Ilir Halili, agjenti që ka “pushtuar” Gjirin Persik

2063
Sigal

Menaxheri i njohur tregon për “Telegraf” futbollin në Sirinë e Bashar al Asadit dhe atë në Iranin e Ahmedinexhadit

Një ish-lojtar i Partizanit në rininë e tij, por dhe me një të kaluar si futbollist profesionist me Al Karamah, pikërisht në Sirinë e Bashar al Asadit, Ilir Halili punon prej pesë vitesh si agjent lojtarësh, qysh kur pësoi disa dëmtime, të cilat nuk e lejuan më të vazhdonte futbollin e luajtur. Folës i rrjedhshëm i anglishtes, turqishtes dhe arabishtes, çka i ka mundësuar edhe kontaktet më vendet e pasura të Gjirit Persik. Halili ka luajtur Partizanin me të rinjtë, ndërkohë që në vitet 2001-2003 kam luajtur në Siri, më Al Karamah, një prej skuadrave më të njohur në Siri, e ka fituar tetë herë kampionatin dhe po aq herë Kupën, si dhe ka qenë nënkampion i Ligës së Kampioneve të Azisë në vitin 2006. Po te Al Karamah ai vari “këpucët në gozhdë”, për shkak të disa dëmtimeve serioze.

– Ilir, prej disa vitesh punon si agjent lojtarësh. Në cilat shtete është fokusuar aktiviteti juaj?

– Aktiviteti im është fokusuar me së shumti në zonën Aziatike, por me i përkushtuar kam qene në vendet e Gjirit Persik, siç janë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, por gjithashtu kam punuar edhe me Turqinë.

– Shumë legjionarë shqiptarë po bëjnë një figurë të mirë në arenën ndërkombëtare. A keni pasur mundësi të ndiqni disa prej tyre?

 – Për të qenë i sinqertë, nuk i kam ndjekur të gjithë, pasi kjo është normale edhe për shkak të angazhimeve të punës që kryej. Por, kam qenë i pranishëm në disa ndeshje të Ervin Bulkut dhe Xhevair Sukajt te Sepehani në Iran. Janë duke luajtur shumë mirë dhe rregullisht. Sezonin e kaluar ndoqa në aksion Besart Berishën me Brisbejn Roar, kur dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Australisë. Edhe portierin e ri të Kombëtares, Etrit Berishën, e kam ndjekur shpesh në kampionatin suedez. Më ka lanë një përshtypje shumë të mirë. Mendoj se, ka një të ardhme të madhe dhe, është padyshim i denjë për të mbrojtur portën e Kombëtares sonë. I ka të gjithë cilësitë për të luajtur në një kampionat më të fortë se ai suedez.

 – Ju përmendët Bulkun dhe Sukajn, të cilët po bëjnë një figurë të mirë në Iran dhe  luajnë te skuadra kampione, Sepehani. Cili është niveli i futbollit atje, duke ditur që në miqësoren e muajit maj, të luajtur në Stamboll, Shqipëria fitoi 1-0 më Iranin?

– Kampionati iranian i futbollit është i një niveli të mirë. Luhet një futboll fizik, nuk ka lojtare me emër në arenën ndërkombëtare që luajnë aty, siç ndodh ne vendet arabe, por që 2-3 skuadra në Iran janë të nivelit të lartë në Azi dhe, gjithmonë janë konkurrentë për të fituar Ligën e Kampioneve Aziatike. Sigurisht që, mënyra e jetesë është ndryshe nga Europa, por klubet janë profesioniste dhe normale që lojtarët trajtohen mirë. Sepahani është klub i madh, korrekt edhe në pagesat e lojtareve dhe i trajtojnë mirë futbollistët.

– Para dy sezonesh keni realizuar transferimin e sulmuesit aktual të Flamurtarit, Migen Memellit, në Arabinë Saudite. Sa e lehtë ishte të bindje drejtuesit e Al-Faisalit?

– Transferimin e Migen Memellit e kam kryer në sezonin 2010-2011 te skuadra Al Faisaly, një klub profesionist që luan në Superligën e Arabisë Saudite. Gjithsesi, më parë unë pata përfunduar transferimin e ish-trajnerit të Dinamos sonë, kroatit të njohur Zlatko Daliç. Presidenti i klubit të Al-Faisaly më kërkoi që, t’i prezantoja disa lojtarë të huaj për pozicionet që ata kërkonin dhe, pasi biseduam me trajnerin Daliç, dhe më pas u konsultova me Migenin, i cili atëherë sapo kishte përfunduar kontratën me Flamurtarin, pas një sezoni shumë të mirë, dhashë garancinë time për lojtarin. Daliç e njihte mirë Memellin, pasi punoi si trajner i Dinamos në sezonin 2008-2009, pikërisht në edicionin në të cilin Migeni fitoi “Këpucën e Artë” dhe doli kampion me Tiranën. Statistikat e Memellit e bënë më të lehtë transferimin në Arabi dhe me një shumë të kënaqshme nga pikëpamja financiare.

