Ali Kastrati, “djaloshi” 90-vjeçar

226

Legjenda e sportit shqiptar dhe “Mjeshtri i Sportit Shqiptar” mbetet një njeri i respektuar nga të gjitha brezat

Kur profesori im, Ali Kastrati, më tha se, do të na mblidhte për të festuar 90-vjetorin e tij të lindjes, me shaka i thashë se mos po gabonte dhe e kishte kthyer numrin 9-të me kokë poshtë. Se e vërteta është se ai, si rrallë kush, e ka sfiduar moshën. Madje ai ka sfiduar edhe atë konstatimin e Moxartit, këtij mjeshtri të papërsëritshëm, që e bëri muzikën hyjnore dhe vetë vdiq shumë i ri, se “Tragjedia e jetës është se plakemi shumë shpejt dhe bëhemi të urtë shumë vonë.” Ali Kastrati ka qenë i urtë dhe i virtytshëm, qysh kur ishte fare i ri. Kontributi i tij si sportist, trajner, mjek popullor, zbulues dhe përkrahës talentesh, në rritjen e tyre deri në shumë herë kampionë dhe rekordmenë të vendit apo që bënë emër në tapetet, pedanat dhe ringjet e Evropës e më tej, përfshin tri epoka: mbretërinë, totalitarizmin dhe demokracinë. Sistemet ndryshuan, por Ali Kastrati mbeti po ai; i dashuruari i madh me Atdheun e tij të shtrenjtë, që vuri të gjitha forcat dhe mundësitë e tij mbinjerëzore, në interes të ngritjes së lavdisë së Shqipërisë, nëpërmjet sportit. Dhe në qoftë se ai vetë, apo ekipet e stërvitura dhe të drejtuara prej tij, në boks, mundje apo peshëngritje, përbëjnë një rekord titujsh kampionë dhe rezultatesh të larta, s’duhet harruar se ai mban edhe një rekord të pashembullt; atë të jetëgjatësisë në lidhjen me sportet, dhe sidomos, atë të Njeriut zemërgjerë e të ndershëm dhe kuadrit që çdo ditë predikoi paqe, mirëkuptim, respekt, qytetari dhe vëllazërim, midis sportistëve. Dhe është kjo arsyeja që atë e respektonin si një autoritet të padiskutueshëm, jo vetëm drejtuesit e lartë të ushtrisë, por dhe emrat e atyre që bënë epokë në sportet tona, si vizionari Rexhep Rama, i mençuri Ismet Bellova, burrërori Besim Fagu, golashënuesi Refi Resmja, gabimisht i lëni në hije, Ziso Kondi, e me radhë mjeshtrit Petrit Murzaku, Ruf Kazazi, Sulejman Maliqati, Muhamet Përmeti, Bejkush Birçe, Ahmet Golemi, Ymer Reçi, Teodor Janku, Hysen Sharra, Luigj Deda, Prokop Beqari, Vehap Xhindolli, Ymer Pampuri, Njazi Lleshi, Faruk Kalleshi, Veliçan Golemi, Rami Sadushi e deri i pandari Et`hem Ibrahimi, duke u ndalur vetëm në disa prej atyre që patën lidhje me ekipet e “Partizanit”.

Duke u marrë me psikanalizën e dinamikës sociale, Erih Fromi dikur pati thënë: “Kërko të jetosh, pleqëria vjen vetë.” Duket, se ky ka qenë edhe postulati që ka ndjekur profesor Aliu, i cili kurrë nuk i është dorëzuar moshës, duke mbetur kështu një monument i gjallë i ecurisë së sportit tonë, por dhe një pikë referimi e adhurimi për breza të tërë sportistësh. Rrethanat fatlume bënë që ky vigan të punonte në një fidanishte të shëndetshme dhe të pafund talentesh sportive që quhej shkolla ushtarake “Skënderbej”. Dhe në qoftë se prej gjirit të saj dolën qindra sportistë të shquar apo dhjetëra e dhjetëra mjeshtër sporti apo mjeshtër të mëdhenj, kjo padyshim që është edhe meritë e padiskutueshme e këtij burri të nderuar që i deshi skënderbegasit si fëmijët e tij, gjersa u kthye në sytë e tyre në një simbol të shenjtë, çka bëri që ata qysh kur ai ishte i ri, ta thërrisnin “Baba Ali”. Shumë e shumë herë kampion i vendit në sportet e rënda dhe fitues i 17 ndeshjeve ndërkombëtare, emri i Ali Kastratit, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”

do të shënohet me gërma ari, si trajner i ekipit të “Partizanit”, ku koleksionoi jo pak, por plot 65 tituj kampioni dhe të gjitha Kupat e Republikës. Po ashtu, ai drejtoi me mjaft sukses edhe ekipet tona kombëtare, duke qenë ai që përgatiti dhe frymëzoi shumë nga ata që ngritën me dinjitet dhe krenari flamurin tonë kuq e zi nëpër botë. Profesor Aliu, duke bashkuar në një humanizmin me përvojën e fituar në vite, për një kohë të gjatë ndoqi pas ekipet tona sportive, duke rehabilituar me shpejtësi sportistët që mund të pësonin ndonjë traumë apo mund të dëmtoheshin gjatë ndeshjeve dhe e vazhdon këtë profesion edhe sot e kësaj dite, për këdo që ka nevojë për ndihmën e tij të pakursyer. Mesa duket, kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndofta deri kur të kremtojmë 100 vjetorin e lindjes së tij, si për të na vërtetuar drejtësinë e Bernard Shout që thoshte se “Jeta nuk është një qiri, por një pishtar që duhet mbajtur ndezur me çdo mënyrë.” Por edhe për të na treguar se edhe njerëzit e mençur apo gjenitë si Moxarti, mund të gabojnë në sentencat e tyre.

