Problemi që e ka emrin “Facebook”, ja çfarë ndodhi me Stivi Frashërin

463
Kur je person publik, që njihesh nga të tjerët, për më tepër kur je futbollist, rrjetet sociale mund të përbëjnë një problem të madh. Ashtu siç ndodhi edhe me Stivi Frashërin, portierin e Tiranës që është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të gabimeve që bëri gjatë ndeshjes me Partizanin, ku bardheblutë humbën derbin e dytë radhazi ndaj Partizanit. Ditën e djeshme u vu re në profilin e Facebook-ut të Frashërit një shpërthim aspak dinjitoz ndaj krerëve të klubit, pasi portieri nxori “helm” ndaj drejtuesve të ekipit të tij nëpërmjet një postimi në Facebook, ku nuk ka ngurruar që të shajë stafin drejtues të Tiranës, duke i akuzuar këta të fundit se nuk sillen shumë mirë dhe përdorin fjalë ofenduese ndaj tij. E gjitha kjo nisi pas postimit të një fotoje ku Frashëri ishte futbollist i Bylisit dhe aty kanë filluar edhe komentet që e “ngacmuan” disi futbollistin duke bërë që ky të kundërpërgjigjej ndaj të gjithëve duke shprehur haptazi mendimin e tij në lidhje me situatën që po kalon tek Tirana dhe faktin se tek ky klub nuk vlerësohet talenti i tij, duke sjellë një pështjellim të madh tek mediat në vend, pasi sigurisht të gjithë filluan të “analizonin” një sjellje të tillë të futbollisti. Por, pasi ka kaluar pak kohë, në një tjetër postim, Frashëri ka zbuluar se kanë keqpërdorur profilin e tij dhe kanë shkruar në emër të tij gjëra që ai nuk i mendon, e në lidhje me këtë ka kërkuar falje, duke e përfshirë në këtë falje edhe gafat që bëri në ndeshjen ndaj Partizanit. Se sa është e vërtetë kjo situatë nuk dihet, se a është e vërtetë se nuk e ka shkruar vetë atë koment mbi drejtuesit as kjo nuk dihet, por gjithsesi përbën problem për futbollistin nëse ka qenë i detyruar që të kërkojë falje, gjithsesi kjo është diçka që nuk mund të vërtetohet, të paktën jo më, e ajo që mbetet për tu thënë, në bazë të fakteve, është se duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje sigurisë së emrit dhe figurës së tyre, duke nisur edhe nga siguria e rrjeteve sociale që mesa shihet, mund të prishin shumë punë po u keqpërdoren. 
Elseid Hysaj më pranë Interit se kurrë, zikaltërit shfaqin interes
Një ëndërr që po bëhet realitet, kjo është me shumë mundësi historia e 21 vjeçarit të kombëtares sonë, Elseid Hysaj, që aktualisht aktivizohet për Empolin dhe ka bërë paraqitje fantastike deri më tani, aq sa ka rënë në sytë e trajnerit Mançini, që duket se e sheh mbrojtësin si “pjesëzen” e duhur për të plotësuar atë vend bosh në skuadër. Futbollisti i përfaqësues shqiptare e ka shprehur shpeshherë se një ditë dëshiron të luajë për skuadrën e tij të zemrës, Interin dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Hysaj në merkaton e ardhshme mund të transferohet pikërisht në radhët e klubit zikaltër. Është vetë menaxheri i Hysajt, italiani Marco Piçioli, i cili zbuloi për mediat italiane interesimin e Interit për talentin. “Mendoj se Elseid është një nga futbollistët më të mirë në rolin e tij në Serinë A, ai po tregon vlerat e tij edhe me përfaqësuesen shqiptare dhe është mëse normale që për të të interesohen klubet më me emër italiane”- deklaroi menaxheri i 21-vjecarit. “Hysaj po zhvillon një sezon të madh dhe mund të përmirësohet akoma edhe më shumë në të ardhmen” vijoi në fjalën e tij Marco Piçioli. Në lidhje me merkaton menaxheri i futbollistit shqiptar theksoi se është e vërtetë që Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio ka shfaqur interes për klientin e tij, megjithatë Piçioli shtoi se për Hysajn po lëviz dhe Lazio por edhe disa klube gjermane. Gjithsesi ky i fundit e mbylli intervistën e tij duke deklaruar se Interi mbetet prioriteti i Elseidit pasi që i vogël ai ëndërron të mbajë veshur fanellën e klubit zikaltër.
