Kampionati Kombëtar i Notit/ Presidenti Agim Çiraku: Do jetë kampionat rekordesh

210
Sigal

NOT/ Sot në Akuadromin e Tiranës, uji do “turbullohet” nga notarë dhe notare nga e gjithë Shqipëria

Agron KAJA

“Jemi mësuar këto vitet e fundit që këtu në Akuadromin e Tiranës, notarët dhe notaret nga e gjithë Shqipëria të “thyejnë” rekordin e rekordeve. Pres të thyhen edhe rekorde kombëtare të cilët kanë jetëgjatësi pa u prekur”

Kampionati Kombëtar i Notit për të Rritur dhe të Rinj, sot do të ngrejë siparin në pishinën e Akuadromit të Tiranës. Për dy ditë me rradhë (17 e 18 korrik) do të zhvillohen garat e Kampionatit Kombëtar për të Rritur e të Rinj, meshkuj dhe femra. Natyrisht që në këtë vent të rëndësishëm që organizon Federata Shqiptare e Notit (FSHN), angazhimi mbetetnjë nga treguesit e përgjegjshmërisë, jo vetëm zyrtar, por edhe profesional. Këtë e pohon edhe vetë Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili për gazetën “Telegraf” tregoi se ky është një event ku do të priten jo vetëm rezultate të larta, por edhe shumë rekorde kombëtare. “Jemi mësuar këto vitet e fundit që këtu në Akuadromin e Tiranës, notarët dhe notaret nga e gjithë Shqipëria të “thyejnë” rekordin e rekordeve. Dua të them se nga kjo veprimtari, jo vetëm janë arritur rezultate të mira, por janë përmrësuar edhe rekorde kombëtare, të cilat më parë mbaheshin nga figura të mëdha të këtij sporti”, kështu e nisi Zoti Çiraku bisedën për Kampionatin Kombëtar të Notit, i cili në cilësinë e Presidentit të federatës, vlerëson seriozitetin e përgatitjeve që kanë bërë ekipet që do të garojnë. “Kishim më shumë kërkesa për pjesëmarrje, por në këtë kampionat do të marrin pjesë 8 ekipe nga e gjithë Shqipëria. Në përbërjet e tyre ka notarë dhe notare shumë të talentuar, të cilët unë i mendoj si “lokomotiva” e rritjes cilësore të sportit të notit në vendin tonë. Do të jenë më shumë se 150 notarë e notare që do të garojnë në të gjitha garat që ka sporti i notit. Ne si federatë i kemi marrë të gjitha masat tona organizative, që ky kampionat jo vetëm të zhvillohet sa më mbarë, por njëherësh të gjithë pjesëmarrësit edhe të argëtohen në këto ditë të nxehta të korrikut. Nuk do bëhem i bezdisur ta përsëris, se këtu pres të thyhen shumë rekorde kombëtare, madje edhe në ato gara ku rekordet kanë jetëgjatësi pa u prekur. Stërvitja e gjatë dhe angazhimi i të gjithëve besoj se edhe këtë veprimtari do ta kalojmë me sukses. Trajnerëve e notarëve ju uroj sukses: Garë të mbarë!”. Kampionati Kombëtar i Notit do zhvillohet për të dy kategoritë, të Rritur dhe të Rinj, meshkuj dhe femra duke u shtrirë në dy ditë, e hënë dhe e martë, 17 e 18 korrik 2023.

150 notarë

Në Kampionatin Kombëtar të Notit, të Rinj e të Rritur do të garojnë rreth 150 notarë, meshkuj e femra

8 ekipe

Në Kampionatin Kombëtar të Notit, të Rinj e të Rritur do të marrin pjesë 8 ekipe me meshkuj dhe femra