Beqir Bashllari, veterani i festivaleve

651
Sigal

Është një nga të paktit që nuk i ka braktisur instrumentet popullorë

Në festën e Krahinës që u zhvillua në Parkun e Madh të Tiranës prezantuesja e re Erjola Çuka, në një moment të programit prezantoi:

–        Dhe tani do dëgjoni melodi me fyell dhe gajde….(duartrokitje)…përpara jush instrumentisti mirënjohur popullor Beqir Bashllari.

       Ende pa u dëgjuar emri duartrokitjet shpërthyen dhe vazhduan gjatë. Ishte mirëpritja e ngrohtë,mirënjohja dhe nderimi për Beqon e Zvarishtit, për veteranin e festivaleve folklorike,ku ai ka qenë gjithmonë prezent jo vetëm me këngën e vallen popullore,por veçanërisht me gajden dhe fyellin e tij që nuk i ka ndarë kurrë nga vetja.

       Kishte ardhur enkas në këtë festë nga Zvarishti në Tiranë për të festuar me gorarët e larguar nga vendlindja. Kjo duket e thjeshtë, por ka një domethënie të madhe. Ai me prezencën e tij artistike ndër vite e dekada ka krijuar lidhje të ngushta  shpirtërore me publikun. Një jetë të tërë nëpër skena,nëpër festivale,nëpër spektakle të ndryshme,veshur me kostumin e hijshëm popullor,herë me këngë e herë me  valle,herë me fyell e herë me gajde ka përcjellë kënaqësi dhe emocione të këndshme tek publiku e ka korrur duartrokitje pa mbarim prej tij.

       Ndaj ai nuk mund të rrijë dot larg gorarëve që festojnë. Dëshiron që të jetë atje mes tyre, me gajden dhe fyellin e tij për t’u sjellë si për herë kënaqësi, për t’ja marrë shtruar këngës popullore, duke trokitur gotat  për të pirë një dolli me ta.

       Natyrisht, edhe gorarët janë mësuar me të. E kanë njohur që herët, djalë të ri, në podiume dhe vit pas viti kanë përjetuar kënaqësi dhe emocione të këndshme nga shpalosja e talentit të tij. Meloditë e bukura popullore kanë lënë mbresa të pashlyeshme në qenien e tyre, ndaj e mirë presin, e duan, e nderojnë dhe e duartrokasin.

       Pasioni i tij zë fill që në rininë e hershme. Mbresa të pashlyeshme lanë tek ai dasmat e gostitë e shumta në fshat e në farë e fis ku këndohej e luhej netëve të gjata të vjeshtës apo të dimrit…  I pëlqenin këngët dhe u rrinte pranë atyre që këndonin duke provuar të bënte iso me të tjerët. E mahnitnin vallet dhe i shikonte ata që i luanin me shumë vëmendje me idenë për t’i imituar. E tërhiqnin instrumentet popullorë me meloditë e tyre magjike dhe i shikonte me kërshëri të veçantë mjeshtrat që u binin aq bukur. Të gjitha këto mbresa i  nxisnin dëshirën që t’i provonte vetë. Ndaj sa herë ndodhej vetëm tek kulloste tufën e qengjave sipër nga Pati, apo në lëndinat mbi korije luante e këndonte me zë të lartë duke imituar çfarë kishte parë e dëgjuar. Pastaj bënte vetë dhe provonte pipëza nga kashta e thekrës, pipëza nga kallami i ish kënetës; bilbila e trumbeta nga lëkura e shelgut,arrës apo lajthisë,deri sa arriti te gajdja e fyelli origjinal. Kështu duke u stërvitur pareshtur vuri re se shokët dhe të afërmit po e pëlqenin gjithnjë e më shumë. Por provat e sigurta i dha përsëri atje ku provoi shkëndijat e para. Në dasma dhe gosti provoi këngën, vallen, herë pas here zëvendësonte ndonjë nga sazexhinjtë dhe dasmorët mbeteshin të kënaqur. Që këtej filloi të ngjitë shkallët e podiumeve të festivaleve me këngën e vallen, fyellin dhe gajden. Me to u rrit, me to udhëtoi nëpër vite, me to u pëlqye e u duartrokit në gjithë Gorën e më gjerë. Ato janë bërë pjesë e pa ndarë e shpirtit të tij ndaj nuk i ka braktisur kurrë dhe nuk përton të vijë nga Gora në Tiranë, ku mirëpritet me ngrohtësi, kënaqësi dhe duartrokitje të nxehta.

       Beqir Bashllari është një nga të paktit që nuk i ka braktisur instrumentet popullorë (që po vuajnë tragjedinë e zhdukjes) dhe po mban gjallë traditën e mirë popullore në këtë aspekt. Kontributi i tij për mëse një gjysmë shekulli në këtë fushe është shumë i çmuar. Ai ka marrë pjesë në qindra festivale e veprimtari kulturore ku është pëlqyer e vlerësuar nga juri të specializuara duke marrë shume certifikata, medalje e tituj nderi. Natyrisht, këngët dhe vallet nuk i ka realizuar vetëm por me shokët e tij të talentuar Nevruzin dhe Torin e Zvarushtit, të cilët nuk i janë ndarë asnjë herë. Në përbërje të grupit folklorik ka përfaqësuar krahinën e Gorës në rrethin e Korçës e më gjerë duke zënë vende nderi midis grupeve të tjerë. Shoqata A.K.Gora e falënderon dhe e vlerëson maksimalisht talentin e   kontributin e tij të çmuar duke i akorduar titullin: “Yll i folkut  gorar”.

                                         PETRIT  BRAÇE