Flet Dhori Prifti, emblema e gjykimit të futbollit shqiptar

942
Sigal

Niveli i gjykimit është në simbiozë me nivelin e kampionatit

Futbolli për gjyqtarin e mirënjohur do të ishte bashkudhëtar për më shumë se 32 vjet. Fillesat zyrtare do të ishin në vitin e largët 1962, por ato “informale” shënohen edhe më herët kur vogëlushi do të aktivizohej me klasat sportive. Trajneri i mirënjohur Spiro Koça do të vlerësonte qetësinë dhe cilësitë pozicionale duke e graduar qendërmbrojtës në ekipin e të rinjve të “Skënderbeut”. Me statusin e liderit do ta kryente këtë “detyrë” duke tërhequr vëmendjen e trajnerit Ilia Shuke që përpos se do ta afronte tek ekipi i të rriturve, do të bëhej “menaxher” i futbollistit duke u interesuar që ushtrinë ta bënte në një ekip sikur ishte ai i “5 Shtatorit”. Në 25 Dhjetor 1969 do të niste ushtrinë në Skrapar dhe në fillim të vitit 1970 do të vihej nën urdhrat e trajnerit Sabri Dyli. Në kujtimet e tij gjyqtari ndërkombëtar veçon mikpritjen dhe vlerësimin që ka marrë nga skraparllinjtë. Në ekip ishim një familje e madhe. Ashtu sikur edhe kolegët e tjerë, qendërmbrojtësi ka të shënuar në memorie takimet që “5 Shtatori” luante me “22 Tetorin” e Poliçanit. – Ishte koha kur Poliçani kishte në përbërje futbollistë nga Partizani dhe urdhëresa ishte që duhej të dilte në kategorinë e parë. Mbaj mend që mes tensionit dhe fair play ngaherë kemi fituar me Poliçanin, ishin fitoret të arritura me luftë dhe vështirësi – tregon Dhori. Edhe pse ishte qendërmbrojtës në aktivizimet e tij ai ishte specialist i goditjeve standard. Tifozeria skraparase ka të memorizuar atë gol, të 15 Nëntorit 1970, me Shkumbinin 1-0, kur nxori nga arkivi atë gol fantastik të shënuar nga këndi. Mbas ushtrisë karriera e qendërmbrojtësit do të vazhdonte sërishmi te “Skënderbeu” ku përsëri do ta “priste” kumbari i tij trajneri Ilia Shuke. Aktivizimi me “Skënderbeun” do të ishte i kufizuar për vetë cilësinë e ekipit korçar në atë kohë. Ironia do të ishte e pamëshirshme teksa në stërvitje futbolli, duke luajtur basketboll në vitin 1974 do të dëmtohej aq rëndë sa do t’ia ndërpriste karrierën, por jo ta ndante nga futbolli. Do të niste një karrierë tjetër që do të ishte nga më të suksesshmet në vend. Në vitin 1976 do të niste “zanatin” e gjyqtarit që shumë shpejt do ta bënte një nga gjyqtarët më të mirë të vendit. Si askush tjetër 90% të ndeshjeve të kategorisë së parë do të gjykoheshin nga Stema “Dhori Prifti”. Profesionalizmi dhe drejtësia në gjykim do të bënte që brenda një kohë të shkurtër të kapte kategoritë maksimale të gjykimit duke merituar edhe atë të Gjyqtarit Ndërkombëtar. Me një eksperiencë prej 18 vitesh korçari i bilbilit do të bëhej emblema e gjykimit të futbollit shqiptar dhe jo vetëm. Kur mbushi 45 vjeç, atëherë kur i duhej më shumë se kurrë gjykimit të futbollit do të respektonte ligjin e kufirit të moshës duke i dhënë fund karrierës brilante në drejtësinë futbollistike. Do t’i “varte” këpucët në gozhdë në vitin 1994 atëherë kur do t’i jepte lamtumirën drejtësisë së futbollit.

1962 -1966 “Skënderbeu” të rinjtë

1967 -1969 “Skënderbeu”

1970 – 1972 “5 Shtatori”

1973 -1974 “Skënderbeu.

