IllO FOTO/ Akademiku Mentor Përmeti, simbol i shkencës së bujqësisë moderne

595
Shkencëtar i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore, i tillë ishte Profesor Mentor Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në të tëra detyrat qe ju ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen. I ardhur nga një shtresë e kamur shqiptare, u bë përkrahës i zjarrtë i shtresave të varfra dhe të pa mbrojtura. Luftoi me armë në dorë kundër pushtuesit dhe fill pas luftës, ju përkushtua arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Republikën e Bullgarisë. Në punë e sipër u vetspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të prodhimit të gjerë. Ja kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit. Atdheun e dashur e gjeti në varfëri te tejskajshme dhe të lodhur nga lufta e pabarabartë 6 vjeçare. Ju përvesh punëve të ditës dhe të perspektivës. Për t’u konsoliduar arritjet, ju përvesh punës për themelimin e organeve shkencore dhe përgatitjen e specialistëve të lartë bujqësoro-mjedisor. Në Shqipëri funksionuan 18 institute kërkimore-shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike-teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm profesional ku përgatitej i gjithë kontingjenti i mjeshtërve të prodhimit, për bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim dhe pylltari. Në tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pa shlyera dora e akademik Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion, inteligjencë, erudicion të rrallë dhe mbi të gjitha, për modesti e punë me ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse. I konsideronte shokë dhe të barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i pa mëshirshëm me gabimet e specialisteve që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe përvetësimi i punës së tjetrit. Nuk kam takuar një specialist, mjeshtër prodhimi, shkencëtar dhe punëtor fushe që të ankohet për Mentorin për arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe djersën e vartësve me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati i pa varur. Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër këmbë, ose i dënonte padrejtësisht. Kishte besim tek shteti i fortë dhe i reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin për tema të mëdha ose të dorës së dytë, ka vene re se ai e ilustronte bisedën me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti, shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave, nga folklori, politika botërore, etj. Unë jam në moshë të shtyrë dhe një të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet një burrë i këtij niveli të shpenguar në ç’do lloj bisede, me burra, gra, të rinj dhe fëmijë të ç’do niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar që jam student dhe nxënës i përjetshëm i tij. Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa studentë dhe 3 pedagogë, i vendosën fletë rrufe, dacibao, e huajtur nga Revolucioni Kulturor Kinez. Diktatura kishte forma nga më të larmishmet të dënimit . 
Mentor Përmetin e emëruan kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë që nuk mund të përballohej nga një specialist që ishte ndarë nga praktika e prodhimit të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Europë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë, ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore dhe me perime, artikuj, që lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak të diskreditimit të politikës së partisë në pushtet. Organizimi i drejtimit të fermës në rrethin e Lushnjës kishte disa veçori nga sistemi homolog. Kryeagronomi kishte në varësi kryespecialistët e bujqësisë, blegtorisë, mekanikës dhe ndërtimit. Drejtori mbetej një person honorifik, ndërsa detyra e kryeagronomit ishte më ekspozuara ndaj kritikave të partisë në rreth dhe në qendër. Karrigia e këtij pozicioni pune, ishte thjesht një minë me sahat. Në këtë karrige, nomenklatura e lartë e uli Mentor Përmetin, për ta pasur në dorë dënimin përfundimtar të tij, sipas rrethanave që do të paraqiteshin dhe që vareshin kryekëput nga realizimi i treguesve ekonomiko- financiarë të ndërmarrjes gjigante. Kishte shkuar një veture Xing-Fu, për ta marrë kryeagronomin në Tiranë. Makina arriti me vonesë në Drejtorinë e Ndërmarrjes, aty nga ora 5 pas dreke. Unë e prita dhe i urova mirëseardhjen. Nuk më mbante mend nga jeta studentore. Makina ishte e ngarkuar vetëm me libra dhe një vazo e madhe me një fikus. Fikusi ishte sendi më i afërt i tij. Përfaqësonte botën bimore, qe ishte botë shumë e dashur e Mentor Përmetit. Bashkëshortja e tij, Nadja, me origjinë bullgare, ishte një ortake besnike e jetës së Mentorit. Në Lushnjë u miqësua shumë me njerëzit dhe u bë më lushnjare se vetë lushnjaret. Unë