shumë në zgjedhjet e ardhshme, si për kreun e UEFA-s apo edhe kreun e FIFA-s që mendohet se e synon.