Nga BUJAR QESJA

E mësova lajmin e vdekjes së Bon Kadiut, nga miqtë e mi aktivë në fushën e sportit, kur ndodhesha me familjen dhe një grup durrsakësh në Selanik të Greqisë, teksa kishim nisur rrugëtimin drejt Stambollit. Duke e mësuar këtë lajm të kobshëm në mesnatë, më fluturuan orët e gjumit deri në mëngjesin e parë të 29 nëntorit 2018. Pagjumësia u shoqërua, me përfytyrimin e këtij portreti aktiv të notarit cilësor, të organizatorit të devotshëm të mjaft kuvendeve të notit, të promovuesit më të fuqishëm, të këtij sporti primar në Durrës, të qytetarit plot sharm e hijeshi, të një vlere që do të vijë gjithnjë duke u rritur. Kemi humbur Mirbon Kadiun, apo Mirban Kadiun, apo Bon Kadiun. Emri i tij është domethënës dhe ka shkuar paralel me kohën. Bënte gjithnjë mirë Boni ynë, Bon durrsaku ynë i përjetshëm, Bon lozonjari, Bon i mirëprituri kudo, me një popullaritet të palëkundur. Vëreni miqtë e mi statusin e së bijës. Fatbardhës, kur bëri të njohur lajmin e vdekjes së të atit. Para se të filloja këtë shkrim ishin bërë 1100 komente dhe klikuar 647 persona, të një mase tejet të ndjeshme, që fokusoheshin në një pikë: Ngushëllime për këtë njeri të madh të notit, për këtë qytetar të ndjeshëm, për këtë personalitet shumëdimensional. Një famë që do ta dëshironte çdokush, e arritur me mund e bindje, me sakrificë e përulësi ndaj së mirës, ndaj asaj që është dhe çmohet kurdoherë si e vlefshme. Më parë se të notonte në ujë, ai notoi i sigurt dhe me mjaft bukuri, ne detin e gjerë shpirtëror të njerëzve, së pari të durrsakëve të tij, duke u bërë idhulli i tyre. Nuk do të mësohemi lehtë. Për fatin tim të mirë, jam mësuar kaherë por edhe tani e kam këtë privilegj, që kaloj kohë me sportistë të Klasit të Parë, me sportistë që kanë bërë histori, me sportistë që rrezatojnë bukuri shpirtërore dhe qytetari, me sportistë me ideale, me vlera urtësie dhe fisnikërie, që reflektojnë me këtë shembull në ngritjen e asaj që quhet dinjiteti njerëzor. Bon Kadiu vinte gati përditë tek unë, para se të sëmurej Eftimia, gruaja e tij e paharruar dhe më rrallë pasi u sëmur edhe vetë gjiganti. E ndjeu shumë humbjen e saj, aq sa shpirti filloi t’i lëkundej. Donte qe interesimi dhe kujdesi për notin te ruhej dhe kjo shërbente edhe si amanet nga të mirët durrsakët tanë, për të nxitur përpjekjet, e për të mbrojtur ngjyrat e sportit dhe notit durrsak. Dhe Boni im më reklamonte vlerat, duke ma nxitur sedrën për të punuar akoma më shumë, por edhe të reflektoja disi edhe për të evituar atë, që populli e quan rritje të mendjes, eufori dhe autolëvdatë. Ai më ngrinte për të merituar besimin e punës sime, që ishte e lidhur si mishi me kockën me përkushtimin e tejskajshëm të këtij burri, në ruajtje të asaj që është bërë me shumë mund, me shumë përpjekje, me shumë sakrifica. Sa më hyri në zemër ky njeri. Ka qenë nga personazhet më të preferuara të zanatit tim. U bëmë miq dhe shokë ta pandarë. Ndonëse Bon Kadiu është i datëlindjes, 11 qershor 1933 dhe u nda nga kjo botë duke konsumuar 85 vite e 181 ditë, ndërsa unë 18 vite më i ri, ishim bërë vëllezër, duke krijuar një binom tejet aktiv në mbrojtje të vlerave dhe historisë së notit dhe sportit të Durrësit. Nuk do të mësohem lehtë vëlla me humbjen tënde. Vështrimi im do të tretet gjithnjë, në çdo mëngjes në rrugën që vije për ditë të më takoje. Ajo biçikletë e vjetër, që të mbajti mbi “krahët” e saj shumë e shumë vite, më duket më e bukura në botë. Mbajti një mjeshtër, e ajo kthehet në një relikte që duhet ruajtur. Kur dilja nga lagja “Sefer Efeniu”, poshtë në fillimin e saj, e dija që do të takoheshim bashkë, e do të çmalleshim. Të pyesja si i ke mushkëritë mjeshtër, e më thoshe duke lotuar paksa: atë oksigjen po racionoj miku im, durrsaku im Bujar. Do të më dalë edhe për pak orë, sa të rimbushen përsëri mushkëritë e mia tashmë të dobësuara. Qaja në shpirt. E ti nuk e dije vëlla, sa e përjetoja këtë gjendje tënden dhe i lutesha Zotit me pëshpërimën, që e dëgjonte vetëm zemra ime: Ma mbaj në jetë këtë njeri brilant, këtë vlerë të gjallë tonën, të durrsakëve, si pronë e pandërrueshme e tyre edhe për disa kohë. E ndjeja që ishe keq, por s’të dëgjova të ankoheshe. Dhe kafen e shpirtit tënd, ndonëse jetën tashmë e kishe me pikatore, nuk u ndave nga durrsakët e tu. Një mësim i madh ky që na dhe, për të qenë bashkë, për të jetuar së bashku, për të mbrojtur së bashku vlerat dhe identitetin tonë, për të mos u nëpërkëmbur, e për të na e hedhur, ato që nuk i kanë shërbyer këtij qyteti qoftë edhe një minutë. E tani! Çfarë tani! Lotët në fytyrën time, më duken si valët e detit, ku ti, miku im, notoje e notoje pafundësisht, duke nisur nga zadrat me kujtime dhe mbresa për durrsakët, e deri tek pishina, ëndrra jote e madhe. E tani! E tani, as kam ndërmend të mësohem, duke mos besuar tashmë jo se jo, por edhe shumë kohë më tej, se s’do të të takoj aty, se s’do të shikoj më aty, në atë vend, në atë tavolinë, ku ngriheshe menjëherë sapo më shikoje, duke respektuar veten, kulturën dhe nivelin e qytetarisë durrsake dhe bisedonim si zakonisht.