isha specialisti që kisha më shumë nevojë për ndihmën e kryespecialistit të “ri”, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam me një besim të ndërsjellë, të pa zakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë dhe besnikëri miqësinë që lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit. Një vit e gjysmë veprimtari, ferma nuk eci më përpara se sa e gjeti kryespecialisti i “ri”. Pati luhatje negative, sidomos në treguesit financiarë. Mjaftoi kjo, që të fillonte lumi i kritikave. Kritikat më të rënda vinin nga Komiteti i Partisë së ndërmarrjes . Në atë regjim, punën dhe përgjegjësitë i mbanin specialistët. Partia siguronte të ashtuquajturën udhëheqje të klasës, për të argumentuar sado pak dënimet e specialistëve. Pas krahëve te Mentorit, artikuloheshin këto kritika: “Kryespecialisti e ka harruar bujqësinë, është marrë me shkencën që numëron kokrrat e grurit. Këtu nuk duhen kokrra, por qindra tonelata me prodhime të ndryshme. Ai rri në parcelat eksperimentale që maten me metër katror, ndërsa fusha fillon në veri dhe mbaron në jug. Ferma po merret në qafë nga një njeri që ka bërë për vete të 300 specialistët, që flasin me një zë të vetëm. Sabotimi nuk ka brirë. Partia në qendër e ka prurë për dënim, por ai po saboton hapur”. Një pjesë të kritikave, filluan të thuheshin hapur nëpër mbledhje dhe analizat periodike të prodhimit. I vetmi që nuk reagonte me nervozizëm ishte kryespecialisti, Mentor Përmeti. Ai priste një rezultat tjetër. Për këtë ishin te bindur të gjithë specialistët që punonin ndershmërisht dhe pa orar, për të arritur atë që projektoi dhe po zbatonte në fushë, shkencëtari i madh dhe i qetë që kryente një mision dhe nuk e konsideronte punën angari, por mision në shërbim të Atdheut dhe popullit. Vitin e dytë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti, investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko-financiar, nuk ishte spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me një harmoni të pa ndërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht. Shkenca e kryeagronom Mentorit ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në teren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit kishte dhënë atë që pritej në gjithë ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend bënë revolucionin e plotë të prodhimit në drithëra, pambuk, luledielli, fasule e foragjere. Mentori u transferua në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë, e sollën në Tiranë, në Komitetin e Shkencës, një organizëm që e krijoi shteti komunist në mënyrë të sforcuar, për të ndaluar kolapsin ekonomik të shtetit që kishte filluar rrënimin në tërë sektorët ekonomikë. Në Institut dhe në Komitetin e Shkencës, Mentorin e takoja rregullisht, për t’u çmallur me të dhe për të këmbyer mendime për politikat bujqësore që po zbatoheshin. Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4 orë në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte në Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur nga fakti se specialistët po largoheshin nga vendi, por më vonë u detyrua të largohej dhe ai vetë. Brengosej me disa zhvillime të Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të pa parë në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për frymë si dhe në zhvillimin spontan dhe shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me devocion të lartë, për më shume se një dekadë që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e invalidit. Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën që ne i dhamë gjithçka kishim nga vetja. ” Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj, me lehtësohen plagët e sëmundjes”, i tha njerëzve që ishin në bisedë. Ishte shumë i brengosur që të gjitha qeveritë e tranzicionit gjetën mënyrën për t’ju shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të kullim- ujitjes. ” Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për 2 dekada nuk rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë? Me sa duket, këta lloj qeveritarësh nuk kanë ndërtuar asgjë vetë në jetën e tyre. T’i shmangesh kësaj përgjegjësie është tradhti” , shprehej ai. Në jehonë të shqetësimeve të Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion” . Këtu, përveç problemeve të tjera, kam nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit. Bujqësia e sotme shqiptare është shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më shumë se 200 mije ha tokë, kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik. Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë na i ka lënë te gatshme Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pa shfrytëzuara është e pa falshme. I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Ju bëftë varri dritë”!
Sigal