Rrapo Taho: Panuçi e nisi me dorë të hekurt, ndoshta kështu ka ideuar dy fitore

279
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, e quan të nxituar largimin e Cikalleshit
Kohë pushimesh ky fundgushti, sa ju ka lejuar ju që të jeni pranë futbollit?
Ku bëhet fjalë pa futboll! Unë e ndjek ritmikën e futbollit shqiptar, që nga dita që jam larguar nga fusha si futbollist. Këtu hyjnë më shumë Flamurtari dhe ndjekja e Kombëtares, sepse janë dy skuadra nga të cilat e kam shumë vështirë që ti ndahem gjatë gjithë jetës sime. Në disa shtete kanë nisur kampionatet, e duke u ndërthur ato me ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe të Evropa Ligë, e plotësojnë fokusin e të ndjekurit.

Në këtë periudhë ka spikatur edhe skuadra e Skënderbeut në Europa Ligë, besoj se e keni ndjekur?
Ecuria e Skënderbeut deri në grupet e Evropa Ligë, është njëherësh edhe sukses i futbollit shqiptar. Asnjëherë skuadra shqiptare nuk kanë qenë në këto nivele, edhe ne në atë kohë që kemi luajtur edhe kundër Barcelonës, apo ndaj skuadrave të tjera të mëdha në atë kohë në futbollin evropian.

Qëndrojmë pak te Flamurtari, si ju duket ecuria e tij në merkaton që u mbyll më 31 gusht, njëherësh edhe në ritmin e përgatitjeve të tij për sezonin e ri?
Flamurtari ka bërë ndryshime shumë të mëdha, dhe besoj që është mirë të them një fakt, se, Administratori Idrizi e trajneri Duro, kanë formuar një “duet”, prej të cilit unë mendoj vetëm progres në skuadër. Sikundër është përforcuar, në këndvështrimin tim, për sezonin e ri 2017-2018, duket se Flamurtari do të jetë pjesë e elitës në Kategorinë Superiore. 

Po për Kombëtaren, si i mendoni situatat në këtë periudhë?
Kombëtarja ka një ndryshim të madh, sepse largimi i trajnerit De Biazi nuk është i lehtë për tu menduar. Gjithsesi, unë i uroj Panuçit suksese, sepse të jesh në stolin kuqezi, është punë shumë e madhe. Ndryshe nga pozicioni që dikur ka qenë lojtar i madh, sot i duhet një menaxhim perfekt i të gjithë elementëve të cilët ai beson nga ndeshja në ndeshje. Ndoshta edhe vetë Panuçi këtë e ka të qartë, sepse sot Shqipëria nuk mund të quhet më një Kombëtare e vogël.

Nesër (sot) do të luajmë ndeshjen me Litehshteinin, si mendoni se ka qenë përzgjedhja e Panuçit në futbollistët që ka grumbulluar për të dyja sfidat?
Gjithçka është zgjedhja e tij, dhe është ai që është bazuar në idetë e tij në këta 23 të grumbulluar. Besoj se është bazuar te forma që ka secili, duke ju referuar ndeshjeve që kanë luajtur me skuadrat e tyre, te minutazhi që ata kanë nga ndeshja në ndeshje. Sezoni sapo ka nisur, e besoj se të gjithë do të kenë kondicion të mirë fizik.

Duke ndjekur situatën e sulmuesit Sadiku që ndjehet i pamundur fizikisht, mos ndoshta u nxitua Panuçi me përjashtimin e Cikalleshit?
Më ka bërë shumë përshtypje vendimi që morri Panuçi me përjashtimin e Cikalleshit, sepse duhej të tregohej pak më i matur. Një disiplinë e tillë e hekurt ndaj arsyes, nuk më duket se ka një mirëkuptim e bashkëpunim me lojtarët, ndër të cilët edhe Cikalleshi është i veçantë. Ja si ndodhi tani që Sadiku është i pamundur dhe rrezikon formacion, këtë duhet ta kishte menduar trajner, pastaj të merrte atë vendim.

Nesër (sot) me Litehshteinin, është koha për të aktivizuar elementë të rinj?
Patjetër që po, sepse ne nuk pretendojmë të shkojmë në finalet e Botërorit, dhe një aktivizim më i gjerë do të krijonte një skuadër më solide për eliminatoret e Evropainit 2020. Duhen testuar lojtarë, por edhe pikët duhen, dhe në dy ndeshjet e radhës janë të mundshme 6 pikë.

Si ish-mbrojtës në Kombëtare, cilët lojtarë do të vendosnit në këtë repart për të dy sfidat” me Litehshteinin dhe Maqedoninë?
Panuçi besoj se do të jetë fanatik i “katenaços” italiane me mbrojtjen (mbrojtje e përforcuar). Unë do ta mendoja mbrojtjen ndryshe në secilën prej ndeshjeve. Me Litehshteinin do të preferoja me 3 mbrojtës në vijë, ndërsa me Maqedoninë me 4 mbrojtës, sepse është një ndeshje më e hapur.

Veç mesfushës që duket më e përcaktuar, me portën dhe sulmi, si mendoni se duhet vepruar në të dyja ndeshjet?
Për portën unë jam kategorik, Strakosha duhet të jetë titullar. Le t’i referohemi vetëm ndeshjes së Superkupës së Italisë, ku Lacio e fitoi ndaj Juventusit, më shumë falë pritjeve dhe formës së mirë të tij. Ndërsa sulmi duket më i komplikuar, e besoj se Panuçi do të shfrytëzojë aftësitë e mesfushorëve të krahut, në ndihmë të sulmit.

Si i parashikoni rezultatet në të dyja këto ndeshje?
Kombëtarja jonë është më larta nga të dy kundërshtarët e radhës, dhe me Litehshteinin nuk duhet menduar tjetër rezultat veç fitores. Edhe me Maqedoninë, fitorja është e mundshme, por aty duhet të mundin edhe ata racistë që do të jenë në shkallët e stadiumit, sepse tifozeria shqiptare nuk mendoj të jetë shumë e pranishme si në stadiume të tjera.

Ju mendoni ndonjë incident në Strumicë në ndeshjen Maqedoni-Shqipëri?
Ne asnjëherë nuk kemi qenë shkaktarë të incidenteve, por në Strumicë duhet të ruhemi nga provokimet, që te skuadra në fushë dhe te tifozët që do të marrin këtë rrugë të gjatë për ta ndjekur ndeshjen më 5 shtator.
Panuçi besoj se do të jetë fanatik i “katenaços” italiane me mbrojtjen (mbrojtje e përforcuar). Unë do ta mendoja mbrojtjen ndryshe në secilën prej ndeshjeve. Me Litehshteinin do të preferoja me 3 mbrojtës në vijë, ndërsa me Maqedoninë me 4 mbrojtës, sepse është një ndeshje më e hapur
2 ndeshje
Kaq herë është ndeshur Shqipëria me Litehshteinin, 1 miqësore dhe 1 ndeshje zyrtare, të dyja i ka fituar me rezultatin 2-0