Salihi, gol fitues në Kinë

587
Sigal

Sulmuesi shkodran vazhdoi traditën e vjetër, duke dëshmuar se dashuria e tij e madhe janë golat

Sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi, vërtetoi edhe njëherë se dashuria e tij më e madhe është goli. Ish-lojtari i Vllaznisë, por dhe i DS Junaitid, ka shënuar përsëri në kampionatin kinez. Në fakt, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare shumë shpejt e kaloi ekipin e tij Jiangsu Sainty në avantazh ndaj miqve të Guangzhou R&F. Ai realizoi qysh në minutën e 11-të të takimit, rezultat ky me të cilin u mbyll edhe pjesa e  parë. Në pjesën e dytë skuadra e shqiptarit realizoi edhe një herë, për ta bërë këtë fitore më bindëse. Me këtë gol të shënuar Salihi arrin ne kuotën e katër golave të shënuara ne shtatë ndeshje te zhvilluara deri tani derisa Jiangsu Sainty ngjitet në  pozitën e 11-të në kampionatin kinez me 8 pikë. Sulmuesi shkodran është shënuesi më i mirë i ekipit të tij, duke rezultuar një blerje efikase. Para pak ditësh, sulmuesi shkodran shënoi golin e fitores 2-1 të skuadrës së tij kineze, Jiangsu Sainty, ndaj japonezeve të Vgalta Sandai, por fatkeqësisht ai gol nuk e ndihmoi ekipin për t’u kualifikuar më tej në Ligën e Kampioneve të Azisë. Edhe skuadra japoneze u eliminua. Ky ishte takimi i fundit në grupin E, ku skuadrës së sulmuesit kuqezi i nevojitej patjetër fitorja për t’u kualifikuar, por barazimi i Buriramit i siguroi këtij të fundit biletën për në raundin tjetër. Ndeshja pati shumë emocione, madje të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga dhjetë lojtarë. Sulmuesi i Vegalta Sandait, Uilson, u largua me karton të kuq për shkak të një faulli të rëndë ndaj Salihit, me shqiptarin që u godit keq në kavilje. Sendai mori kryesimin në minutën e 24-t, kur Sugai shënoi me kokë pas një krosimi të shkëlqyer të Kojit Haçisukës. Liu i Jiangsu barazoi rezultatin me një gjuajtje nga 25 metra, duke mposhtur Takuto Hajashin, shtatë minuta nga përfundimi i pjesës së parë. Goli i Salihit u shënua në minutën e 62-të. Shkodrani mori një top të gjatë nga mesfusha e skuadrës së tij, duke qenë në limitet e pozicionit jashtë loje, dhe pasi u lirua nga mbulimi i mbrojtësi me një galopim të bukur shënoi golin e fitores, duke e bërë të pavlefshëm ndërhyrjen e Hajashit. Ashtu si zakonisht, Salihi festoi në këndin e fushës, duke nderuar i ushtarak me shkopin e flamurit të këndit të mënjanuar në 45 gradë. Për sulmuesin e Kombëtares, autorin e golit të fitores madhështore ndaj Norvegjisë, ky ishte goli i tij i dytë në Ligën e Kampionëve të Azisë, pas atij në humbjen 5-1 me koreanojugorët e Seulit, e që përkoi me ndeshjen e tij të parë me klubin kinez. Gjithsej, me fanellën e skuadrës kineze të Jiangsu Sainty, Salihi ka shënuar 7 gola: 4 në kampionat, 2 në Ligën e Kampioneve dhe 1 në Superkupë, madje goli i tij i siguroi ekipit edhe trofeun e parë në këtë sezon, të arritur ndaj kampionëve të Evergrande Guanzhout të udhëhequr nga i famshmi Marçelo Lipi.