Nuk ta jap fjalën Bon Kadiu, se do ta kaloj pa u ndjerë humbjen tënde, se do të mësohem pa ty, se nuk do të të shikoj më, nuk do të kem pranë këshillat e tua, e atë komunikim aq të përsosur. Më fal mjeshtër, se nuk t’u ndodha pranë atë ditë, kur durrsakët e mi vendosën mbi shpatullat e tyre, trupin tënd të pa jetë! Në vend të dheut mbi varrin tënd, unë njoma zemrën time me lot dhe ngushëlloja e ngushëlloja veten të pa mbajtur. Nuk mund të vdesë një njeri si ty. Arkivoli tashmë është në tokën e Durrësit tënd, që aq shumë e doje, por trupi yt, është dhe do të mbetet sa të kem frymë, brenda trupit tonë, brenda trupit tim. Çfarë kemi humbur! Me 28 nëntor 2018, largohet nga jeta një njeri jo do kudo. Ishte dhe mbeti një emblemë. Ishte dhe mbeti një historian i notit. Sa i saktë, sa i zellshëm, sa pasionant në atë që quhet historia dhe vlerat e notit. Sa shumë dhe mjeshtër! Sa shumë u mundove për këtë sport jetik për Durrësit dhe durrsakët! Sa dëshirë kishe të botoje, një libër kujtimesh për notit! Madje më thoshe disa herë, që e ke gati për botim. Sa shumë kam shkruar për ty Bon Kadiu dhe sa herë që botoja, nuk isha i bindur se i kisha thënë të gjitha. Ti e mbrojte notin durrsak, më shumë se vetveten. Ti i dole për zot atij edhe kur mundoheshin ta nëpërkëmbnin. Më ke emocionuar pa masë, kur erdhe një ditë e më the, ashtu i përmalluar dhe i sigurt, që do të bëhej ajo që kishe menduar:

