Enver Petrovci: “Daja” një film, ku dialekti ishte pjesa më e vështirë për mua

833
Sigal

PERSONAZH/ Flet aktori dhe pedagogu Enver Petrovci: Jeta artistike në Tiranë duhet të mbështetet nga politika

 Filmi i fundit artistik “Daja” i regjisorit Ilir Harxhi ka ngjallur shumë diskutime. Një film tejet interesant, emocional, me një subjekt që i përshtatet kohës që jetojmë dhe që nuk ka asnjë ekzagjerim. Skenaristi ka ruajtur subjektin nga zmadhimi apo mbivlerësimi i situatave duke përcjellë një ngjarje reale, që ka ndodhur jo pak herë në Shqipërinë postkomuniste. Daja nga Tirana (rol që e luan me mjeshtëri Enver Petrovci), është një burrë babaxhan, tipik tiranas i vjetër. I shëndetshëm, i qetë, i afruar me njerëzit, mirëbërës, dorëlëshuar por edhe punëtor i madh. Ai ka disa vjet që ka ngelur i ve dhe pa fëmijë dhe vazhdon atë pasion të qoftexhiut tipik tiranas, profesion që se zëvendëson me asgjë. Punon me orar të zgjatur, se tek puna ai shmang brengat e jetës. Është një burrë tradicional. Në vitet e para të demokracisë ai ndihmon nipin, djalin e mors të emigrojë në Greqi. Për vite të tëra nipi hesht. Por papritur ai dërgon tek Daja një zarf me foto, ku brenda kishte dhe një zarf për bashkëpunëtorin e tij. Hapen zarfet dhe daja me bashkëpunëtorin shkëmbejnë fotot. Nipi mes femrash, mes gëzimit, jetës së qefit, që fton dajën në Greqi. Daja tundohet. Shkon bashkë me bashkëpunëtorin në Greqi. Tundohet nga femrat e bukura. I dëshiruar pas femrave dhe qejfit të rastit ai pinë disa viagra Bie në kllapi. Nipi mendon se vdiq dhe problemi është si ta kalojnë në Shqipëri pasi kalimi me morg ka shpenzime. Këtu nis një odise tjetër ajo e korrupsionit në Shqipëri…

 Ju kohët e fundit ishit në rolin kryesor të një filmi artistik, ku kishit rolin e Dajes nga Tirana, Çfarë përbën për ju ky rol?

 Unë në fillim nuk e pranova me kënaqësi këtë rol, pasi kishte të bënte me dialektin. Ka shumë aktorë të tjerë që janë rritur këtu dhe nuk e kanë shumë problem dialektin. Eksperienca ime më ka treguar kështu, se është më e lehtë ta thuash një tekst, në gjuhë  të huaj, që se ke fol kurrë, ose e flet pak, se sa në një dialekt të veçantë brenda një gjuhe. Ne jemi mësuar me dialektin tonë dhe është shumë e vështirë të ndërrosh dy apo tri germa  brenda një fjale në dialekt se sa të mësosh një gjuhë të re. Por ën fakt ishte këmbëngulja e regjisorit Ilir Harxhi, duke më thë se mundesh, mundesh ta realizosh Dajën e Tiranës. Dhe në fakt të gjithë kolegët e tjerë ishin tiranas, flisnin atë gjuhë që ma lehtësuan deri diku këtë mësimin e saj me veçori në theks. Me ndihmën e tyre besoj se ja dola mbanë. Këta djem që punova më thanë se në film, ja dola po aq mbarë sa tironcit e vërtetë. Kjo më gëzon.

 Ju dhe në veshje dhe në gjuhë  përcollët tek spektatori tironcin e vërtetë, tipik. Në momente të caktuara nuk gabove që të dilje tek vetja ose si daja si kosovar?

 Unë nuk kam luajtur Dajan, apo tironcin si karakter, por kam luajtur tironcin (si i thonë këtu) si dialekt. Pra dialektin e tyre. Mirëpo karakterin e kam gjetur  në mardhëniet me të tjerët. Ka si Daja shumë njerëz,  në mesin e shqiptarëve. Këta njerëz, kur mbesin pa grua, pa fëmijë, sakrifikohen për nipër, mbesa apo kushërinj. Punojnë, bëjnë mirë dhe harrojnë veten. Në këtë rast  Daja është tipik, bamirës, i dashur, njerëzor, korrekt që i përkushtohet të afërmve dhe investon për nipin që të ikë jashtë shtetit, vetë Daja është i ve, pa fëmijë. Ai i lidhur me punën ka harruar jetën e tij private. Pra këtë kam  nxjerr unë në rol.

 Ku ishte vështirësia në këtë rol?

E theksova tek gjuha, tek teksti. Ishte shumë i vështirë teksti për mua me këtë dialekt. Unë kam një  të keqe dhe një të mirë. Kur marr një rrol, futem me idenë mendimin dhe dëshirën se unë këtë rrol e bëj më mirë se kushdo në botë. Këtë e formoj bindje në vete. Madje kam këtë bindje se roli im do të jetë më i miri ën botë. Pa u futur me këtë bindje nuk mund ta realizoj rolin, apo nuk e nis rolin. Eci me bindjen se mua më shkon teksti, mua më shkon dialogu. Derisa Harxhi nuk më bindi në fillim, por me kohën ai  më bindi.