 Mavraj: “Qëndroj te Furthi”

 Mërgim Mavraj është i gatshëm të qëndrojë te Greuther Furth

dhe ta ndihmojë skuadrën e tij të rikthehet në ligën e parë. Pas vetëm një sezoni në Bundesliga 1, Furth u bë skuadra e parë që ra pa përfunduar ende kampionati dhe shumë lojtarë janë përmendur për transferime të mundshme në skuadra të tjera. Një prej tyre ka qenë edhe Mavraj, i përfolur si objekt dëshire nga

Mainci dhe Shtutgarti. Për këtë arsye, rreth tij ka pasur edhe pakënaqësi nga ana e tifozëve, duke akuzuar për mungesë impenjimi maksimal. Megjithatë, Mavraj ka deklaruar se është gati të rinovojë kontratën dhe të qëndrojë. Por, kapiteni

ka shtuar edhe se deri tani klubi nuk ka folur me të, për të diskutuar rreth të ardhmes.

KUNDËRSHTARI I KOMBËTARES

Ris jep dorëheqjen nga Norvegjia

 Kombëtarja norvegjeze nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e mbrojtësit të majtë, Xhohn Arne Rise kundër Shqipërisë.

Kjo pasi mbrojtësi ka vendosur të hënën që t’i jap fund eksperiencës së tij me përfaqësuesen nordike. Norvegjia është e katërta në kualifikimet për Botërorin 2014 dhe gjendet në Grupin E, pjesë e të cilit është edhe Kombëtarja Shqiptare me të cilën do të ndeshet në Tiranë me 7 qershor. “Pas shumë mendimesh, kam vendosur të mos vazhdoj më me futbollin ndërkombëtar. Po shkoj drejt përfundimit të karrierës dhe jam në një moshë kur duhet ta marr një vendim definitiv, nëse dua ta arrij synimin tim, të luaj edhe 4-5 vjet në Evropë”, deklaroi ish futbollisti i Liverpulit për mediat nordike. Ai deri tani  ka zhvilluar 110 ndeshje me Norvegjinë, ndërsa kishte debutuar me Islandën në vitin 2000. Ai e kishte fituar Ligën e Kampionëve me Liverpulin tetë vjet më parë, derisa është pjesë e Fulhamit qe dy sezone. Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen e respekton vendimin e Ris dhe e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin që kishte gjatë kohës sa e veshi fanellën e vendit të tij.

 Shuhet Harun Dojaka, profesori i volejbollit

 Harun Dojaka, profesori i njohur i sportit të volejbollit ka ndërruar jete ditët e fundit. Dojaka njihej nga komuniteti i volejbollit, si një njeri i përkushtuar dhe i palodhur, i cili me pasionin e tij punoi  për shumë vite me radhë pranë ekipeve më të mira të volejbollit për femra në vendin tonë. Do ta kujtojmë me shumë respekt volejbollistin e palodhur  dhe trajnerin  e përkushtuar dhe pasionant, mikun, shokun e mësuesin tonë  të  paharruar. Si sportist në disa lloje disiplinash sportive ai është dalluar për vullnetin e karakterin e tij të forte. Në sportin e volejbollit ai si një nga lojtarët kryesorë të ekipit Tirana është seleksionuar dhe ka marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare me ekipin kombëtar të volejbollit për meshkuj. Haruni për aftësitë e tij profesionale arriti të ishte një nga trajnerët e parë të volejbollit cilësor për femra. Ai për shumë vite ka punuar si trajner pranë ekipeve Tirana dhe Dinamo, duke qenë nga trajnerët e parë që hodhi themelet e këtyre ekipeve. Ai ka qenë një seleksionues i përkryer në përzgjedhjen e volejbollisteve të reja dhe shumë lojtare të seleksionuara prej tij kanë arritur të jenë lojtare kryesore të ekipeve Tirana dhe Dinamo, si dhe të ekipit kombëtar. Prof. Haruni i takon brezit të njerëzve të përkushtuar të sportit që sollën në pallatet e sportit e fushat sportive atë pasion, disiplinë e kërkesë të domosdoshme në respektimin e rregulloreve, që punuan aq shumë për  forcimin e miqësisë  ndërmjet  lojtarëve, trajnerëve e gjyqtarëve, si dhe  për  përhapjen e zhvillimin e volejbollit në gjithë Shqipërinë.