Paralajmërimi i ambasadorit amerikan, e drejta e munguar e autorit dhe kënga serbe e RTSH-së

537
Sigal

Festivali i 51 i RTSH-së mbylli siparin e vetë në mënyrën më të shëmtuar në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së vendit. Sikur të mos mjaftonin debatet dhe konfliktet që kanë muaj të tërë që kanë zaptuar skenën politiko – shoqërore  dhe historike të vendit, Festivali i 51 –të i RTSH-së duket se i vuri kapak tortës së Pallatit të Kulturës pikërisht aty ku janë zhvilluar me dhjetëra festivale dhe mes tyre ai i 11-të, ku diktatura goditi dhe persekutoi elitën e muzikës shqiptare. Por Festivali i 51-të i RTSH-së dhe kënga fituese, menjëherë pas marrjes së çmimit është bërë objekt i mediave dhe faqeve të internetit, të cilat bënë publike  dhe zbuluan këtë skandal. Sipas komenteve dhe ballafaqimit në  “Youtube”  thuhet se, kjo këngë është e kopjuar nga një grup serb, të cilët e kanë kënduar që në 1988 ( Bajaga instructor plavia safir). Sigurisht që, ne i dëgjuam të dyja variantet duke u nisur nga faktet tronditëse dhe është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë ne të nxjerrim  fituese me dashje, nga paaftësia apo për qëllime të tjera antikombëtare melodinë e një kënge serbe.  Nëse serbët reagojnë apo jo është tjetër gjë, por për ne e rëndësishme është që vetë RTSH-ja dhe specialistët e sajë, të cilët janë të shumtë, duhet të mblidhen me kujdes të analizojnë dhe të bëjnë shembull këdo që pretendon të vjedhë këngë të huaja, për t’i futur në evenimentin më të rëndësishëm kombëtar. Kjo detyrë i takon z.Petrit Beci, i cili duhet t’i kërkojë ndjesë edhe Kryeministrit Berisha  që në vend t’i deklaronte dyshimet për këngën e vjedhur.  Dyshja Lulgjuraj – Sejko duhet të deklarojë përpara opinionit dhe ekspertëve të vërtetën e kësaj kënge që do të përbëjë skandalin më të madh dhe që nuk do të pranohet në Eurovizion, nëse serbët do e denoncojnë këtë abuzim dhe vjedhje, duke penalizuar Shqipërinë deri në përjashtim nga festivali. Ambasadori amerikan Arvizu, vetëm para pak kohësh reagoi fuqimisht për vjedhjen e së drejtës së autorit në Shqipëri. Koha tregoi se ishte i mirinformuar për pafytyrësinë dhe vjedhjet që bëhen në Shqipëri të së drejtës së autorit dhe ku hajdutëve as u skuqet faqja dhe as u zverdhet fytyra. Drejtori i RTSH-së dhe stafi i tij që menaxhuan dhe organizuan Festivalin e 51 Kombëtar të RTSH-së, duhet të japin llogari përse nuk i kanë regjistruar dhe certifikuar këngët pjesëmarrëse të kualifikuara për në festival pranë Shoqatës për Mbrojtjen e së Drejtës së Autorit. Mbas regjistrimit, ata duhej të bënin publike këtë veprim duke  e siguruar publikun, por edhe vetë këngëtarët, kompozitorët dhe autorët e tekstit që në Shqipëri, gjithçka do të bëhet sipas parametrave që kërkon e drejta e mbrojtjes së autorit. Fakti që këngët nuk janë regjistruar dhe publikimi i tyre pa u certifikuar nga  Shoqata për Mbrojtjen e Autorit  përbënë papërgjegjshmërinë e këtij institucioni. Ne do t’ju zbërthejmë më vonë edhe si është organizuar ky festival, kush janë personazhet që kanë zaptuar këtë televizion dhe  punësimi nga “zyra e kuadrit”  e televizionit afër qeverisë, mandatet e drejtuesve dhe skandalet e tyre. I takon RTSH-së që sa më shpejtë të reflektojë dhe të vërë drejtësinë në vend. Në të kundërt nesër do jetë vonë dhe shqiptarët do të thonë se: “Ali Baba me dyzet hajdutë”  nuk ishte vetëm tek CEZ-i, por edhe tek RTSH-ja e Becit.