Armando Sadiku: “Ëndrra ime, të luaj me Interin”

596
Sigal

Sulmuesi i Kombëtare është golashënuesi më i mirë i Challenge League, në Zvicër: “Ibra, modeli im”

Armando Sadiku shënoi një dygolësh në barazimin 3-3 të Luganos së tij ndaj Araut, kryesuesve të Challenge League, por që i mjaftuan për të marrë kryesimin e golashënuesve të kategorisë së dytë zvicerane. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare fitoi sezonin e kaluar “Këpucën e Artë”, por me Lokarnon, që tani pa golat e shumtë të elbasanasit, dergjet në vendin e fundit. I konsideruar nga mediat zvicerane si lojtari më i mirë i kampionatit, Sadiku, është shndërruar në një idhull në qytetin e Luganos, nga ku kanë dalë disa emra të mëdhenj, përfshirë dhe kosovarin Valon Behrami. Armando ka shënuar deri tani 10 gola në të gjitha kompeticionet, përfshirë kampionatin dhe Kupën e Zvicrës, por dhe një tre golat e shënuar në fitoren 3-1 të Shqipërisë me Qipron, në ndeshjen e parë të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. I rrethuar ngado me tifozë shqiptarë, të cilët krenohen me të, Sadiku tregon për “Telegraf’, jo vetëm atmosferën kuqezi që e rrethon në Lugano, një qytet italishtfolës (55 mijë banorësh) në kantonin e Tiçinos në Zvicër, por dhe për ëndrrën e tij për të veshur fanellën e Interit. Sulmuesi shqiptar ka për model suedezin e fashën Zlatan Ibrahimoviç, me këtë të fundit që ka veshur edhe fanellën e Interit.

Armando, shënuat dy gola ndaj kryesuesve të Challenge League, Araut, pa mundur ta shoqëronit me fitore, pasi ndeshja u mbyll me rezultatin 3-3. A ju erdhi keq që nuk e shijuat fitoren?

Sigurisht, pasi ne kryesuam 2-0, pikërisht më dy golat e realizuar prej meje. Por, në futboll nëse shpërqendrohesh, ndëshkohesh shumë shpejt. Këtë shfrytëzoi kundërshtari ynë, duke e mbyllur takimin në barazimin 3-3. Ishte me të vërtetë një ndeshje emocionuese. Personalisht, do të veçoja golin e dytë, pasi u shënua pas një gjuajtje të fuqishme nga rreth 25 metra, dhe topi pasi u devijua paksa nga portieri goditi shtyllën dhe përfundoi në rrjetë. Është një nga golat e mi më të bukur që kam realizuar në Zvicër. Të vjen mirë, kur je në qendër të vëmendjes. Nuk kam pse ta fsheh, ndjehem shumë krenar për punën time.

Dy gola nuk shënohen shumë shpesh, ka qenë një rast i mirë për t’u festuar?

Në fakt, kjo ishte dopjeta ime e tretë këtë sezon, pasi më parë u kisha shënuar edhe Biel-Bienenit dhe Vohlenit. Trajneri (Davide Morandi), shokët e skuadrës, por dhe presidenti Anxhelo Renceti më përgëzuan. Bashkë me dy lojtarët kosovarë që kam në skuadër, portierin Pajtim Badalli dhe mesfushorin Gëzim Shalaj, por dhe me shumë tifozë shqiptar e festuam shumë bukur pas ndeshjes në një klub shqiptar. Nuk mund ta marrësh me mend sesa shqiptarë ka në Lugano. Shumë prej tyre ishin edhe në Lucernë, kur u luajt ndeshja Zvicër-Shqipëri. Personalisht, kam raporte shumë të mira me tifozët. Të shënosh është një gjë shumë e rëndësishme për një tifoz. Shpesh, më duket sikur jam në qytetin tim, në Elbasan.

Gjithsesi, morët kryesimin e golashënuesve të kampionatit të kategorisë së dytë zvicerane, tashmë në kuotën e 8 golave në vetëm 9 ndeshje. Është bukur apo jo?

Me ish-skuadrën time, Lokarnon, sezonin e kaluar realizova 19 gola në 27 ndeshje, duke fituar dhe “Këpucën e Artë” të Challenge League, ndërsa në sezonin tim të parë në Zvicër shënova 9 gola në 11 ndeshje, por te Lokarnoja atë edicion mbërrita në fazën e dytë. Edhe këtë vit synimi është të fitoj “Këpucën e Artë”, por tani me Luganon. Nëse dëshiron të ikësh te një skuadër e madhe duhet të lësh gjurmë në ekipin tënd.

Gjatë merkatos së verës shumë skuadra të njohura u interesuan për ty, por më në fund zgjodhe Luganon. Sa ndryshon nga Lokarno?

Lugano është një ekip më i fortë, ka më shumë histori dhe për më tepër para disa vitesh ka luajtur në Europë, madje është ndeshur edhe me Barcelonën, Realin e Madridit apo Interin. Ka nxjerrë shumë lojtarë, të cilët më pas kanë luajtur me skuadra të mëdha. Një nga këta është Valon Behrami, që tani luan me Napolin, por është dhe një nga futbollistët më të mirë të Kombëtares së Zvicrës.

Edhe pse merkatoja dimërore do dhe dy muaj të nisë zyrtarisht, klubet dhe menaxherët janë gjithmonë në lëvizje. A ke marrë ndonjë sinjal?

Për të qenë i sinqertë, kam filluar të ndiqem nga disa ekipe. Shumë skauter apo menaxherë kanë qenë dhe vazhdojnë të shikojnnë gjatë ndeshjeve. Janë ekipe gjermane nga Bundesliga 1 dhe 2, zvicerane të Superligës, apo dhe italiane nga Seria A dhe B. Kontaktet i kanë me menaxherin tim, Sokol Haxhia. Destinacioni im më i preferuar është Italia. E ndjek futbollin italian, jo vetëm përmes televizionit, por shpesh shkoj dhe në Milano, pasi Lugano ndodhet jo shumë larg. Së fundi, ndoqa në “San Siro”, ndeshjen Inter-Fiorentina 2-1, që u luajt të dielën.

Ishte një zgjedhje rastësore, apo je tifoz i Interit?

Me thënë të drejtën jam tifoz i Interit. U solla fat. I ndjej me të vërtetë ndeshjet e tyre. Ndoshta, nuk është çudi që një ditë të vesh fanellën zikaltër. Është një ëndërr e imja.

Të gjithë futbollistët kanë modelet e tyre apo lojtarët që adhurojnë. Kë pëlqen më shumë?

Për mua, Zlatan Ibrahimoviç është modeli më i mirë. Është një sulmues i fuqishëm, inteligjent dhe agresiv. Bën gola spektakolarë. E ka treguar me Ajaksin, Juventusin, Interin, Barcelonën, Milanin dhe tani me Paris Sën Zhermenin. Boll të kujtosh, që goli i tij me Suedinë në Euro 2012 u vlerësua si më i bukuri, mjafton.