Teuta Swimming, dukuri pikante e notit shqiptar

778
Sigal

 

Italiani Eros Pavon përshëndet suksesin e durrsakëve të arritur në Kupën e Shqipërisë

Aleksandër Ngresi dhe Frenc Bërdaku, dyshja frymëzuese e grupit të talentuar

 Ndonëse Kupa e Shqipërisë, zhvilluar në “Akuadrom”-in e Tiranës me 29-30 korrik 2014, shënon ditë nga përfundimi i saj, veçanërisht në Durrës vazhdon të mbajë vlagë jehona e saj. Dhe sebepi këtu, është vetëm një katërshe simpatike djemsh, që po shkund ndjeshëm traditën e këtij sporti të hershëm dhe mburrje për çdo durrsak, siç është noti. Më i “moshuari nga grupi i Teuta Swimming është 17 -vjeçari Enea Zhupaj, për të përfunduar me dy vogëlushët 9-vjeçarë, Nargi Golashi dhe Ralf Qirjako. Pa dashur sikur u anashkalua vlera e këtij grupi, ku vetëm katër notarë (Aleksandër Ngresi, Frenc Bërdaku, Enea Zhupaj dhe Ron Mujali), u renditën në vendin e tretë duke u inkuadruar në zonën e medaljeve. Noti si sport individual, si bazë e gjykimit mbi të është koha inkurajuese dhe aq më mirë e shoqëruar edhe me rekorde kombëtare. E pra, kjo Teuta Swimming, në brendësi të punës dhe performancës së saj i përfshin  dukshëm këto dy tregues. Dhe të mos harrojmë që gjykimin për punën e kësaj Teute Swimming, me notarë simpatikë e lozonjarë po e japim në një kampionat të rriturish dhe jo moshash, ku cilësitë dhe aftësitë e përbërësve të saj bënë kërdinë mbi kundërshtarët dhe rivalët e tyre. Jehona e punës së këtij grupi të shkëlqyer i kalon kufijtë e Durrësit. Janë jo të paktë notarët dhe kjo edhe nga Tirana, që kërkojnë të punojnë në Durrës në këtë grup. Argumenti i takon Klea Konoplevës, që e ëma Sanija në rolin e “taksistes” e sjell të bijën për çdo ditë pranë kësaj magjie të notit. Rasti më i freskët është edhe ai i Sonja Kapedanit, që për efekt distance dhe lodhjeje shkëputet nga Durrësi, duke manifestuar dhe trajtuar dukshëm në rekordet e saj punën e mrekullueshme të nisur këtu. Rikthehet edhe Dhimitër Noçka, që pas një shtegtimi të gjatë në klubet kryeqytetase, e ndjeu se floriri në not fshihet në Durrës. Kemi folur dhe do të flasim edhe më tej për Teuta Swimming, aq sa do të flasin edhe rezultatet në rritje të këtij grupi të zgjedhur si me dorë. Dhe basti është vendosur me veten, ashtu sikundër pëlqehet të thuhet që sfida tashmë është nisur. Pa dashur të shprehim me nota të ndezura që tani të ardhmen e tyre, nga Italia vjen versioni: që pas dy viteve në se vazhdohet kështu, a do të mund të ketë qoftë edhe një konkurrent të vetëm shqiptar që do të frenojë galopin e Aleksandër Ngresit? Po të Frenc Bërdakut, për të kaluar tek Kledi Kadiu, Ron Mujali e Enea Zhupaj? Po është edhe qershia mbi tortë tek femrat, ku “golashja” më e vogël Nargi vazhduesja më e shkëlqyer e mbiemrit të njohur sportiv Golashi (Krenari, Fetiu, Lemi, Aliu etj). Pritet që të gëlojnë femrat tek Teuta Swimming nga shembulli i Nargit.

