Në Raportin e UEFA-s për trukimet e Skënderbeut, edhe një ish-ministër

699
Nga Agron KAJA
DYSHIMET PËR TRUKIM/ Thellohet akuza, në fokusin e inspektorëve janë edhe emra të njohur të politikës e të biznesit në Shqipëri
Kjo mesjavë, duket se do të jetë një start i ri drejt një çështjeje thuajse të vjetër. Fjala është për skuadrën e Skënderbeut, e cila tashmë është bërë edhe si kryefjalë në futbollin shqiptar e më gjerë. Në dokumentin që edhe gazeta “Telegraf” e siguroi nëpërmjet rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të UEFA-s, u mësua fillimisht se inspektorët që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe bëjnë rolin e prokurorit për llogari të UEFA-s, kanë përpiluar një dosje kundër Skënderbeut dhe kanë dalë me kërkesën drejtuar Organit të Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit në UEFA: 1. Përjashtim të Skënderbeut për 10 vite nga kupat e Evropës; 2. Gjobë 1 milion euro për Skënderbeun. Kjo letër është e firmosur nga avokati Migel Lietard Fernandez-Palasios, dhe Eksperti i Basteve Karl Dhont, të cilët kanë të drejtën që të shtojnë prova apo informacione shtesë në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, dje është publikuar edhe një raport nga UEFA, i cili i referohet trukimit të ndeshjeve nga ana e Skënderbeut, duke shkuar më thellë, pasi ka përmendur edhe emra politikanësh. Në këtë raport, në disa pika përmendet ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, për të cilin shkruhet se ka pasur gisht në trukimin e ndeshjeve të kësaj skuadre. Duke iu referuar konkretisht pikave 188 dhe 198 të këtij raporti, thuhet midis të tjerave, se Ridvan Bode ka ndikuar në përcaktimin e ndeshjeve. Ja se çfarë deklarohet në këtë raport të UEFA-s dje: “Para se të prezantojmë natyrën e aktiviteteve të trukimit të ndeshjeve të Skënderbeut gjatë shtatë viteve të kaluara, është e rëndësishme që shkurtimisht të përmbledhim historinë e hierarkisë së klubit dhe të lidhjeve të brendshme e të jashtme, politike dhe kriminale me futbollin: Në sezonin dimëror të vitit 2009-2010, Skënderbeu ishte në fund të Superligës Shqiptare dhe rrezikoi realisht mundësinë e përjashtimit. Në atë kohë, u emërua një president i ri, Agim Zeqo. Më pas u zgjodh edhe një bord i ri prej 16 anëtarësh, dhe disa donatorë të rinj u lidhën me klubin, duke përfshirë disa nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri. Këta donatorë ishin ish-ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Prefekti i Korçës në atë kohë, Niko Peleshi. Para sezonit 2010-2011, Skënderbeu bëri shumë ndryshime, duke sjellë disa lojtarë të rinj, përfshirë Orges Shehin, Ditmar Bicajn, Endrit Vrapin, Jetmir Sefën dhe Bledi Shkëmbin, dhe ky i fundit u emërua kapiten. Nga sa më sipër, mund të konkludohet, se zoti Bode posedon pushtetin, lidhjet dhe njohuritë për të ndikuar në rezultatet e ndeshjeve të Skënderbeut, dhe që ai e ka bërë këtë gjatë këtyre viteve. Është vërtet tronditëse të shohësh një person me një pozitë pushteti të përpiqet të ushtrojë ndikim të padrejtë në rezultatin e një ndeshje. Nuk është befasi që BFDS e ka renditur disa herë Skënderbeun me një shkallë të lartë të mundësisë së manipulimit, duke përfshirë klubet që kanë qenë nën presion nga zoti Bode (Dinamo, Tirana), ose të kontrolluara nga miqtë dhe kolegët e tij (KS Shkumbini). Kjo, së bashku me perceptimin e tij tashmë të njohur publik si një trukues i ndeshjeve, thjesht dëshmon se ai është një pjesë integrale e skemës së Skënderbeut”, kështu thuhet në përmbajtjen e këtij raporti, që e implikon Ridvan Boden në gjithçka të zezë që UEFA dyshon për trukimin e ndeshjeve nga Skënderbeu.
Në këtë raport, në disa pika përmendet ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, për të cilin shkruhet se ka pasur gisht në trukimin e ndeshjeve të kësaj skuadre. Duke iu referuar konkretisht pikave 188 dhe 198 të këtij raporti, thuhet midis të tjerave, se Ridvan Bode ka ndikuar në përcaktimin e ndeshjeve
Sigal