 Dhe ku punuar më shumë në këtë rol?

Unë në këtë rol kam punuar më shumë në tekst, pra në dialekt, të mësoja dialektin tironc të Dajës. Pra nuk punova në rol aq sa në dialekt. Dialekti  ishte pjesë e rolit, madje pjesa më e rëndësishme. Unë i jap shumë kujdes gjuhës. Ajo ka një ndjeshmëri të veçantë tek spektatori. Unë po kështu i kam dhënë nj rëndësi të veçantë gjuhës serbo-kroatishte, dhe dialektet e tyre po ashtu dhe dialektet kroato-boshnjake. Pra këto gjuhë duke pasur role, i kam mësuar shumë bukur, pasi u dhashë shumë rëndësi gjuhës.  Tashmë me këtë rëndësi po eci drejtë mësimit të gjuhës shqipe, gjuhës standrate.

 Pra, është një ëndërr?

Po e them me bindje se një ëndërr e jetës sime është që kur të ngjitem në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës me një rol, gjuha ime të tingëllojë më bukur se e çdo aktori tjetër shqiptar që luan në këtë skenë gjigande. Kjo është  ambicia ime, që gjuha ime shqipe të jetë më e bukura, e të gjitha kohërave. Kjo është ambicia. Ti thua mbase se arrij? Besoj se po. E kam detyrë brenda vetes.

 Kjo ambicie  është pjesë e asaj që keni disa vjet që si ndaheni Tiranës?

Mua Tirana më pëlqen madje shumë. Tirana ka edhe probleme pro probleme ka gjithkund. E ndjej veten të respektuar pasi njerëzit në Tiranë dinë si ta shprehin dashurinë. Kjo mua më mungon në Kosovë, por nuk më ka munguar dikur kur kam jetuar në Beograd. Por në Prishtinë kjo dashuri e pastër njerëzore më mungon. Këtu kam gjetur dashurinë tjetër, respektin e munguar, pasi të gjitha këto i ndjej të bëhen me dëshirë edhe ndaj familjes time.

 Jeta artistike në Tiranë a është e niveleve të metropoleve evropiane?

 Përsa i përket  njerëzve po, ndërsa porsa i përket qeverisë jo. Në një vend nuk mjafton vetëm te kesh artistë të mirë, pro duhet patjetër të kesh dhe një qeveri të mirë, që ta dojë dhe ta stimulojë artin. Këtu ka shumë artistë ët talentuar, në muzikë, balet, teatër, por pa mbështetjen e ligjeve të çdo qeverie në funksion të artit, këta do ngelen në hije.  Por jo vetëm qeveria por edhe çdo investim në drejtim të artit duhet të ketë lehtësime që jeta artistike të gjallojë. Kështu është në çdo vend Evropian. Pra kur qeveria nuk e mbështet dot në mënyrë të plotë artin, athere ai do gjejë një mënyrë tjetër që çdo investim tjetër që bën dikush për artin duhet tu lehtësohen taksat, pasi financojnë artin. Ose duhen të tjera ligje që e lehtësojnë biznesin që ndihmon. Psh jashtë kur bëhen filma koordinohen shteti me privatin në mënyrë ligjore për të bërë këtë investim kolosal. Nuk duhet të ketë konflikte mes artit kulturës dhe financimit. Ka shumë njerëz që duan ta financojnë artin, por nuk janë ligjet e përshtatshme që ta lehtësojnë këtë investim. Më këta artistë, me këto institucione, jeta artistike në Tiranë duhet te ketë dhe më shumë gjallëri, më shumë hapësirë. Tirana ka shumë avantazhe, ka shumë objekte që të impresionojnë. Në Tiranë ndihesh gjithmonë mirë dhe me një politikë të mirë arti do të marrë vendin që i takon.

 Ju në këtë film keni luajtur dhe në tokën greke, kishte ndonjë emocion të veçantë ky vend?

Unë kam luajtur në këtë vend dhe më parë, më herët madje në greqisht. Por nuk kam pasur ndjesinë e të qenit vetë, Unë në këtë film kam qenë me njerëzit e mi. Kam qenë i relaksuar, aq më tepër  që regjisori Ilir Harxhi, është marrë me të gjitha detajet e realizimit të filmit dhe ne nuk na ka munguar asgjë. Ne si ekip ishim të qartë dhe ne jemi ndjerë si në Shqipëri. Aty takuam shumë shqiptarë, kalonim mbrëmjet mes shqiptarëve, na shoqëronin shqiptarë dhe kështu ne ishim kudo në ambiente të mirëpritura. Kudo ku lëvizëm, asnjëherë nuk na ngacmuan, apo të na pengonin. Çdo gjë eci sipas planit. Në Greqi jemi ndjerë si në vendin tonë.