Moisi Dalipi: Dënimet nga FIFA, Flamurtari, Luftëtari dhe FSHF-ja

382

Pak ditë më parë FIFA ose e thënë ndryshe Qeveria e Futbollit Botëror nëpërmjet Dhomës së Zgjidhjeve të Konflikteve ka tronditur fort dy klube të Kategorisë Superiore, pikërisht Flamurtarin dhe Luftëtarin. Siç bëhet me dije FIFA ka marrë vendimet për të dënuar këto dy klube futbolli për detyrimet e pashlyera që ato kanë pas vendimit të formës prerë për futbollistët që kanë qenë pjesë e tyre në sezonet e kaluara. Kështu FIFA i ka bllokuar klubit të Flamurtarit për tre sesione merkaton e afrimit të futbollistëve. Më qartë bëhet fjalë për bllokim në merkaton e janarit dhe gushtit 2020 dhe janarit 2021. Por një masë e e tillë, por pak më e zbutur është marr dhe për klubin e Luftëtarit për ti bllokuar merkaton e janarit 2020. Në qendër të këtyre vendimeve janë ankesat e bëra pranë këtij organizmi të futbollit botëror nga dy futbollist pjesë të skuadrave respektive sezonet e kaluara .Dhe janë pikërisht mbrojtësi rumun i Flamurtarit Kristian Sirghi për pjesën e parë të sezonit 2018 -2019 dhe mesfushorin brazilian të Luftëtarit për sezonin 2017-2018 Marko Aurelio. Të dy kanë pretenduar dhe kanë fituar të drejtën nga FIFA për t’u dëmshpërblyer për shumat e pa likuiduara për 40 mijë euro dhe 60 mijë euro.

Për më tepër akoma, që këto vendime për dëmshpërblim janë marr nga FIFA në shtator 2019 për Flamurtarin dhe dhjetor 2019 për Luftëtarin, edhe pse nga ana e FSHF –së ato nuk janë bërë publike më përpara. I parë pak më gjerë problem, rezulton se mbrojtësi rumun Sirghi i afruar tek Flamurtari në verën e sezonit 2018-2019 u aktivizua vetëm në tri ndeshje të kampionatit dhe një ndeshje të Kupës të Shqipërisë. Pas një dëmtimi të pësuar, më 29 shtator 2018, ai udhëtoi drejt Rumanisë për të mos u kthyer më tek skuadra vlonjate. Dhe koha e përgjithshme e tij i aktivizuar tek Flamurtari nuk shkoi më shumë se 186 minuta në fushën e lojës. Por vetë lojtari e kishte paralajmëruar klubin për shlyerjen e detyrimeve sipas kontratës. Gjithsesi mos korrektësia e klubit vlonjat që e mori jo seriozisht këtë gjë i ka kushtuar atij plot 40 mijë euro. Madje FIFA ka kërkuar disa herë të jetë në dijeni të shlyerjes së këtij detyrimi ndaj futbollistit rumun. Pak më ndryshe në përmbajtje, por jo në shumën e kërkuar është edhe problemi i brazilianit Aurelio të Luftëtarit, që për mos shlyerje sipas kontratës së lidhur në sezonin 2017-2018 kërkon 60 mijë euro. Gjithsesi, pasi janë mësuar vendimet e formës prerë të FIFA –s kanë ardhur dhe reagimet e para nga drejtuesit e të dy klubeve. Administratori i klubit Flamurtari, Sinan Idrizi është shprehur se: “Nuk është në dijeni për këtë problem dhe nuk ka asnjë njoftim për bllokim të merkatos.” Por, sipas tij, tek klubi vlonjat vazhdon puna që pas afrimit të trajnerit-menaxher Troisi që synohet afrimi në skuadër i prurjeve të lojtarëve nga brenda dhe jashtë vendit. Kurse presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj shprehet se: “Nuk jemi fare të shqetësuar nga ky problem. Bllokimi do hiqet shumë shpejt nga FIFA, sapo të arrijmë të përfundojmë marrëveshjen me lojtarin Aurelio”. E thënë më qartë, të dy drejtuesit e lartë të klubeve ose bëjnë të paditurin ndaj këtyre vendimeve, ose nuk iu pëlqen të thuhet e vërteta ashtu si është në fakt. Gjithsesi duan apo s’duan këta drejtues, një gjë është e saktë, që FIFA i ka bërë zyrtare të dy këto vendime dhe po monitoron me kujdes zbatimin e tyre. Duke e parë problemin më në brendësi rezulton, se të dy klubet si Flamurtari dhe Luftëtari u përballën me probleme të mos licencimit për të mos marrë pjesë në kampionat të Kategorisë Superiore për sezonin 2019 -2020 që muaji gusht të vitit kaluar. Dhe bëhej fjalë për borxhe dhe detyrime financiare të pa likuiduara ndaj subjekteve shtetërore, për detyrimet në tatim–taksa , sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Por kjo situatë u tejkalua falë një ndërhyrjeje nga ana e FSHF-së me Ministrinë e Ekonomi-Financës duke nënshkruar një marrëveshje për likuidim me këste të këtyre detyrimeve. Nga ky veprim përfituan dhe klubet e Vllaznisë dhe Tiranës që kishin dhe ato probleme të tilla.

