Sporti dhe politika, nga ministri Pele te presidenti Ueah

637
Sigal

Kolonel Gadafi kishte aksione te Juventusi; Sadam Hysein ishte presidenti i Federatës së Futbollit në Irak

 Sporti dhe politika shpesh kanë një lidhje të fuqishme midis tyre. Sportistë të famshëm e kanë shfrytëzuar popullaritetin e tyre për të fituar pushtet, për të qenë deputetë, ministra, madje dhe të kandidojnë për t’u zgjedhur si president i vendit të tyre. Rastet janë të shumta. Madje janë shumë presidentë apo kryeministra që në rininë e tyre janë marrë me sport. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve të kolegjit ka luajtur basketboll, madje sipas mediave amerikane, ai ka qenë një lojtar i nivelit të pranueshëm. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton mbetet një fans i zjarrtë i golfit. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, një ish-shef i KGB-së, është i pasionuar në artet marciale, e sidomos në xhudo. Putini është trajnuar edhe në sambo, qysh në moshën 14 vjeç, përpara se të merrej me xhudo.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, në rininë e tij ka qenë një futbollist gjysmë-profesionit për një periudhë gati 13-vjeçare (1969-1982). Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, ka qenë një volejbollist kampion, madje ka qenë edhe presidenti i Shoqatës së Sporteve të Greqisë. Gjithsesi, në specialen e saj, gazeta “Telegraf”, trajton shembullin e kundërt, pra nga sporti në politikë. Jana të shumta rastet: Rut Fuks, një ish-hedhesë shtize (kampione olimpike 1972 dhe 1976) u bë deputete e Gjermanisë për Partinë Demokratike Socialiste; në Greqi, ish-futbolisti Georgios Anatolakis fito i një vend në parlament (2009) për Partinë Popullore Për Ortodoksonë. Po kështu, basketbollisti Panajotis Fasulas, i cili u kryebashkiaku i Pireut për Partinë e PASOK-ut. Në Francë, janë Amede Domenek (regbi, kryetar bashkie), David Duijet (xhudo, deputet dhe ministër i Sporteve); Gi Dryt (atlet i garave me pengesa, ministër i Sporteve). Në Britani, më të njohurit janë Henri MekLesh (futbollist, deputet i parlamentit skocez); Sebastian Koe (atlet, deputet i parlamentit anglez).

 PELE

Legjenda braziliane e futbollit, i konsideruar si lojtari më i mirë në planet i të gjitha kohërave, Edison Arantes do Nascimento, apo shkurt Pele, i votuar si “Futbollisti i Shekullit” nga Instituti i Ndërkombëtar i Historisë në Futboll dhe i Statistikave (IFFHS), dhe po me këtë çmim nga “France Football” në vitin 1999, apo dhe “Sportisti i Shekullit” nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Agjencia e Lajmeve “Reuters”, po në këtë vit. Pele, i cili shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje dhe shikohet si hero në Brazil, u përfshi në politikë me synim për përmirësimin kushteve sociale të fëmijëve. Pikërisht, golin e tij të 1000-të ai ua kushtoi fëmijëve të varfër të Brazilit. Pele konsiderohet si një thesar kombëtar, aq sa legjenda e Santosit, i vetmi lojtar që ka fituar tri Kupa të Botës, pas tërheqjes së tij nga futbolli në vitin 1977, u bë ambasador i përbotshëm për futbollin. Në vitin 1992 ai u caktua ambasador i Kombeve të Bashkuara për ekologjinë dhe ambientin. Pele ishte Ministër i Jashtëzakonshëm për Sportin, i emëruar nga Presidenti brazilian, Fernando Henrike Kardozo, në vitin 1995. Madje në këtë detyrë ai u takua edhe me ish-Presidentin amerikan, Bill Klinton, në Rio De Zhaneiro, më 15 tetor 1997, teksa u fotografua duke luajtur me top. Gjatë periudhës së tij si ministër, Pele ndërmori disa iniciativa ligjore, me qëllimin për të reduktuar korrupsionin në futbollin brazilian, në atë që u quajt “Ligji Pele’. Pele e la pozicionin e ministrit në vitin 2001, pasi ai u akuzua se ishte përfshrë në një skandal korrupsioni, pavarësisht se asgjë nuk u provua.

