Dedin Suli: Panajot Kanançi, Agron Alia dhe Besim Zekthi, mbeten korifenjtë e koreografisë shqiptare

1158
Sigal

INTERVISTA/ Flet koreografi dhe shkrimtari Dedin Suli: Prek Jakova mësuesi i paarritshëm që më mësoi Moxart, Çajkovskin, Bethoven

Është lindur në qytetin e Shkodrës në një familje me tradita në fushën e artit. Në vitin 1951 filloi aktivitetin si valltar profesionist pranë Filarmonisë Shqiptare.  Mbas një aktivizimi të pandërprerë mësoi repertorin e vitit 1950-‘51,  “Vllazërimi i popujve” dhe “Shatërvani Bahçisarajt”. Në vitin 1951 ka marrë pjesë në “Flamuri i Paqes”, “Koncert Koreografik”, “Mbrëmje Baleti”.  Është autor i librave “Besim Zekthi korife i vallëzimit shqiptar”, 2004, “Agron Aliaj ”Artisti që thuri legjendë”, 2005, “Historiografia e Artit koreografik shqiptar” 2010, dhe “Artistë të shquar të interpretimit koreografik shqiptarë, 1950-2012”  (me 92 portrete).

 Ju keni qenë ndër valltarët e parë shqiptar, kur përkojnë fillimet e tua në interpretimin e valleve shqiptare si profesionist?

Unë kam filluar si valltar në vitin 1951 pranë filarmonisë shqiptare. Por unë që në fëmijëri e kam pasur pasion vallen, artin e koreografisë. Më 1946 kur babai im u transferua në Kukës, në klasën e katërt fillore u krijua një grup i valleve në këtë qytet, me një instrumentist, i cili ishte dhe valltar. Aty pashë për herë të parë se si kërceheshin vallet e bukura kuksiane. Kur mbaronim provat ne na jepnin me vete rrobat e valltarëve, kostumet . Unë ato këpucët me xhufkë, opingat e kërcimit, i veja poshtë jastëkut dhe i përkëdhelja natën. Aq shumë u dashurova me to. Aty filloi pasioni im për vallen. Në vitin 1947 u kthyem përsëri në Shkodër ku unë fillova mësim në shkollën “11 Janari”, ku kisha mësues muzike të madhin Prek Jakova.

Cila ishte e veçanta e mësimit të Prek Jakovës?

Ai merrte me vete disa disqe dhe gramafonin. Aty dëgjova Moxart, Çajkovski, Bethoven përveç mësimeve për të mësuar notat e muzikës. Këtu filloi pasioni për artin e kërcimit, artin pamor. Nëna ime me origjinë italiane më fliste shumë për muzikën, për artin e kërcimit, ajo më fliste shpesh dhe më veçonte një rast kur i ati e mori në pajton dhe e çoi për të parë “Kavaleria Rustikana” në Romë.  Më vonë unë fillova të shkoj në teatrin e Shkodrës si dhe grupin e valleve… Në vitin 1951 vij në Tiranë dhe kaloj në provë për kërcimtar, valltar, pranë Filarmonisë Shqiptare. Fitova. Aty kërceva shumë si “Shatërvani Bahçisarajt”. “Esmeralda” që janë balete ruse, ku ne na erdhi për të na mësuar rusi Prof. Xhoxhi  Perkun  dhe asistent ishte abc-ja  e koreografisë shqiptare, Prof. Panajot Kanaçi “Artist i Popullit”. Me Filarmoninë Shqiptare, atë kohë ne ishim pranë Teatrit Popullor, pasi shkëputja u bë në vitin 1957, ku në Teatrin Operës kaluam aty ku sot është Universiteti i Arteve. Kurse Ansambli Këngëve dhe Valleve qëndroi po aty në Teatrin Popullor. Pikërisht këtu filluam baletet e para të huaja, por dhe baletin “Halili dhe Hajria”, të Prof. Panajot Kanançit  si dhe baletet “Shote dhe Azem Galica”. Pas këtyre sukseseve Prof. Panajot Kanançi kaloi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve dhe ne vazhduam me baletmaestrin Agron Aliaj, i cili dha një seri shfaqjesh.