 – Cilat janë disa nga transferimmet e tua të fundit?

 – Në përgjithësi, lojtarët më të cilët unë punoj janë nga vendet ballkanike, afrikane dhe ato të Amerikës së Jugut. Janë kampionate që nxjerrin vazhdimisht lojtarë cilësorë dhe pëlqehen shumë nga partnerët e mi. Këtë vit kam realizuar transferimin tek skuadra Al Hilal, në Arabinë Saudite të golashënuesit më të mirë të kampionatit rumun, Uesli, i cli është brazilian dhe ka luajtur tek Vaslui për 5 vite me radhë. Po, ashtu tek Al Faisaly kam kryer transferimin e një sulmuesi të Kombëtares së Guinesë, Naby Soumah i cili ka luajtur në kampionatin tunizian. Gjithashtu, janë dhe disa lojtarë të tjerë që, i kam transferuar në vende të ndryshme arabe.

 – Cili është niveli i kampionatit në Arabinë Saudite në raport me atë shqiptar?

 – Përsa i përket nivelit të kampionatit në Arabinë Saudite, niveli është i lartë, luhet futboll i shpejtë dhe teknik. Nëse do ta krahasonim me kampionatin shqiptar është pa dyshim në nivele më të larta, ndërsa kampionati i Emirateve te Bashkuara Arabe, dhe i Katarit, është një nivel pak më i dobët se i Arabisë Saudite, por është kampionat më cilësor nga ana tekniko-taktike, dhe ka trajnerë dhe lojtarë të huaj më të mirë që punojnë atje. Në këto vende për futbollin investohet shumë. I japin një rëndësi të veçantë këtij sporti, dhe argumenti është që ato sot njihen botërisht për ato që investojnë për futbollin.

– Ilir, lë të kthehemi të kampionati shqiptar. Skënderbeu fitoi të mërkurën me Flamurtarin, duke u shkëputur qartësisht me shtatë nga ndjekësi i tij më i afërt, Teuta. Si e shikon edicionin aktual të Kategorisë Superiore?

– Kur duhen edhe dy javë që të mbyllet faza e parë, natyrisht që skuadrat janë shfaqur plotësisht në paraqitjet e tyre, pra tani mund të konstatojmë lehtësisht dhe dy blloqet e mëdha, ato që luftojnë për titullin dhe zonën europiane, si dhe grupin e dytë të ekipeve që do të luftojnë për mbijetesë deri në fund të sezonit, pasi këtë vit bien direkt katër skuadra. Personalisht, nga ajo çka paraqitur Skënderbeu, e shoh si kandidatin kryesor për titull. Kukësi po bën një sezon surprizë, dhe pavarësisht se është debutuese, po paraqet një ansambël serioz. Tirana është në krizë, për shkak dhe të disa rrethanave, jo të zakonshme që po ndodhin në këtë klub. Teuta po bën një sezon të mirë, ndërkohë që pritej më shumë nga Flamurtari dhe Vllaznia.

_____________________________________________________________________________________

“GUS HIDINGU, MIQËSOR; RUD GULIT, BATUTAXHI”

Fokusi i aktivitetit të Ilir Halilit lidhet me drejtues klubesh, trajnerë dhe sigurisht, lojtarë dhe, këtu nuk mungojnë kontaktet, njohjet me emra të njohur të futbollit botëror. “Po, sigurisht, që kam njohje të shumta. Vetë puna që bëj ta afron këtë mundësi, – tha Halili, për gazetën “Telegraf”. “Kontakte të shpeshta dhe mik personal kam Zheljko Petroviç, asistentin e trajnerit të madh Gus Hiding te skuadra e Anzhit Machkalalës, por dhe me vetë holandezin Gus Hidingun njihem personalisht qe kur punonte si trajner i Kombëtares turke. Po ashtu  kontakte personale kam dhe me Rud Gulin, të cilin e kam njohur prej këtyre dy trajnerëve. Të dy janë tipa miqësore, por Rud Gulit është tip më i përshtatshëm për shoqëri, dhe me tepër humor”, – shton menaxheri. Halili ka në listën e tij dhe lojtarë të kalibrit botëror. “Për Tiago Nevesin, i cili luan për Kombëtares e Brazilit dhe për Fluminesen, unë kam autorizimin nga agjenti i atij lojtari për në vendet aziatike”.