Sporti/ Kupa e Shqipërisë në not

315
  • Presidenti i Federatës Shqipatre të Notit, Agim Çiraku: Rezultatet, sukses i punës së trajnerëve dhe sportistëve. Motua jonë: Të djersitim në pishinë!
  • Ja rezultatet teknike të ditës së parë.
  • Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, i kënaqet rekordeve të vendosura. Premtohen më shumë aktivitete, sidomos për veteranët

    ÇIRAKU: FEDERATA SHQIPTARE E NOTIT E KËNAQUR ME SPORTISTËT DHE TRAJNERËT

    Mesazhi i të parit të sporteve të ujit në vend: TË DJERSIJNË NË PISHINË!

    Kupa e Shqipërisë ul siparin e aktiviteteve verore në pishinat 50-metërshe

    Gjergj Vyshka

    Kupa e Shqipërisë për të rritur në not, e cila ka nisur të hënën në Akuadromin e Tiranës, është aktiviteti i fundit kombëtar për pishinat 50 metërshe. 11 ekipe si Teuta, Tirana, Partizani, Vala Swimming, Vlora Sport, Shoqata e Sporteve të Ujit, Butrinti, Eagles, Tradita etj kanë sjellë në pishinë gati 150 notarë. Dhe menjëherë nis me rekord kombëtar, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, tregon pritshmëritë e tij për këtë aktivitet duke spikatur mbi të gjitha Kledi Kadiun, që ishte rekordmen dhe në Kampionatin Botëror të të rinjve në Budapest. Sakaq Shqipëria ka qenë e pranishme në Kampionatet Botërore të të rriturve dhe të rinjve, atje ku janë thyer një sërë rekordesh, ndërsa Çiraku i kënaqet jo vetëm këtyre rekordeve, por edhe stërvitshmërisë normale të sportistëve dhe trajnerëve.

    A duhet të ketë më tepër aktivitete kombëtare noti shqiptar?

    I pari i Federatës Shqiptare të Notit pohon, se përtej aktiviteteve të zyrtarizuara në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, bëhen përpjekje për të kujtuar ato figura të sporteve të ujit. Dhe në fund, teksa Kupa e Shqipërisë në not përfundon të martën pasdite, Çiraku ka pasur një mesazh për të gjithë notarët dhe trajnerët. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit dhënë për gazetën “Telegraf”…

    • President, Kupa e Shqipërisë është thuajse aktiviteti që mbyll sezonin e verës për notin shqiptar, pavarësisht Maratonës së Sarandës fundjavën e ardhshme. Çfarë presim nga kjo Kupë e Shqipërisë që është aktiviteti i fundit për të rritur?

    – Nga kjo Kupë e Shqipërisë ne presim rezultatet maksimale, sepse është një sezon i mbushur në gara. Është gara e tretë që zhvillohet në pishinat 50-metërshe. Sportistët janë përgatitur dhe them se do të ketë rekorde e mira. Këtë e tregon edhe gara e parë e ditës së sotme në 200 metra stil i lirë, ku notari i shkëlqyer shqiptar Kledi Kadiu theu përsëri rekordin. Ky është një fillim i mbarë dhe themi se do të kemi rezultate shumë të mira.

    – Përtej këtij aktiviteti, Botërori i të rriturve dhe Botërori i të rinjve si vlerësohet nga Federata Shqiptare e Notit?

     

    – Vlerësimi i Federatës është maksimal. Natyrisht që pa stërvitjen e notarëve nuk do të kishim rezultate shumë të mira. Federata në bashkëpunim me sportistët dhe me trajnerët që janë anëtare të Federatës Shqiptare të Notit, kjo tregon edhe më së miri rekordet shqiptare. Kledi Kadiu, të cilin e përmenda edhe më lart, theu disa rekorde kombëtare në aktivitetin e fundit që kishim. Theu rekorde kombëtare në stilin e vet, atë të lirë. Kështu që Federata Shqiptare e Notit është shumë e kënaqur nga sportistët dhe trajnerët. Vlerësimi është maksimal. Stërvitja është maksimale, rekorde kemi.

    – A ka ardhur koha që noti shqiptar të shtojë aktivitetet e veta, përtej atyre tradicionale?

     

    – Shiko! Ne bëjmë një planifikim në fillimin e vitit…

    – … Ndoshta kupa të veçanta me emrat e atyre që kanë bërë histori në notin shqiptar…?!

     

    – Ne përveç aktiviteteve zyrtare, që i kemi të formalizuara në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit dhe i kemi deklaruar në fillimin e vitit, bëjmë edhe aktivitete të tjera për nder të sportistëve, të cilët kanë marrë pjesë ndër vite, që janë veteranë të notit. Kjo është e pandarë nga Federata Shqiptare e Notit. Për këtë arsye përveç garave që i kemi të listuara, ne bëjmë edhe gara me veteranët e notit. Edhe më 8 shtator, përveç Maratonës së Sarandës për të rritur, do të kemi edhe Maratonën e Veteranëve. Kështu, në këtë aktivitet do të marrin pjesë shumë notarë, shumë sportistë dhe këtë do ta shtrijmë deri në dhjetor, përveç aktiviteteve të listuara, do të bëjmë edhe aktivitete të tjera të ndryshme për këto sportistë.

    – Së fundi, cili do të ishte mesazhi për të gjithë sportistët dhe trajnerët në këtë aktivitet të fundit të sezonit të verës?

     

    – Të djersitin sa më shumë në pishinë! Duket pak si paradoks djersitja në pishinë, por me të vërtetë djersin në pishinë. Po, po. Po të stërvitesh shumë djersin edhe në pishinë, përveçse në tokë, atletët, futbollistët etj. Që do të thotë se duhet derdhur shumë mund dhe, sigurisht, mundi, puna jep rezultat, madje edhe në pishinë djersin.