 Si do t’i cilësonit këto dy figura?

Këto janë figura të arrira, tepër të rralla të koreografisë shqiptare. Prof. Panajot Kançi ishte mësues i Agron Alisë që në fëmijërinë e tij.  Agroni mbasi mbaroi studimet jashtë erdhi me katër shokë të tij, në vitin 1957 duke i dhënë një shtysë të re operës shqiptare.  Në këtë kohë u dhanë shfaqjet e mësipërme nën drejtimin e Panajot Kanaçit. Unë kam qenë një kërcimtarë që bëja pjesë në gjithë këto shfaqje, por jo primobalerin. Por ata të dy, janë monumente të pazëvendësueshme të koreografisë shqiptare. Ata mbeten të pazëvendësueshëm pasi ishin të parët që hodhën themelet e koreografisë shqiptare. Vetë bota koreografike i ka vlerësuar ata. Panajot Kanaçi ka shoqëruar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në të gjitha koncertet në botë, ku kemi shkëlqyer. Shqipëria është njohur me këto valle, me këto përpunime të Ansamblit të Valleve. Ndërsa Agron Aliaj qysh student shkëlqeu në Rusi.

 Kush tjetër kërcimtar, ka qenë me ty në këto opera?

Këtu që kanë qenë në një kohë me mua Xhemil Simixhiu, Petrit Vorpsi, Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, të cilat kishin mbaruar shkollat në Rusi. Pra të gjithë kërcimtarët kishin talent, profesionalizëm, dhe shkollim të mirë.  Ata kanë lënë gjurmë në operën dhe vallet shqiptare.

 A vinin  udhëheqësit e kohës në këto shfaqje?

Vini, pasi flitej për artin e realizmit socialist. Dua të them se shteti investonte shumë për Operën dhe për Ansamblin e Valleve. Kishte shumë aktivitete, thuajse tërë javën. Aktivitete shtriheshin në kohë. Nuk mbaj mend cilët udhëheqës por di që vinin shumë. Aktivitete e asaj kohe kishin skena shumë masive. Por dua të them se mbi çdo gjë dilte në pah ideologjia. Ideologjizmat e zbehnin artin.

Kur e ke bërë krijimin e parë, apo koreografinë e parë?

 Aktiviteti im i parë si koreograf, fillon në vitin 1954 me tablonë e parë muzikore për fëmijë “Mësimi në pyll” e kompozuar nga i madhi Tonin Arapi “Artist i Merituar” Këtë vepër e vura në skenë në Shkodër. Këtu në këtë tablo kërcente  Roza Anagnosti (Sot Mjeshtre e Madhe), Nikolin Ujka, Kolec Thani. Pati shumë sukses. Kjo më dha shtysë që unë të realizoj disa tablo koreografike të reja në shumë trupa amatore si Kombinati Tekstileve, Migjeni, etj.. Në vitin 1954-‘61 jam aktivizuar si koreograf në disa institucione, si Pallati i Pionierit, Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, Estrada e Shtetit, duke inskenuar për herë të parë në vendin tonë, si p.sh tek kënga “Sot jam 20 vjeç”.  Kam pasur shumë krijime në Koncertet e Majit.

Po jashtë a keni dalë në këtë kohë?

