Trajneri Kampion i STEP, Agron Zeqiri: Noti shqiptar, faktor pozitiv në Ballkan

2238
Sigal

Nga Agron KAJA

U mbyllën dje garat e veprimtarisë ndërkombëtare të notit “Kupa e Teutës” 2018, në tri ditë garuan 279 notarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, të ftuar edhe nga Italia e SHBA-ja

Jeni fitues i veprimtarisë së parë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”, e kishit menduar këtë sukses?

Ne erdhën këtu në Durrës me 25 notarë, me pretendimin që ta fitonim turneun, por njëherësh edhe të afirmonim disa notarë të rinj. Dhe ia arritëm qëllimit, ndaj falënderoj të gjithë notarët e STEP, por edhe organizatorët për mikpritjen e organizimin e garës.

Suksesin e kishit më shumë si ekip, pse ndodhi kështu me individët?

E përmenda më sipër, se ne në këtë veprimtari kishim një grup me përbërje të re, sepse kishim edhe disa mungesa të arsyeshme. Por edhe kështu, arritëm të fitonim 67 medalje në total, me 34 Ari, 20 Argjendi dhe 13 Bronzi.

Ju në Kosovë, i keni kushte e përgatitjes në pishinë të madhe 50 m?

Po, notarët tanë përgatiten në pishinën “STEP Sport Center”, të cilën e menaxhoj unë, njëherësh edhe trajner. Do jeni të ftuar të shikoni se, aty është një ambientet shumë komode për përgatitje e gara noti, dhe ky sukses është edhe pjesë e kësaj infrastrukture.

Sot (dje) si fitues i kësaj veprimtarie, çfarë do tu thoni homologëve tuaj?

Unë do të thosha se ne në ambientet tona do të sjellim gjenerata të reja të notit, madje me shumë talente. Me këto mosha të reja, ne synojmë që në një të ardhme të afërt të arrijmë normat olimpike.

Sa ndikoi organizimi i veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”?

Ka qenë një organizim shumë i mirë, falë bashkëpunimit mes dy federatave respektive Shqipëri-Kosovë, dhe kjo është për tu përshëndetur. Noti shqiptar po bëhet faktor pozitiv në Ballkan, por ndoshta duhet që në të tjera veprimtari të tilla të implementohen rregullat sportive të LEN dhe FINA.

Në ditët e veprimtarisë u nda nga jeta Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, jeni edhe ju pjesë e ngushëllimit për këtë figurë të madhe të futbollit kosovar?

Natyrisht që po. Fadil Vokrri u nda papritur nga jeta, dhe kjo na ka trishtuar shumë. Por figura e tij është e madhe dhe do të jetë shembull për gjeneratat e futbollit në Kosovë.

Trajneri i Vlora Not, Tomorr Dano nuk doli i zhgënjyer nga ekipi

Edhe pse ekipi Vlora Not u përfaqësua me 4 notarë në këtë veprimtari ndërkombëtare, për trajnerin Tomorr Dano, të gjithë do të jenë notarë të së ardhmes, jo vetëm në Vlorë. Për efekt stërvitjeje, Vlora Not u përfaqësua me 4 notarë në këtë Kupë Ndërkombëtare, por nuk zhgënjyem. Kam fjalët më të mira për organizimin nga FSHN-ja, sepse kjo ndikoi në ecurinë e garave. Pritshëmritë në ekipin tonë i kaloi notarja 11 vjeçare Mia Halilaj, e cila në garat e 50 m stil i lirë dhe bretkosë, tregoi nivel të mirë. Bashkë me pjesën tjetër të ekipit Vlora Not, këta do jenë notarë të së ardhmes, jo vetëm në Vlorë”.

Kryegjyqtari Emin Lishi e vlerëson veprimtarinë me standarde

Ish-Kampioni shqiptar i notit, Emin Lishi, në cilësinë e Kryegjyqtarit të veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”, për gazetën “Telegraf”, dje deklaroi se vështirësitë në gara u alternuan bukur me zhvillimin e saj. “Ka disa vite që FSHN-ja po tregon se ka vizion dhe di të organizojë veprimtari të tilla si “Kupa e Teutës 2018”. Ne jemi të nderuar si gjyqtarë, dhe së bashku me homologët kosovarë përjetuam një aktivitet me standarde”, kështu theksoi fillimisht Kryegjyqtari i kësaj veprimtarie, i cili nivelin e mirë të gjykimit e shikon edhe tek tabela elektronike. “Homologët tanë nga Kosova na e lehtësuan punën me gjykimin, pasi me tabelën elektronike, gjyqtarët ishin më të saktë se sa nga matja mekanike e kohës së garave. Gjithsesi, ishte një veprimtari që na nderon ne si Federatë Shqiptare e Notit, e cila vlen për tu falënderuar”.

Ekipet fituese (M-F)

Ekipi                            M. Ari M. Arg. M.Bronzi

1.STEP (Kos)              34        20       13

1.Te Stela (Alb)           28        33       33

3.Tirana (Alb)              16        19       19

Ishte një event shumë i madh, dhe më duhet përsëri të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga Maqedonia, nga SHB-ja e Italia. Të gjitha këto prurje cilësore, gjatë tri ditëve të garave treguan se noti ka potenciale që do të sjellin progres të shpejtë në notin shqiptar

FITUESIT SIPAS KATEGORIVE

MESHKUJ

Kategoria A/ Franci Aleksi     Studenti (Alb)

Kategoria B/ Frenc Bërdaku   Teuta (Alb)

Kategoria C/ Klejdi Kadiu      Teuta (Alb)

Kategoria D/ Vigan Bytyçi     Temporan (Kos)

Kategoria E/ Grejsi Koxhaku  Te Stela (Alb)

Kategoria F/ Deni Mustafaraj Ventus (Alb)

FEMRA

Kategoria A/ Nikol Merizaj    Tirana (Alb)

Kategoria B/ AnaMaria Pejçinovska (MAK)

Kategoria C/ Fjorda Shabani  STEP (Kos)

Kategoria D/ Vivian Xhemolli Tirana (Alb)

Kategoria E/ Kaltra Meça       Te Stela (Alb)

Kategoria F/ Julia Xhako        Tirana (Alb)