 ROMARIO

 Nga fusha e futbollit te kolltuku i parlamentit të Brazilit. Kjo është historia e  Romario de Suza Faria, apo të njohur botërisht me emrin Romario. Ish-sulmuesi, kampion i botës me Brazilin në vitin 1994, tashmë është një politikan shumë i pëlqyer në vendin e tij. Romario u zgjodh si “Lojtari më i mirë i vitit 1994” dhe “Topi i artë” i Kupës së Botës së vitit 1994, por dhe në “Dream Team”, ekipin e ëndrrave të FIFA-s. Romario u përfshi në listën e 125 lojtarëve më të mëdhenj, një listë e hartuar me rastin e 100-vjetorit të FIFA-s. Sulmuesi i mbi 1000 golave është një nga lojtarët më të mëdhenj në botë, dhe ndër të paktët që e ka kaluar këtë shifër të bujshme. Romario u përzgjodh si “Lojtari më i mirë i FIFA-s” për vitin 1994, pasi kishte qenë i dyti në vitin 1993.

Në 20 maj të vitit 2007, Romario shënoi golin e tij të 1000-të.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, Romario u zgjodh deputet i Brazilit si pjesë e Partisë Socialiste, në parlamentin ku marrin pjesë 513 deputetë. Ai ishte kandidati i gjashtë më i votuar për deputet në Rio de Zhaneiro. Partia Socialiste e Brazilit është formacioni politik i presidentes së re, Dilma Rusef, e para presidente grua e vendit. Romario ishte emri më i famshëm midis sportistëve të përfshirë në politikë në Brazil, duke marrë mbi 146 mijë vota. Shoku i tij në sulmin e Brazilit, Bebeto, por që garoi për një parti tjetër u zgjodh deputet me 28 mijë e 328 vota. Ish-sulmuesi i Atletikos, Markez, grumbulloi 153 mijë vota. Marselinjo Karioka grumbulloi 62.399 vota, Vampeta 15.300 vota. Ish-lojtari i Sao Paolos, Maguila grumbulloi 2951 vota. Në një intervistë për gazetën “Estado de Sao Paulo”, Romario e ka cilësuar ish-presidentin e Brazilit, Luiz Injacio Lula da Silva si idhullin e tij politik. “Ai erdhi nga asgjëja dhe shndërroi historinë e Brazilit”, – tha “socialisti” Romario.

 ANDRIJ SHEVÇENKO

Ish-ylli ukrainas Andrij Shevçenko, golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Ligës së Kampioneve (59 gola), pas Filipo Inzagit (70) dhe Raulit (77), pasi vari “këpucët në gozhdë”, po i kushtohet politikës. Ish-lojtari i Dinamos së Kievit, Milanit (175 gola) dhe Çelsit, fitues i “Topit të Artë 2004”, ai u bashkua me partinë “Përpara Ukrainë”, më 28 korrik 2012. Edhe pse iu ofrua vendi i trajnerit të Kombëtares ukrainase, Sheva e refuzoi atë. Partia e tij “Përpara Ukrainë”, e ish-kryeministres Julia Timoshenko,  garoi në tetor të vitit 2012 për zgjedhjet parlamentare në Ukrainë, por ajo dështoi të fitonte të paktën një vend. Partia e financuar prej ish-sulmuesit të Ukrainës, mori vetëm 1.58 për qind të votave. Shevçenko ishte i dyti në listë dhe shpenzoi rreth 7.6 milionë dollarë, ndërkohë që partia hodhi në fushatë rreth 150 milionë dollarë. Në vitin 2004, gjatë zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, ai mbështeti publikisht kandidatin Viktor Janukoviç. Shevçenko është i martuar me modelen amerikane, Kristen Pazik. Ata komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën italiane, pasi anglishtja e Shevës nuk është e mirë. Andrij është një mik i ngushtë i dizajnerit të njohur, Xhorxho Armani. Në qershor të vitit 2005, Andrij Shevçenko u bë ambasador për fshtrat e bamirësisë së fëmijëve, SOS. Janë disa sportistë uraianas që janë përfshirë në politikë. Ish-fituesi i “Topit të Artë 1975” dhe ish-trajneri i Ukrianës, Oleg Bllohin, në vitin 1998 u zgjodh deputet në Parlamentin e Ukrainës (Verkhovna Rada), për partinë “Hromada”, ndërkohë që ishte anëtar i Partisë Komuniste të Ukrainës. Në vitin 2002, Bllohin fitoi mandatin e dytë, por kësaj radhe për Partinë e Bashkuar Social Demokrate. Edhe rekordmeni i kërcimit me shkop (jashtë dhe brenda sallës), Sergei Bubka, një nga atletët më të mirë në botë, është marë me politikë. Nga viti 2002 deri në vitin 2006, ai ishte anëtar i Parlamentit Ukrainas për partinë “Për Ukrainën e Bashkuar”. Me aktivitet politik janë marrë dhe Nataliya Dobrynska, Olha Kharlan, Alekdander Anatolyeviç Volkov.

