Skënderbeu fiton me stadiumin bosh, por mbush “arkën” e pikëve

580
Dje u luajt ndeshja e parë e javës së 27-të të kampionatit, ku përballë u gjenden ekipi i Skënderbeut që priti në stadiumin e vet Vllazninë, në një stadium të boshatisur, nisur kjo nga dënimi që mori ekipi juglindor për sjellje jo të mirë të tifozëve në ndeshjen ndaj Tiranës. Por, ashtu siç edhe pritej, mungesa e tifozëve nuk ka pasur ndonjë efekt negativ për ekipin korçar që fituan në mënyrë bindëse ndaj shkodranëve. Kjo fitore e lë përsëri Skënderbeun në vendin e parë, duke mos u ndikuar aspak nga rezultatet e tjera, madje duhet thënë se në situatën aktuale të renditjes, presioni bie mbi skuadrat e tjera, si Partizani, Tirana e më shumë Kukësi, që kanë synimet e tyre për të mos e lënë më trofeun të shkojë në Korçë, por të bëjnë një “rishpërndarje” të titullit. 

Zhvillimi i ndeshjes
Ndeshja e djeshme deklaroi edhe një herë për të gjithë se Skënderbeu largohet shumë vështirë nga kreu, e në këtë rast duhet të pritet për ndeshjet direkte që do të luajë ndaj ekipeve kryesore për të hedhur ndonjë hap “fals”. Dje u vu re një pjesë e parë e interpretuar mirë nga të besuarit e Zmijanit, por që nuk arritën që të mbanin të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, paçka se barazuan me anë të një penalltie në minutën e 72-të, pasi golin e parë për vendasit e shënoi Radas në minutën e 56-të. Gëzimi i barazimit nuk i mbajti shumë shkodranët, pasi në minutën e 72-të do të vinte edhe goli i avantazhit për korçarët, për ta trefishuar rezultatin vetëm në minutën e 81-të, gol që ju dha qetësinë dhe besimin se po shkonin drejt një tjetër fitoreje të madhe. Aktualisht Skënderbeu ka 57 pikë, ndërkohë e ndjek Kukësi me 52, e pikërisht sot ka një ndeshje tejet delikate ndaj Flamurtarit.

Takimet e sotme, ja mundësitë për “ringjallje” për disa nga skuadrat
Kukësi-Flamurtari, 
Në qoftë se mund të ketë një fjalë që i bashkon këto dy skuadra, ajo është padyshim fjala “probleme”, ku pritësit e takimit të sotëm kanë probleme vetëm për shkak të një humbjeje ndaj Tiranës, por që për një ekip që pretendon të fitojë titullin, humbje të tilla janë të pafalshme, e ndërsa cekim edhe ekipin e Flamurtarit, këtu problemet nuk kanë fund, që nga humbjet e shpeshta, problemet në ekip, jashtë ekipi dhe në sanksionet që drejtuesit e skuadrës kanë marrë ndaj futbollistëve, kjo jo vetëm për rezultatet e dobëta por edhe për dyshimet mbi futbollistët që mund të kenë lënë takimet në favor të kundërshtarëve, në këtë rast të Partizanit. Zhvillimet e fundit në të dy kampet, e bëjnë ndeshjen e sotme një ndër më të rëndësishmen, ku në Kukës situata është e tensionuar sa i përket stafit drejtues, e nga ana tjetër, një humbje tjetër për Flamurtarin do të shënonte padyshim mbylljen e një tjetër cikli për vlonjatët, kur tani shpresat për Europë janë tërësisht të humbura. 

Laçi-Apolonia, dy skuadrat e lojës së bukur dhe surprizave
Nëse në kampionat deri më tani ka pasur dy ekipe që të imponojnë respekt nga mënyra se si e trajtojnë një ndeshje dhe që luajnë gjithmonë për fitore, ato dy ekipe janë padyshim Laçi dhe Apolonia, ku skuadra e parë dhe skuadra pritëse sot, po jep një paraqitje mbresëlënëse në kampionat ku deri më tani ka shënuar 6 fitore radhazi, ku më e fundit ishte ajo e prapambetura ndaj Flamurtarit. Sa i përket Apolonisë, ka treguar se nga tre vendet që kanë “mbërthyer” fundin e renditjes, është ky ekipi që meriton të qëndrojë në Superligë, falë lojës së bukur, besimit tek talentet e reja dhe seriozitetit me të cilin ka trajtuar çdo ndeshje.

Partizani-Elbasani, nga fitorja tek fitorja për të kuqtë
Kjo është kërkesa e vetme e “demave”, të shkojnë drejt një tjetër fitoreje dhe duket se Elbasani ua mundëson një gjë të tillë, edhe pse nuk duhet nënvlerësuar si kundërshtar, por përëri nëse duan që të jenë në krye të klasifikimit, këto pikë janë më se të detyrueshme, e në këtë rast edhe kalendari është treguar pak “miqësor”, ku për fatin e tyre të mirë, përballe me Elbasanin direkt pas fitores në derbi dhe fitorja e sotme është më shumë se një detyrim.