Nga 17, katër janë të tyret

Bëhet fjalë për rekordet kombëtare që u arritën nga Teuta Swimming. Në pozicionin e një vëzhguesi objektiv, por edhe të hollë dhe profesional kemi mundur të tërheqim në morinë e fakteve më shprehëset dhe të pakontestuara. Vështroni lexues i nderuar se çfarë ndodh! Në 17 rekordet kombëtare, nuk ndodhi asnjë “anomali” veçse njërit. U arrit që një ekip moshash 14- vjeçarë, të përmirësojë rekordin kombëtar të një moshe më të madhe, siç janë të rinjtë. Vazhdojmë së bashku të ndjekim arsyetimin, për të zbuluar që tash, se çfarë fshihet pas kësaj Teute Swimming, me asistencë të mirëfilltë të arritjeve më të mira të notit italian. Kjo është tjetër veçori origjinale dhe madje edhe historike për notin shqiptar, që nuk është vënë re apo është anashkaluar dhe për ne mbetet një argument më shumë, për të mos reshtur së shkruari e evidentuar këtë superarritje. Jemi tek rekordi kombëtar në stafetën 4×200 metra. Frenc Berdaku, Aleksandër Ngresi, Ron Mujali dhe Enea Zhupaj fiksuan kohën rekord 8’56”64. Por sa ishte koha e mëparshme, që mbahej nga Teuta përmirësuar para tetë vitesh? Ishte 9’17”04. Një veprim i thjeshtë aritmetik nxjerr diferencën 20 sekonda e 40 të qindat. Çfarë ndodh kështu? Shikoni me vëmendje rekordet e ekipeve të tjera, është kjo diferencë, pavarësisht vlerat që bart çdo kohë e re! Të dalim tek Frenc Bërdaku në 1500 metra stil i lirë. Berdaku ambicioz, ende me një trup të njomë dhe të brishtë “përqafoi” kohën e re rekord 18’12”78. Para një viti notari tiranas, shumë i mirë edhe ky, Binald Mahmutaj iu gëzua rekordit me kronometër të pozicionuar në shifrat 19’03”56. Të bëjmë edhe këtu një hesap fare të thjeshtë, për të prekur diferencën. As më pak dhe as më shumë “gropa” e hapur është 50 sekonda e 78 të qindtat. Cili rekordmen tjetër

mund të mburret me një diferencë më të thellë? Asnjë. Pra kjo Teuta Swimming po vjen si një tren tip “Eurostar”, që po thyen rekordet me minuta e jo më me sekonda. Të kapim dy rekordet e Aleksandër Ngresit. Në 800 metra rekordi i parë dhe historik është i Ngresit me 9’31”59. Kjo për moshën 13-14 vjeç. Këtu i nis rekordet kjo garë, pasi nuk është eksploruar më parë. Dhe ky Ngres, që trajtohet si një nga talentet më të veçantë të notit durrsak në vite, pse jo edhe të atij shqiptar në 100 metra stil i lirë, tashmë pronësoi kohën e re rekord 59”05, duke lënë pas Kristi Xhaferrin me 1’00”41. Edhe këtu historia është në favor të Ngresit të vogël, pasi për herë të parë për moshën “steka” e rekordeve bie poshtë 1-minutëshit. Në optikën tonë objektive, analizuam katër rekordet e Teuta Swimmng që nuk janë vunë re në këtë këndshikim.

Sinjalet që vijnë nga Italia

Natyrisht Teuta Swimming një shpresë e re, një dukuri dhe praktikë e re, një shfaqje optimiste në qiellin ende gri por të kërcënuar për tu përmirësuar të notit tonë. Të lavdërueshme edhe përpjekjet e presidentit Agim Çiraku, që kërkon të vendosë edhe ai mundin e tij në këtë klimë joshëse që ndjehet që po e pushton sportin e ujit. Nuk është thënë më parë ky fakt. Teuta Swimming në momente të veçanta, të drejtuar dhe frymëzuar nga njeriu babaxhan, një njeri human dhe fisnik, që si tregues të tij vendos Teuta Swimming të përbërë me djem ëndërrimtarë të një grupi shqiptarësh nga Durrësi që quhet Eros Pavon, kalon me avion për në tokën italiane duke shfrytëzuar bazën e fuqishme materiale që i vendos ky italian zemërmadh. Të shtatë pishinat që zotëron ai, janë për shqiptarët. Rast i rrallë që të futet në ujë ai, ky pra Eros Pavon, nga specialistët më në zë të notit italian për të