-Kam menduar tërë kohën Bujar, se kujt mund t’ia lë mjaft materiale për notin. Merri këto kaseta, se janë një pjesë aktive e notit tonë, e notarëve tanë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk jetojnë. Janë veprimtari të bëra në vite. Më mirë se ty që ke dhënë prova e je munduar dukshëm, nuk kam se kujt t’ia lë. Po të them edhe këtë tjetrën. Në disa evenimente, kam promovuar stenda të tëra për historinë e notit. Doja të ti leja edhe ato. Por i zotërojnë të tjerë. Është puna ime, që ia le në shërbim historisë së qytetit. Dhe lotët rrodhën, në lëkurën e rreshkur tashmë të fytyrës tënde. E kuptova që ishte një lloj amaneti. Dhe unë bërë si një betim para teje. Të jesh i sigurt, të thashë se, në qoftë se kjo jetë është me radhë, do të punoj edhe për mjaft vite, për ëndrrat e tua, për ëndrrat e Taq Dafës, të Shaqir e Sabri Kapexhiut, të Agron Ismailatit, të Xhevdet Mitrakut e Bashkim Dakolit, të Burhan Trumës e Arben Rrogozhinës, të Dhimitraq Gogës e Spiro Urumit, të Ilmi Kapllanit e Kristaq Bekridhelit, të Sul Tufës e Skënder Kuranit, të emrit tjetër të spikatur Koço Afezollit, Eqerem Korrës e Milorad Jeremiqit etj., etj. Njeri tejet i veçantë ky Bon Kadiu dhe i bekuar nga Zoti! Me 11 qershor 1933 u lind. Po ku? Në det, madje në ujërat shqiptare. I ati kishte dëshirë, që ky fëmijë të lindej në Durrës dhe jo në Itali. Dhe nëna e Bonit, udhëtoi në drejtim të Durrësit, për të plotësuar dëshirën e të shoqit. Të qarat e një fëmije, u dëgjuan në mes të detit. Ai ishte Bon Kadiu. Dhe qëlloi që jetën fëmija, e lidhi me detin. Në det lindi, e në det jetoi miku ynë i paharruar, Mirbon Kadiu. Dhe rasti i dytë është. Me 26 nëntor 1912, ku Sul Kadiu, babai i Mirbonit ishte nga kryesorët që ngriti në Durrës, flamurin e Ismail Qemalit. Dhe si përkim tejet origjinal është largimi nga jeta i Bonit, bash në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, që ai e deshi aq shumë. Lamtumirë Bon Kadiu! Bindu, se je i gjallë nga të gjallët! Nuk kishte se si të mungonte shkrimi im, në këtë ditë fatkeqe që na ndodhi. Dhe gjithnjë më thoshe me shaka: Mos harro të shkruash diçka, kur të vdes! Qeshnim, e qeshnim pa pushim. Humorin tënd, njerzillëkun tënd, bindjet dhe përkushtimin tënd ndaj notit, qytetarinë tënde, do ta vazhdojnë të tjerë. Një ndër ta jam edhe unë.

 

Skeda e plotë e Mirbon Kadiut
-Cili është një i dytë pas tij?

