Nuk mjafton goli i Pandev, Austria shumë e fortë për debutuesit e Maqedonisë së Veriut (VIDEO)

168
Sigal

Maqedonia e Veriut ka debutuar me një humbje në Kampionatin Evropian. Skuadra fqinje, pësoi një humbje 3-1 ndaj Austrisë në Bukuresht, në një duel që dhuroi shumë emocione. Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 18-të me një aksion fantastik të austriakëve. Sabitzer shërben një top në zonë për Lainer, i cili me një goditje fluturimthi e çoi “sferën” në cepin e portës. Maqedonia e Veriut edhe pse pa shumë eksperiencë rigjeti forcat për të sulmuar, teksa goli do të vinte vetëm 10 minuta më pas.

Goran Pandev është në vendin dhe në kohën e duhur për të përfituar nga një keqkuptim i mbrojtësve kundërshtarë, të cilët katranosën gjithçka në hyrje të zonës. Sfida bëhet e luftuar edhe në pjesën e dytë, teksa Nikolov humbi një shans të artë në minutën e 63-të, ndërkohë pak sekonda më pas në krahun tjetër edhe rivalët bën të njëjtën gjë me Gregoritsch.

Kur dukej se gjithçka do të shkonte drejt barazimit, erdhi goli i avantazhit për Austrinë. Pas një aksioni nga e majta në minutën e 78-të, Alaba kroson në zonë atje ku Gregoritsch tregohet më i shpejt se portieri për ta devijuar topin në kuadrat. Në kohën shtesë, Arnautovic i dha edhe goditjen e fundit shpresave të maqedonasve, duke vulosur shifrat në 3-1.