instruktuar notarët e ardhur nga Durrësi. Binjakëzimin tashmë e vendosi me ekipin e tij Tecri Nuoto ASD Milano. Në një rast diku nga dhjetori i vitit të kaluar, Teuta Swimming mori pjesë i ftuar nga Pavon edhe kampionatin rajonal të zhvilluar në Xhenova. Veç kësaj në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare që Teuta Swimming është pjesëmarrëse, Eros Pavon duke sakrifikuar nga planet dhe projektet e tij italiane, i është ndodhur pranë ekipit durrsak. Lidhjet me Erosin janë të përditshme, falë kjo edhe zotërimit të gjuhës italiane që zotërohet shkëlqyeshëm nga i gjithë grupi, por që bëhet i mundur profesionalisht nga asistenti i tij Edmond Berdaku. Menjëherë italiani i notit njoftohet për trendin e paraqitur nga Teuta Swimming, në kupën e Shqipërisë dhe mbetet i mahnitur nga ajo çka i është raportuar. Është emocionuar dukshëm dhe në çast shpreh prezencën e tij në kampionatin kombëtar që zhvillohet me 4-5 shtator në Tiranë. “Edhe në kampionat, ndonëse zhvillohet pas një muaji nga kupa, është dëgjuar të shprehet trajneri i Teuta Swimming, Eros Pavon, programi që ju kam paraqitur për tu zhvilluar në gusht ju favorizon për kohë të reja dhe avancim për rezultatet e arritura deri këtu. Nuk heq dorë nga bindja ime, se kemi të bëjmë me një grup të mrekullueshëm dhe që për pak kohë do të bëni ligjin në rezultatet të dukshme cilësore në notin shqiptar. Në shtator më pritni në Durrës, “- përfundon lidhjen telefonike me Durrësin, Pavon.

Prova e kampionatit

Pas kupës, mezi presim kampionatin që për Teuta Swimming mbetet tjetër provë, për të demonstruar përgatitjet e saj. Euforia dhe vetëkënaqësia mbeten dy elementë që ekipi nuk i pranon. Asistentët e Pavonit në Durrës, Edmond Berdaku dhe Gjergj Ngresi, të mbështetur fuqimisht nga emri i njohur i notit tonë Feim Alliu, si dhe nga një grup aktiv me specialistë, veteranë, prindër dhe miq të respektuar të notit, janë në një punë intensive të jashtëzakonshme. Punohet në grup dhe me qitje të largët. Sigurisht puna disa vjeçare, po nis të japë frytet e saj. Ndonëse ende nën zë për Teuta Swimming po flitet gjerësisht. Në Durrës po trajtohet si lindja e një fenomeni në sportet. Por edhe rivalët e këtij ekipi po marrin masa për të ruajtur epërsinë e deritanishme, kjo sigurisht nga mosha shumë më e madhe e tyre. Por një gjë vlen të veçohet që tani: Teuta Swimming e Durrësit, është në një punë në rritje dhe intensive, shpërthimi i së cilës pas 2-3 viteve nuk do të njohë rivalë. Këtë e dikton programi i ngjeshur dhe i argumentuar me asistencë ndërkombëtare, por edhe besimi se tërë ky mundim shpërblimi mbetet pjesë e saj. Teuta Sëimming, realitet i ri që nuk mund të mohohet. Le ta mirëpresim, si një shpresë për t’u përmirësuar edhe më mirë.

BUJAR QESJA