Lindi me 11 qershor 1933 në Durrës.
Viti 1948 në kampionatin e parë për të rinj në 50 m stil i lirë zë vendin e parë, duke u shpallur kampion Kombëtar.
Viti 1949 në kampionatin për të rinj zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1950 në kampionatin për të rinj zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1951 në kampionatin për të rinj zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1952 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë me ekipin e Durrësit duke u shpallur kampion kombëtar
Viti 1953 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë me ekipin e Partizanit duke u shpallur kampion kombëtar
Viti 1954 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion kombëtar
Viti 1955 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë me ekipin e Durrësit duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1956 në kampionatin për të rritur arrin kulmin si sportist duke zënë vendin e parë dhe shpallur kampion kombëtar në këto gara stil i lirë 200 m,stil i lirë 400 m,stil i lirë 1500 m, në 2 stafeta,në katërnotim dhe në vaterpol (gjithsej 7 herë kampion).
Viti 1957 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 400 m stil i lirë,në garën stafetë 3×100,në garën 4×100 duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1958 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 400 m stil i lirë dhe në garën stafetë 3×100 duke u shpallur kampion kombëtar
Viti 1959 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion Kombëtar.
Viti 1960 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 200 m stil i lirë dhe 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1961 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat 400 m stil i lirë duke u shpallur kampion kombëtar.
Viti 1962 në kampionatin për të rritur zë vendin e parë në garat stil i lirë 200 m,stil i lirë 800 m, stil i lirë 1500 m,në stafetë, në katërnotim dhe në vaterpol duke u radhitur në 10 sportistët më të mirë kombëtare.
Viti 1956, 1962, 1966 Tri herë fitues i maratonës në not. duke u shpallur kampion kombëtar
Viti 1962, Fitues i anketës 10 sportistët më të mirë kombëtare
Viti 1953-1964 sportist edhe i ekipit të vaterpol Teuta.
Shkëputet si sportist në vitin 1966
1962-1974- Vlerësuar nga Ministria e Kulturës dhe Komitetit Shtetëror i Sporteve si “Notari më i mirë i viteve të pas çlirimit”.
1974 Medalja “Naim Frashëri” me rastin e 30-vjetorit të çlirimit.
2003, Medalje “ Ari” dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve.
2003, Diplomë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhënë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për kontributin e dhënë në sport.
2006, Flamuri dhe kupa mbarëkombëtare për moshat e treta, Prishtinë
30 gusht 2012, Boni legjenda e notit shqiptar.
15 dhjetor 2012, Organizohet Kupa Mirban Kadiu.
Fitues i të gjitha garave “Festa e Detit”


Pasi shkëputet si sportist ka punuar si trajner për 10 vite në Qendrën Kulturore për Fëmijë Dhjetor 1997, Vlerësuar nga qyteti i Durrësit “Notari më i mirë i shekullit”.1998-2016, Diplomë- Notari më i mirë në kampionatet kombëtare të notit për veteranë.
Është notari, i cili arriti 13 herë normën e mjeshtrit të sportit.
Notari i vetëm shqiptar, që fitoi në një kampionat 7 medalje të vendeve të para (në vitin 1956). Federata Shqiptare e Notit, disponon dokumente në të cilat konfirmohet se Mirban Kadiu, është notari i talentuar dhe fitues absolut në garat 200, 400, 800, 1500 m stil i lirë dhe në shumëgarësh 3×100 metra.
Në moshën 70 vjeçare, në pishinë të mbyllur, arrin të përshkojë 25 metrat me kohën 24 sekonda, që i takon kategorisë master.
Për moshën 75 vjeçare, me kohët e shënuara në distancat e shkurtra, renditet në vendin e gjashtë në botë për moshën.
Duke qenë një nga 10-15 sportistët më të mirë në botë për sportin e notit në vitin 2016, vlerësohet me “Medalje e Karrierës” dhe çmimin “Notar i cilësisë të lartë” me mirënjohje nga Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku

Agim Çiraku:

Presidenti i FSHN, z Agim Çiraku i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes  Kadiu për ndarjen nga jeta të figurës legjendë të notit shqiptar Mirban Kadiut. Me emrin  dhe veprën e Ban Kadiut, noti humbi kampionin absolut,  sportistin e talentuar, mikun e shtrenjtë,  frymëzuesin e  sa e sa brezave  që e kanë pasur dhe do ta kenë idhull të tyre.