 Kush është?

Ali Kastrati u lind në Preshevë më 20 Gusht 1922 është mjeshtër i Sportit, Trajner i Merituar (Kombëtar). Ali Kastrati ka qenë 15 herë kampion kombëtar në boks, 16 herë në mundje dhe 15 herë në peshëngritje si trajner. Fitues i të gjitha kupave të Republikës në mundje (1951-1966), në boks (1951-1963) dhe në peshëngritje (1949-1966), si trajner me Partizanin. Fitues i 3 medaljeve të arta si trajner në Spartakiadën e parë Kombëtare me Partizanin në të 3 sportet.

– Trajner i ekipeve kombëtare në boks, mundje e peshëngritje (1958,1960 dhe 1963).

– Mban 65 medalje të kampionit kombëtar.

– Ka zhvilluar 20 takime ndërkombëtare dhe rreth 300 ndeshje si boksier.

– Është zgjedhur midis 12 sportistëve më të mëdhenj shqiptarë për të gjitha kohët (1998).

– Është nderuar me medalionin “Nderi i Sportit Shqiptar”

– flet këto gjuhë:: bullgarisht, turqisht, serbokroatisht, italisht.

Europiani i Shtangës në Tiranë

 Sot, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të nënshkruhet kontrata midis Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Federatës Europiane të Peshëngritjes për zhvillimin e Kampionatit Europian për të rritur, që do të mbahet në Tiranë në datat 15-23 Prill 2013. Delegacioni përbëhet nga Antonio Urso, President i Federatës Europiane të Peshëngritjes (EËF) dhe David Goldstrom, Drejtori i rrjeti televizivv, Eurosport.

 Federata Kosovare e Futbollit duhet të njoftojë Serbinë përpara se të luajë ndeshje

 FIFA i bën “puç” Kosovës

 Edhe pse u prit me shumë entuziazëm vendimi i FIFA-s i 14 dhjetorit, që i lejonte Kosovës të zhvillonte miqësore ndëkormbëtare në nivelin e Kombëtares së Femrave, atyre të Moshave (U-15, U-17, U-19, U-23) dhe klubeve, qeveria e futbollit botëror ka hedhur një hap të pazakontë prapea, madje duke i dhënë një goditje shumë të rëndë futbollit në shtetin më të ri të Evropës. Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se në i ka mbërritur shkresa zyrtare nga FIFA në lidhje me vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv për modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën. Informacioni në këtë shkresë është krejtësisht e ndryshme në përmbajtje, nga njoftimi i parë që është publikuar në sitin e FIFA-s. Në shkresën e dërguar nga FIFA thuhet se Kosovës i lejohet zhvillimi i ndeshjeve, por vetëm jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore (Himn kombëtar e Flamur), por me himn e flamur të FIFA-s. Kjo, për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së është plotësisht e papranueshme. Ndonëse nuk është e saktësuar paraqitja me atributet e Kosovës vlen vetëm për ekipet përfaqësueses. Por, vendimi më i papranueshëm është ai që para zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, Federata Kosovare duhet të njoftojë paraprakisht Federatën Serbe. FFK ka reaguar menjëherë, duke i kthyer përgjigje FIFA-s se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Kosovare, Eroll Spahiu, është shprehur për mediat kosovare se vendi i tij nuk do ta pyesë kurrë për ndonjë gjë Serbinë e aq më pak për futbollin. Kërkesa e FIFA-s që Kosova të njoftojë më parë Serbinë është jo vetëm një hap i madh prapa në lidhje me anëtarësimin e Kosovës, por edhe krejtësisht e pavend. Një praktikë e tillë aplikohet vetëm për federata që përfaqësojnë territore të pavarur brenda një vendi sovran dhe anëtar i FIFA-s. Është e qartë që të gjitha këto janë lojëra politike të vendeve të ndryshëm, ndërkohë që edhe UEFA nuk ka qenë dakord me miqësoret e Kosovës apo anëtarësimin e saj pa u bërë më parë anëtare e OKB-së, gjë ende e pamundur për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe Rusisë. Ndërkaq, numri i vendeve që njohin Kosovën si shtet është shtuar, pas njohjes nga Pakistani.

 Orges Shehi fiton “Topin e Artë 2012”

 Portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, u votua si lojtari më i mirë i vitit 2012, duke fituar edhe trofeun përkatës. Për durrsakun kjo është hera e parë që e fiton këtë çmim prestigjioz, të dhënë në “Galanë” e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, në Durrës. Shehi ka dalë dy herë kampion me Skënderbeun dhe është në rrugën e duhur për ta fituar atë për herë të tretë rresht. Orgesi njihet për sjelljen e tij shembullore, brenda dhe jashtë fushe.