Tre 7-ta kishte Bota, Kigan, Ruci, Pompivoda!

495
Nga Çlirim HOXHA
PROFIL/ Në 60-vjetorin e Mjeshtrit të Madh në futbollin shqiptar, Vasil Ruci, nostalgjia dhe urimet janë pjesë e respektit ndaj tij
Ky shkrim ka të bëjë me një nga titanët e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar në vite, për Mjeshtrin e Madh të futbollit, Vasil Ruci, i cili sot mbushi 60 vjet nga dita e tij e lindjes. Të flasësh dhe të shkruar për të Madhin Vasil Ruci nuk është e lehtë, pasi duhet të jesh bashkëkohës i tij, ta kesh ndjekur atë në karrierën brilante futbollistike, dhe të kesh përjetuar emocione të papërsëritshme. Vasil Ruci i përket atij brezi të artë të futbollistëve vlonjat që tronditën botën shqiptare dhe e shkruan emrin e Flamurtarin në Evropë, si ekipi që bëri çudira, po të kemi parasysh kohën kur zhvilloheshin ngjarjet dhe izolimin plot makutëri të regjimit të kaluar. Në rrugicat e Vlorës dhe në brigjet e plot rërë të plazheve të saj, do të dukej një djalosh i talentuar, i cili e “lodhte” topin deri sa të dy u bënë shokë të pandarë. Këmbët magjike të Vasil Rucit do të rriteshin shpejt dhe aty nga pjesa e dytë e dekadës së viteve ’70-të, në fushat e blerta do të spikaste një talent që premtonte shumë. Vasil Ruci nuk kishte durim sa të futej në ekipin e parë të Flamurtarit, ekip në të cilin kishin kaluar breza të tërë futbollistësh të talentuar, që nga Vasillaq Ndini tek Ylli Mexhit Haxhiu, nga Nako Saraçi e deri te Shemsi Zilja, nga Beniamin Nelaj e deri tek Edmond Liçaj, nga Leonidha Çurri e deri te i vëllai Spiro Çurri, që nga Agron Sulaj e deri te Pano Xhaho etj, etj futbollistë, që e ngritën lart emrin e Flamurtarit tonë. Por hyrja e Vasil Rucit në ekipin e Flamurtarit, ishte si futja e një meteori në atmosferën e tokës, shkëlqimi i të cilit do të vazhdonte gjatë. Pas të madhit Mexhit Haxhiu, vlonjatët dhe tifozët shqiptarë në përgjithësi, kishin rastin të shijonin një nga sulmuesit më agresiv që mbiu në fushat e blerta, një nga goditësit më të shkëlqyer të pozicioneve standarde të topit, një nga dribluesit më hipnotizues të mbrojtjeve mike, një nga shënuesit më ekzotik në portat kundërshtare, tmerrin e portierëve. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë thirrje të tilla në stadiumin Flamurtari për një futbollist, siç dëgjoja për Vasil Rucin. Kori thërriste: “Vasil, Vasil, ti je bota!”. Aq shumë u fut në zemrat e tifozëve kuq e zi ky futbollist i madh, sa që çdo ditë e çdo javë, tifozët binin në gjumë me emrin e tij në gojë dhe zgjoheshin nga gjumi po me emrin e tij. Në çdo ndërmarrje dhe qendra prodhimi, flitej për Vasil Rucin dhe Flamurtarin e madh të atyre viteve. Vasil Ruci mbante në fanellën kuq e zi numrin 7 në shpinë, një numër që u bë simbol i shënuesit brilant, një numër që u dashurua nga çdo fëmijë vlonjat që ëndërronte të bëhej futbollist. Mjeshtri Vasil Ruci nuk do të mjaftohej me stërvitjen e rregullt që ekipi i Flamurtarit bënte çdo ditë. Pas stërvitjes me ekipin, ai do të qëndronte akoma në fushën e blertë duke mprehur shënjestrën e goditjeve standarde, aq sa u bë një nga goditësit e rrallë të faulleve, ku portierëve të njohur u dridheshin leqet e këmbëve kur përpara topin ndodhej mjeshtri Vasil Ruci. Sa e sa gola nga pozicionet standarde ka shënuar ky magjistar i topin në karrierën e tij. Sa e sa portierë kanë ndjerë dhe provuar peshën e golave të tij. Sa rrjeta janë tundur nga topat e goditur nga këmbët e tij. Vasil Ruci i përdorte shkëlqyeshëm të dyja këmbët dhe kokën, çka do ta bënte atë sulmuesin më të frikshëm të portave kundërshtare. Në vitet kur Vasil Ruci luante futboll me Flamurtarin, në skenat e futbollit evropian do të shfaqeshin edhe futbollistë të tjerë të talentuar që mbanin në shpinë numrin 7, dhe që dalloheshin për goditjet standarde. Dy prej tyre bënë emër në ato vite, siç ishin britaniku Kigan dhe sllavi Pompivoda. Tifozët vlonjatë nuk do të përtonin tu vinin të dyve atyre dhe Vasil Rucit vargjet e bukur që të ngjallin edhe sot nostalgjinë e atij futbolli. 