Faruk Sejdini, arsyeja pse Dinamo u kthye tek fitorja ndaj Sopotit
Një nisje më e mirë nuk mund të vinte për Dinamon nën drejtimin e Sejdinit që sapo vuri këmbë në drejtimin e klubit të tij arriti që të merrte një fitore shumë të vyer ndaj Sopotit, fitore që vlen, tani për tani, të largojë frikën për rënien e një kategorie më poshtë, duke u shfaqur kështu më fuqishëm në renditje dhe në pozitën e fituar. Fitorja ndaj Sopotit, ndër të tjera, vlen edhe për faktin e qendrës së trajnimit dhe “zhurmës” që bënë me Sopotin pak ditë më parë, diçka që u bë publike në mënyrë të shpejtë. Duke lënë mënjanë këto situata, Dinamo tani shfaqet më bindëse si skuadër dhe ndoshta prania e trajnerit Sejdini po fillon të japë “efektet” e veta, ku në këtë rast fitorja ishte më e mira e mundshme për blutë e kryeqytetit. Nga ana tjetër, një nisje ecuri perfekte po bën edhe Tërbuni, që akoma heziton që të provojë humbjen e parë, duke fituar pothuaj në çdo ndeshje, përjashto disa barazime. Edhe në takimin e shkuar arriti që të fitonte bindshëm me Veleçikun, duke u bërë kështu “tmerri” i grupit A. Nuk mbetet pas as Besëlidhja që ka bërë goleadë ndaj Adës, duke shënuar plot 6 herë në portën e velipojakëve. Edhe fitorja që arriti Lushnja ishte padyshim mjaft e vyer për kryesuesit, që në këtë mënyrë nuk lëshojnë pe ndaj ndjekësve më të afërt, duke u bërë kështu një farë prite ndaj të gjitha ekipeve që e ndjekin. 
Grupi A
Terbuni 5-0 Veleçiku
Besëlidhja 6-0 Ada Velipojë
Mamurrasi 1-0 Kastrioti
Burreli 4-1 Besa Kavajë
Iliria 2-0 Kamza
Grupi B
Lushnja 2-1 Naftëtari
Bylis 1-0 Luftëtari
Butrinti 2-1 Shkumbini
Sopoti 0-1 Dinamo Tirana
Tomori 3-0 Pogradeci
Rudi Vata mund të rikthehet tek Seltik Glasgou, por këtë herë si drejtues
Një karrierë e shquar si futbollist tek Glasgou, por edhe ajo e trajnerit duket se troket në derën e Rudi Vatës po për këtë skuadër. Vetë Vata ka deklaruar se i kanë ofruar një post drejtuesi dhe ia po e mendon këtë ofertë, duke shqyrtuar padyshim çdo mundësi: “Po punoj si analist në televizionin e Sëlltikut në një emision sportiv natyrisht. Ndihem komod, pasi bëj një punë, në të cilën e ndiej veten mirë. Kam raporte shumë të mira me drejtuesit aktualë të Sëlltikut, të cilët, me shumë modesti e them, më kanë edhe ofruar që të punoj në klub. Të kem një post si drejtues te Selltiku? Po e marr në konsideratë si ofertë, por ende nuk kam vendosur, pasi jam mësuar të jetoj mes Skocisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, pra, të jem pak a shumë i lirë në punën dhe impenjimet e mia. Gjithsesi, të shohim…”, ka saktësuar Vata. Në rast se Rudi Vata do të pranojë angazhimin te Sëlltiku, duke pasur parasysh edhe faktin se ai punon prej vitesh edhe si menaxher futbollistësh, dy kuqezinjtë që ai do tentojë t’u veshë fanellën e klubit skocez janë Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj. Që të dy këta lojtarë pëlqehen shumë nga Vata, pasi, sipas tij, janë të aftë që të përshtaten shumë shpejt me futbollin skocez. 

Legjionarët
Shkëlqen Lila por jo Parma, Balaj tashmë lojtar kyç tek Rijeka
Një javë e mirë kjo për futbollistët e Kombëtares shqiptare që janë bërë kështu lojtarë kyç tek ekipet e tyre duke dhënë paraqitje mjaft të mira, diçka që ndikon pozitivisht edhe tek skuadra kombëtare pasi futbollistët janë të përgatitur fizikisht para ndeshjes me Armeninë.
Andi Lila-Parma- Kavajasi ka shënuar dje për Parmën e tij, duke dhënë kështu një paraqitje mjaft të mirë, por që për fat të keq nuk ka mjaftuar vetëm ai që Parma t’i rikthehej fitores pas gjithë asaj periudhe të keqe që kaluan, dhe po kalojnë, për shkak të falimentimit të vetë shoqërisë. Parma luante ndaj Sasuolos, ku këta të fundit kanë arritur të fitojnë 4-1, rezultat i thellë ky që jep disi pamjen e vërtetë të gjendjes së ekipit. Kur shënoi golin, Lila për kënaqësinë e tij dhe të të gjithë shqiptarëve ka bërë festimin, tashmë të famshëm, si shqiponjë, duke vendosur kështu dy herë vulën e tij në atë gol të shënuar.
Bekim Balaj-Rijeka, çdo ditë e më shumë po e vë veten në pozitat e sulmuesit të parë për Rijekën, ku edhe dje ia doli që të shënonte përsëri duke treguar kështu javë pas jave përmirësim në lojë dhe sigurisht përshtatje me ekipin e tij. Dje ishte Balaj ai që hapi serinë e golave të tjerë, ku Rijeka fitoi 4-0 ndaj ekipit të Zadarit, e me këtë rezultat vazhdon të jetë e pozicionuar në vendin e dytë të renditjes, ku para ka Dinamon e Zagrebit, por është shumë larg me 12 pikë më shumë.
Sigal