1976 – 1994 Gjyqtar futbolli

Në intervistën që Telegraf bëri me ndërkombëtarin e gjykimit ai do të jepte mendimet e veta duke gjykuar se gjykimi ka të njëjtin nivel me kampionatin,

1-Si është niveli i gjykimit sot në vendin tonë?

Problemi i gjykimeve është si tip postulati. Ashtu sikur është niveli i kampionatit ashtu është edhe gjykimi, sepse ato janë në simbiozë dhe e detyrojnë njëra-tjetrën të jenë në të njëjtin nivel. Një kampionat i fortë e çon vetiu edhe gjykimin te ndershmëria, se nuk lejon kënd të tallet.

2-Ku është ndryshimi me kohën tuaj?

Ndryshimi…, së pari, dua të them se në kohën tonë përpos përgatitjes teorike që të arrije të gjykoje në nivele të larta duhej një “stazh” shumë i madh. Gjyqtarët ishin të detyruar të respektonin hierarkinë e kohës. Me patjetër duhet ta filloje nga moshat dhe mbas një periudhe të konsiderueshme në nivele të ulëta gjykimi, merrej në konsideratë opinioni i kolegjiumit për të vazhduar më tej. Kolegjiumet e rretheve kanë qenë shumë cilësore dhe nuk ishte e lehtë ta merrje miratimin pa e merituar atë. Kishte shumë kandidatë për të gjykuar rrjedhimisht kishte edhe konkurrencë.

3-Gabimet e gjykimit janë të rastësishme apo të qëllimshme?

Mendoj se në shumë raste janë pasojë e paaftësisë. Teknologjia e sotme të ka në skaner dhe nga kjo nuk mendoj se ka gjyqtarë që kërkojnë të gabojnë me qëllim sepse djegin karrierën e tyre. Gjithsesi unë i mëshoj prapë asaj që të bëhesh gjyqtar futbolli dominante është eksperienca, praktika, sepse është ajo praktikë që të familjarizon me lojën dhe të shkarkon nga presioni si i futbollistëve por edhe i tifozerisë.

4-Liga e disiplinon gjykimin?

Formimi i Ligës, padyshim është një risi, që tek e fundit është e provuar dhe ne e marrim të gatshme si draft dhe si metodë zbatimi. Nëse kjo Ligë do të jetë e “vërtetë” dhe do të krijojë pavarësi nga FSHF, atëherë patjetër do jetë një risi, sepse do jenë vetë presidentët (Liga) që do të përzgjedhin gjyqtarët dhe, pse jo janë këta që do kërkojnë që gjyqtarët të jenë sa më profesionistë dhe të drejtë. E shikoj si hap zhvillimi, jo vetëm në cilësinë e gjyqtarëve, por edhe në organizimin e kampionatit.

5- Gjyqtarët a janë nën presionin e presidentëve?

Është një dukuri që nuk mund të mohohet. Vëreni aty ku ekipet janë në varësi të bashkisë edhe penalizimi është më i madh nga gjyqtarët. Rastet e Tiranës dhe të Vllaznisë nuk janë sporadike, por iu mungoi ajo mbështetja “intimiduese” e presidentëve, pa morën edhe këtë kosto. Normal në kushtet e interesave të mëdha financiare edhe presioni do jetë evident, por jo sa të tjetërsojë garën. Një nga “punët” që bën Liga është edhe kjo që miraton gjyqtarët e ndeshjeve brenda familjes. Ne patëm idealizmin në gjykim, tani është tjetër. Joshja financiare është “armik” i drejtësisë, prandaj duhet të fillojë vetingu edhe te kjo kategori gjyqtarësh.

6-Çfarë mendimi keni për nivelin e kampionatit dhe për Skënderbeun?

Po u mësuam me një Skënderbe të parin e kalorësve. Zgjidhja e problemit të Skënderbeut do ta ngrejë edhe më lart cilësinë e futbollit. Këtë vit më duket se ka më shumë rivalitet. Përfitimet financiare kanë filluar t’i ndiejnë të gjitha ekipet dhe kjo i bën që ta vlerësojnë më tej kampionatin, por kam frikë se tani fillon dhe rrjedh kampionati.