 XHORXH UEAH

Ish-sulmuesi Xhorxh Ueah, një ish-fitues i “Topit të Artë 1995”, “Lojtari më i mirë FIFA 2005” dhe “Futbollisti Afrikan i Vitit 2005”, kur ai luante në radhët e Milanit, kandidoi për presidentin e Liberisë, vendit të tij, në vitin 2005, por ai nuk mundi të fitojë, duke humbur në raundin e dytë të votimeve ndaj Elen Xhonson Sirlifit. Në raundin e parë, Xhorxh Ueah mori vota nga të gjithë kandidatët, 28.3%, ndërkohë që humbi në raundin e dytë: 40.6% me 59.4% në favor të Sirlifit. Gjithsesi, në vitin 2011 ai garoi si zëvendëspresidenti i Uinston Tubmmanit, por ky i fundit nuk fitoi (u eliminua qysh në raundin e parë, pasi doli i katërti). Ai e shpenzoi karrierën e tij e tij si futbollist profesionist, duke luajtur për disa klube në Francë (Paris Sën Zhermen), Itali (Milan) dhe Angli (Mançester Siti), dhe fitoi trofe në të tre vendet. Ueah u përpoq ta përdorë futbollin si një mënyrë për t’u sjellë lumturi dhe promovim edukimi për fëmijët në Liberi.

 ROMAN PAVLUÇENKO

Sulmuesi rus Roman Pavluçenko, aktualisht luan te Lokomotiva e Moskës, është një tjetër shembull i lidhjes së sportit me politikën. Lojtari i Kombëtares ruse të futbollit është deputet i Dumës (këshillit të qytetit) të Stavropolit, duke përfaqësuar partinë e Vladimir Putinit, “Rusia e Bashkuar”, e cila qeveris Rusinë. “Për shkak të profesionit tim, nuk do të jetë e lehtë për mua të marrë pjesë direkt në punimet e këshillit të qytetit, por unë jam gati ta ndihmoj atë me këshillat e mia me kontribute konkrete për mundësinë e zhvillimi të ushtrimit të sportit”.

  Diktatorët dhe sporti

D isa nga diktatorët më të njohur e kanë shfrytëzuar sportin si një mundësi të mirë për ta përdorur në dobi të tyre. Kështu, edhe pse ish-diktatori i Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin, edhe nuk njihej për dashurinë ndaj sportit, ai ndiqte disa ndeshjes, sidomos të Spartakut të Moskës, lojtarët e të cilit përfaqësuan Rusinë në Lojërat Olimpike të Berlinit në vitin 1936, të zhvilluar në Gjermani. Ish-diktatori i Libisë, Koloneli Gadafi kishte blerë 7.5 për qind të aksioneve të Juventusit, ndërkohë që një nga djemtë e tij, Al-Asadi vlerësohet si një nga futbollistët më të mirë që ka nxjerrë vendi. Ish-diktatori i Irakut, Sadam Hysein, në moshën 21-vjeçare ishte Presidenti i Federatës së Futbollit për vendin e tij. Kampioni i peshave të rëndë në boks, Maks Shmerling u lançua si përfaqësues i Partisë Naziste të Adolf Hitlerit dhe u bë një simbol heroik i Gjermanisë dhe i supermarcisë së racës së pastër Arjane. Ai mundi amerikanin Xho Luis në vitin 1936.