Por duhet pranuar se ky detyrim i pa likuiduar ka shtyrë vetëm afatin kohor dhe nuk është shuar si borxh, kur tashmë është bërë “mal” nga shumat e detyrimeve dhe penalitetet që duhen shlyer ndaj shtetit. Por përtej këtij fakti shqetësim aktual për Flamurtarin dhe Luftëtarin janë marrëdhëniet me FIFA–n tani së fundi, për zbatimin e vendimeve që ajo ka marrë ndaj këtyre dy klubeve. Theksojmë një fakt të ngjashëm në janar të vitin 2017 ndaj Tiranës, për mos likuidimin me disa ditë vonesë ndaj lojtarit bullgar Martin Kavdaski ku klubi Tiranës u bllokua nga FIFA për mos zhvillim të merkatos së janarit 2017 që, ndoshta i solli asaj dhe rënien nga Kategoria Superiore atë sezon. Por në këtë rast të habit fakti që deri tani nuk ka asnjë prononcim dhe reagim nga FSHF-ja për këtë problem, por të dy klubet vazhdojnë punën e tyre sikur të mos ketë ndodhur asgjë për ndëshkimin nga FIFA. Madje, nga llogaritë që bëhen nga ana e tyre, shpresohet shumë se me përforcimet që po bëjnë tani, do të sigurojnë qëndrimin në Kategorinë Superiore. Dikush me dashje, në këtë klimë aspak të mirë të marrëdhënieve të klubeve shqiptare me FIFA–n sjell si shembull ekipet e nivelit botëror; Milanin apo Çelsin që thjesht shkelin rregullat e lojës gjatë merkatos dhe jo të mos likuidojnë shumat financiare të futbollistëve siç veprohet në Shqipëri, ku me këto metoda vetëm po skllavërojnë futbollin shqiptar. Duke dashur të marrin si shembull në këtë rast Flamurtarin janë disa futbollistë të huaj që janë aktivizuar sezonet e kaluara tek kjo skuadër dhe që nuk janë likuiduar e, për pasojë, i janë drejtuar FIFA–s. Më tipik është rasti sulmuesit brazilian Danilo Alvesh, që nga sa mësohet e ka paditur klubin Flamurtari në FIFA dhe nuk është Budi që në ditët e ardhshme Dhoma e Zgjidhjes Konflikteve pranë këtij institucioni të japë një vendim të tillë të radhës. Ndërkohë sulmuesi Jurgen Vatnikaj ka paditur në DHZK e FSHF–së klubin vlonjat që nuk i jep lejekalimin për t’u larguar, sepse i kërkohet të nënshkruajë një marrëveshje ku të thuhet se “Klubi Flamurtari nuk ka detyrime ndaj tij”, kur në fakt është e kundërta. Vetëm këto ditë nga Flamurtari janë larguar plot 10 futbollistë e ,sipas tyre “kanë zgjedhur largimin për mosshlyerje të detyrimeve në paga”.

Por po të thellohesh në vitet e kaluara ka dhe futbollistë të tjerë të larguar vendas dhe të huaj, të cilët kanë parë si zgjidhje largimin nga skuadra, sepse nuk janë trajtuar nga ana financiare sipas kontratës. Tek klubi Luftëtarit rasti më i freskët është ai i mes fushorit Donald Rapo, pa folur këtu për shumë të tjerë që janë larguar tani së fundi ose të tjerë në sezonet e kaluara. Në fakt vendimet e fundit të FIFA–s që nuk janë as të parat si raste, po nxjerrin në pah më së miri gjendjen e vërtetë të sportit shqiptar. Kjo tregon se menaxhimi klubeve ka rënë në dorë të njerëzve që duan ti trajtojnë futbollistët, jo sipas rregullave dhe standardeve të pranuara nga vetë ata, por si punonjës të skllavëruar të futbollit shqiptar. Në shumë klube futbolli nuk janë të pakta rastet kur drejtuesit jo korrektë të klubeve i detyrojnë futbollistët të firmosin një marrëveshje për largim të parakohshëm nga skuadra jo si rezultat i mos shlyerjes të detyrimeve kontraktuale, por si rezultat i “një marrëveshjeje që nuk ka asnjë detyrim nga klubi”. E thënë më qartë duhet të falësh rrogat e pa marra që të ikësh, për shkak të këtij problemi që nuk merr zgjidhje. Një epidemi e keqe që kjo ka prekur futbollistët e rinj kryesisht ata shqiptar, sepse të huajt ia kanë marrë dorën, duke i zgjidhur këto marifete të klubeve shqiptare me anë FIFA–s. Dhe është fakt se të gjithë ata që kanë vepruar kështu kanë fituar, kurse futbollistët shqiptarë që mbajnë sytë nga DHZK–ja pranë FSHF-së presin me vite për të zgjidhur të drejtën e tyre ligjore.

Rasti i dy futbollistëve Sirghi dhe Auerlio tregoi qartë, se drejtuesit e klubeve tona sportive , mendojnë se duke iu mbajtur rrogën futbollistëve të huaj do bëjnë “filma” me institucionet e nivelit botëror, si është FIFA. Por rasti i Flamurtarit dhe Luftëtarit tregon dhe për atë që FSHF–ja tregohet shumë e guximshme kur licencon klube futbolli që nuk janë korrekt me pagat e futbollistëve dhe që kanë detyrime të pa likuiduara. Pasojat pas kësaj, dihet cilat janë, edhe pse vonohen pak në kohë, ato dalin shumë qartë në dritë. Jashtë kësaj përgjegjësie nuk është dhe MKRS dhe qeveria, që nuk duan t’ia dinë fare për gjendjen ku është dhe atë çfarë po kalon këto vite futbolli dhe sporti shqiptar. E pra, vendimet e dhëna tani së fundi nga FIFA ndaj dy klubeve të futbollit Flamurtari dhe Luftëtari janë më shumë se kaq, që do të thotë ndryshe: Janë një sinjal i fortë alarmi për gjithë sportin shqiptar.