“Tre shtata ka sot bota: Kigan, Ruci, Pompivoda”
Kështu këndohej rrugëve, stadiumeve dhe shesheve të Vlorës për të madhin dhe tjetër legjendën e Flamurtarit Vasil Rucin. Por vitet ’80 do të dëshmonin me të gjitha madhështinë e tyre talentin e këtij futbollisti të madh dhe të ekipit të tij të zemrës Flamurtarit të madh gjithashtu. Në qiellin e Vlorës u pozicionuan yje të mëdhenj të futbollit si, legjendarët Kreshnik Çipi, Anesti Arapi, Petro Ruci, Rapo Taho, Përparim Lushaj, Roland Iliadhi, Alfred Ferko, Alfred Ziaji, Latif Gjondeda, Vasil Ziu, Agim Bubeqi, Viktor Daullja, Vasil Ruci dhe Sokol Kushta. Një galaktik yjesh që do ti kishin zili të gjitha klubet e Evropës. Me Vasil Rucin dhe yjet e tjerë Flamurtari i Vlorës do të bënte epokë në vitet ’80, ku në Kupat e Evropës do të tregonte realisht kapacitetet e tij futbollistike. Një ekip i mbushur me yje vështirë se do të shfaqet më këtyre anëve, por nostalgjia për ata titan nuk do të shuhet kurë. Flamurtari përball Barcelonës së madhe në shtatorin e vitit 1986 në Vlorë. Titani Vasil Ruci mposht portierin zë-madh Zubizareta me një gol në fluturim. Stadiumi shpërthen, komentatorët sportiv në ekstazë të plotë, gazetarët nuk dinin si ta nisnin komentin nga emocionet e forta. Mediet botërore kishin ditë të tëra që paralajmëronin për Kometën Hallej në afërsi të Tokës dhe njerëzimi po mbante frymën.
Goli i parë
Në sezonin 1976-1977, Vasil Ruci luan ndeshjen e tij të parë me Flamurtarin, në të cilën ka shënuar edhe golin e parë të tij në karrierë. Në muajin shtator të vitit 1976, në ndeshjen e kampionatit Flamurtari-Besa, Vasil Rci do niste me gol këtë ndeshje premierë në elitë
Në muret e qytetit të Vlorës u shfaq të nesërmen një pllakat urimi për Flamurtarin dhe Vasil Rucin, në të cilën shkruhej: 
“Portierit Zubizareta,
Iu prishën nervat e qeta,
Kur kthehu kokën nga rrjeta,
Kujtoi se ra kometa”. 
Urimi, edhe mes nostalgjisë për golat
Por Vasil Ruci nuk do të ndalej këtu, ai do t’i shënonte Barcelonës edhe në Spanjë gjatë vitit ’87 në përballjen e tretë të tyre, pasi e dyta ishte mbyllur me rrjeta të paprekura në “Kamp Nou”, dhe e katërta në Vlorë në favor të Flamurtarit 1-0, me atë super gol të legjendarit tjetër Sokol Kushta. Në të gjitha përballjet e Flamurtarit në Kupat e Evropës, Vasil Ruci do të shënonte kundër suedezëve, kundër polakëve, pa llogaritur ekipet e kampionatit shqiptar si Dinamo, Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia etj, portierët e të cilave do të provonin peshën e golave të tij. Sot në këtë 60 vjetor të lindjes së tij, e urojmë me nostalgji Vasil Rucin, “Legjendën” vlonjate të futbollit të viteve ’80-të, heroin e çdo fëmije dhe “Mbretin” e topit. Edhe 100 vite të tjera jete të lumtura mjeshtër, duke dhënë përvojën e tënde për të nxjerrë nga Vlora të tjerë futbollistë të mëdhenj për dinjitetin e Flamurtarit dhe të ekipit Kombëtar Kuqezi!
Vasil Ruci
Datëlindja: 17 shkurt 1958/ Vendlindja: Vlorë 
Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Pozicioni në fushën e lojës: Sulmues
Karriera si lojtar: Flamurtari në vitet 1976-1993
Trofe të fituara me Flamurtarin: Kampion në sezonin 1990-1991; Kupën e Shqipërisë në sezonet 1984-1985 dhe 1987-1988; Superkupën e Shqipërisë në sezonet 1989-1990 dhe 1990-1991
Golat e shënuar: 104 (98 në futbollin shqiptar, 6 në Kupat e Evropës)
Tituj personalë: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, “Mjeshtër i Madh”.
Karriera si trajner: Me Flamurtarin në sezonin 2006-2007; me Turbinën e Cërrikut në sezonin 2007-2008; Drejtor Teknik te Himara në sezonin 2009-2010.