Teuta-Tirana, kundërpërgjigje e nevojshme e bardhebluve
Kryeqytetasit kanë nevojë që të kundërpërgjigjen në mënyrë që të krijojnë besimin e duhur në shpresat e tyre por edhe sa i përket trajnerit dhe futbollistëve, që me humbjen në derbi u duk sikur u komplikua pak situata, duke parë edhe trajnerin që deshi të largohej nga drejtimi i klubit, duke marrë përgjegjësinë mbi supe. 
Renditja
1 Skënderbeu 
27 17 6 4 57
2 Kukësi
26 16 4 6 52
3 Partizani 
26 15 5 6 50
4 Tirana
26 15 5 6 50
5 Laçi
26 13 8 5 47
6 Flamurtari 
26 9 7 10 34
7 Vllaznia 
27 10 3 14 30
8 Teuta
26 6 1 19 19
9 Apolonia 
26 4 4 18 16
10 Elbasani
26 4 1 21 13
Java e 27-të, takimet
15.03.2015
Skënderbeu 3-1 Vllaznia
16.03.2015
Kukësi-Flamurtari
Laçi-Apolonia
Partizani-Elbasani
Teuta-Tirana
Sot ndeshjet e fundit të fazës së tretë, ja se çfarë premton faza e katërt
Kalendari i fazës së katërt dikë e favorizon e dikë jo, ku vihet re se Skënderbeu është padyshim skuadra me më shumë fat sa i takon kalendarit, ku në fazën e katërt, ashtu si në fazat e tjera, do ta hapë siparin me Elbasanin, e siç duket në këtë mënyrë do të qëndrojë në ritmin e fitoreve, pasi Elbasani nuk cilësohet një nga ato skuadra që mund t’i bëjë dëm ekipit korçar, të paktën në letër dhe me logjikë, pasi surprizat në futboll nuk kanë asnjëherë të sosur. Sa i përket ekipeve të tjera, Partizani nuk është edhe aq i favorizuar pasi do të takohet me “makthin” që quhet Laç, me skuadrën që humbi në Kupë duke krijuar kështu “krisje” me tifozët që e akuzuan shumë rëndë për tolerim ndeshjesh. Ndeshja me Laçin padyshim që do të jetë vendimtare për të dy ekipet, nisur nga pretendimet sa të ndryshme aq edhe të njëjta. Nga ana tjetër, dy ekipet e tjera që janë pretendente për titull, si Tirana ashtu edhe Kukësi takohen Apoloninë për ata të parët dhe Vllazninë për të dytët. Në fakt, kryeqytetasit nuk mund të cilësohen se kanë ndeshje të thjeshtë pasi Apolonia ka treguar se mund të jetë një problem për çdo ekip, diçka që e ka provuar edhe vetë ekipi bardheblu, e sa i përket Kukësit, deri më tani nuk kanë dalë të humbur ndaj Vllaznisë, sa i përket këtij sezoni, duke e marrë ndoshta disi më thjeshtë këtë takim, ose në parim duke mos u cilësuar i vështirë, por që mbetet për tu parë çdo gjë në javën e ardhshme, duke parë që tani futemi edhe në fazën më të nxehtë të kampionatit dhe të gjitha skuadrat bëjnë llogaritë për të fituar 
Ndeshjet e javës së 28-të
Skënderbeu-Elbasani
Teuta-Flamurtari
Kukësi-Vllaznia
Apolonia-Tirana
Partizani-Laçi
Magani nuk e lë Tiranën, merr besimin e presidentit dhe tifozëve
Kanë qenë ditë të mbushura me takime këto të fundit për drejtuesit e klubit Tirana dhe trajnerin Magani, që u përfol së shumti që do të largohej nga klubi, duke marrë përsipër “fajin” e humbjes me Partizanin, humbje që për hir të së vërtetës prish shumë ekuilibrat për pretendimet e skuadrës që të shfaqe si fituese në fund të turneut. Magani mbajti menjëherë përgjegjësinë mbi vete, duke lënë të kuptohej se po shkonte drejt një tërheqjeje të mundshme, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, nisur kjo pasi Refik Halili nuk e ka pranuar dorëheqjen e tij, andaj tekniku ka vendosur të rikthehej nën drejtimin e ekipit pikërisht dje, pasi ka marrë edhe besimin e plotë të presidentit dhe të tifozëve, që në këtë rast e kanë mbështetur tej mase. Vetë tekniku ka biseduar me skuadrën në lidhje me situatën, ju ka treguar se do të vazhdojë përsëri punën, duke nisur kështu përgatitjen për takimin me Teutën.
Sigal