Po. Kam shkuar në Kinën e largët në vitin 1967.  Një nga veprat që vumë në skenë aty ishte poema koreografike që fliste për Adem Rekën “Heronjtë jetojnë mes nesh” (krijim imi). Në Kinë shkuam me ansamble amatore dhe profesioniste bashkë (miks), me Orkestrën Simfonike me në krye Simon Gjonin… E udhëhiqte trupën koreografi i shquar Agron Aliaj.  Ai ishte protagonisti i kësaj tabloje koreografike, pra në rolin e Adem Rekës. Shfaqja pati shumë sukses. Në Kinë na pritën shumë mirë dhe pse ahere ishte Revolucioni Kulturor. Në vitin 1990 kur shkova në Itali (pasi kisha nënën italiane),  shfletova literaturë italiane dhe kjo literaturë koreografike, mendoj që më çoi ndërmend që të shkruaj për disa figura të shquara të koreografisë shqiptare, ose korifenj të koreografisë shqiptare.

 Sa valle apo tablo koreografike muzikore keni krijuar?

Janë mbi 100 të tilla. Përpos tablove muzikore që përmendëm më lart, janë dhe shumë valle. Nuk kam një numër të saktë, pasi kam bërë shumë bashkëpunime me trupa amatore. Konkretisht mund të them se në Koncertet e Majit pjesëmarrja ime ishte e vazhdueshme ku mund të përmend vallet që kanë fituar çmim të parë si “Festë në Kukësin e Ri”, muzika Agim Krajka. “Mic Sokoli”, numër koreografik të cilin e interpretoi Ilir Kerrni. “Festojmë Jubileun e Madh”, muzika Çesk Zadeja, “Lindi dhe një pushkë në truallin tonë”, etj..

Nga aktivitet jashtë çfarë do të veçosh?

Filozofia e një artisti është meditimi. Unë kam medituar shumë. Kam shumë kujtime. Një kujtim është kur  shkova në Moskë në 2001 në Moskë ku zhvillohej një Festival Internacional për koreografinë. Më bëri përshtypje që para se të fillonte Festivali, në skenë hyri një burrë i gjatë 80-vjeç, Grigoroviç, solisti i parë balet-maestro i Rusisë. Dukej tepër fisnik dhe shumë i mbajtur. Kur ai uroi mirëseardhjen u çuan në këmbë ët gjithë dhe për disa minuta duartrokitjet nuk kishin të sosur. Aty shkova në Bibliotekën Kombëtare për të mbledhur materiale për Melushe Bebeziç, shqiptaren që arriti të ishte soliste në Operën e Moskës, por që vdiq në moshën 33 vjeç nga leucemia. Aty gjeta  një grua, Juri Vollkova që punonte çdo ditë dy orë në Arkivin Muzikor “Balshoj Teatër” të Moskës. Kur ajo dëgjoi që unë flisja me përgjegjësin, ku u përmend disa herë emri Albania më thotë a e njeh një Agron Aliaj. Po i thashë është baletmaestër në TOB të Tiranës. Ai ishte një “As”,- tha- ishte një gjeni. Kam kërcyer me të”. Sa u gëzova.

 Keni ndonjë vepër tjetër në dorë?

Po kam për valltarin e talentuar Rexhep Çeliku. Është një ikonë tjetër pas

Krijime të veçanta

Viti 1961 shënon për mua një hap cilësor, pasi vura në skenë tablonë koreografike “Heronjtë e Brigadës së V Sulmuese”, me muzikë të Çesk Zadesë (Artist i Popullit), dirigjent Roland Çene. Në vitin 1965, vë në skenë tablonë koreografike “Punojmë dhe mbrojmë”, me grupin e valleve të Kombinatit Tekstil me muzikë të Çesk Zadesë e shoqëruar nga Orkestra e Institutit të Lartë të Arteve. Në vitin 1966 vë në skenë poemën koreografike “Heronjtë jetojnë mes nesh”, me muzikë  të Çesk Zadesë, shoqëruar nga Orkestra  e RTSH-së, dirigjent Ferdinand Deda, solist Hysen Këllezi. Në Kinë solist i kësaj poeme ishte Agron Aliaj “Artist i Popullit”.  Në vitin 1970 realizova në qytetin e Korçës poemën koreografike “Elektrifikimi” me muzikë të Avni Mulës, dirigjent Rikard Jorganxhi.