Kristo Mërtiri: Ceremonia nderuese dhe bashkjetesa fetare në Krujë!…

921
Sigal

Iksha si Met Bakiu në Krujë !…

Ky fillim marsi në qytetin e dashur të Krujës, befas shkundi jo pak orë të hidhura për njerëzinë. Për vendalinj e jabanxhinj. Për të rinj e të moshuar. Por tundi, mblodhi e shkundi edhe mjaft tufa e kurora me lule pranvere! Nga mali, oborret e shtëpive private dhe nga saksitë në ballkone. Ashtu në heshtje e pikëllim, në psherëtima e drithërimë. Besimtarë e jo besimtarë të devotshëm. Myslimanë bektashinj, por edhe të krishterë. Pa asnjë thirrje a ftesë të ndezur partiake. Pa “përgjërime” deputetësh, këshilltarësh e militantësh lokalë. Pa bubullima politike nga metropoli në mitingje e protesta lypsare për kolltukë pushteti dhe pa takime me regjisurë të vjetruar rreth e rreth rrumbullakut masiv me karrige të bartura nga zyrat e sallat e boshatisura në qytete e fshatra. Asnjë fije nga kjo lloj butaforie shtiracake e tashmë jo pak qesharake. Tepër rrallë mbahet mend si ai grumbullim i madh qytetar pa urdhra e sokëllima partiake, por me zemër e pranë zemrës së qytetit. Një nga një, dy nga dy e grupe-grupe, kokulur e syrrëmbushur rrethuan një shtëpi të thjeshtë krutane: Do përcillnin për në banesën e fundit një burrë 55 vjeçar, një mjeshtër duarartë, një punëdashës jo dosido, një mjeshtër rrobaqepës, një shpirt humanisti të rrallë, Met Bakiun e vegjëlisë! Njeriun që vështirë mund të gjesh, qoftë edhe një familje ku të mos ketë provuar e ndierë përkushtimin dhe sedrën e tij profesionale, merakun e vërtetë e të pastër si krojet e asaj treve të bekuar në histori. Populli vetë di kë nderon e respekton. Aq më shumë, kur rrënjët mbahen fort në themele mirësie dhe në fise të qëruara herët nga ligësia e prapësia. Rrënjë që mbahen gjallë në breza nga sjellja e puna e paqme, pa hile, pa dredha e ferra. Se medies së sotme të politizuar rëndshim kokë e këmbë (veçanërisht ajo elektronike), i janë përmbytur kamerat, mikrofonat e studiot me lajme e emisione larg njerëzve të thjeshtë nëpër Shqipërizën tonë hallemadhe. Trekëndëshi iritues i partive kryesore, sundon e bombardon dhunshëm veshët dhe sytë e miletit që shtyn muajin me shpirt në dhëmbë. Se si rrjedh jeta në periferi e krahina të thella, si sigurohet kafshata e përditshme, uji i pijshëm, shërbimi shëndetësor, arsimor, energjetik e infrastrukturor, punësimi etj., mjaft pushtetarë e opozitarë këto pyetje të natyrshme shpesh i pagëzojnë si hostenë që “kërkojnë qiqra në hell” ose “thela mbi bisht”! Të arratisur nga realiteti, kujtojnë se mëmëdheu është vetëm brenda unazës së Tiranës ose në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”…

– Kjo është nusja, ky është dhëndri!, -thoshin jo pa dëshpërim pleqtë e mençur të nahijes time në Grykën e Këlcyrë- Mezhgoranit, sa herë binte fjala për gjendjen e pandryshuar të punëve gjatë legjislaturave pluraliste. Mirëpo, ustai e njeriu i mirë, Met Bakiu, shprehej shkurt e kthjellët si “orator social” origjinal, pa klithma preje mburraveci provincial: “Edhe lakmia e madhe të bën të lig”… Ai nuk i shiti kurrë rrobat dhe lëkurën në kurriz të zanatit që e dashuroi aq shumë. Prandaj i shikonte njerëzit drejt në sy e si shërbyes serioz ndaj secilit që kërkonte ndihmë, sidomos në ngjarjet e shënuara të jetës së tyre. Vite të tëra, me aftësitë e tij të admirueshme qytetare e profesionale, ai u shtonte nurin nuseve e dhëndurëve të Krujës. Mjaft nga këto çifte, nuk mund të mungonin në përcjelljen e tij të parakohshme e aspak të rëndomtë. Por edhe të rinj e të reja që dikur ishin qëndisur e stolisur nga duart e Metit, kur shkonin në shkolla të larta apo kur fillonin punë për herë të parë. Kështu mbylli sytë përgjithmonë edhe Shabani i paharruar, i ati shofer ambulance që luftoi tërë jetën për lehtësimin e plagëve dhe të sëmundjeve urgjente të njerëzisë në Krujë e rrethina. Edhe kur doli në pension, nuk rrinte dot duke numëruar tespihet. Një ditë prej ditësh u shua nën degët e një ulliri të moçëm… Vendalinj e jabanxhinj, nuk e harrojnë dot rrëfimin e tij sarkastik e humoristik për dembelët e dembelizmin:

“Kishin futur një dembel në thes dhe po e çonin me e mbyt. Kalon një udhëtar dhe u thotë:

-Ç’ka kini në thes?

-Nji dembel.

-Ku po e çoni?

-Me e mbytë, se nuk i duhet gja kujt.

-Mos e mbytni, se do ta marr unë.

-Po ç’ka do t’i japësh me hangër ?

-Do t’i jap arra.

Sa i dëgjon dembeli këto fjalë, e pyet që nga thesi:

-A i ke të thyeme arrat?…”.

U ndrittë shpirti të dyve, atje ku prehen krah për krah, babë e bir!

Troku i veçantë i makinës qepëse të famshme të Metit, ka ditë që hesht e kullon dhimbje për mjeshtrin e kostumeve, për njeriun e mirë që lumturohej nga urimet e falënderimet e bashkëqytetarëve para e pas dasmave dhe gëzimeve të tjera në jetë. Tani, me siguri nuset dhe dhëndurët fringo, do të trokasin jo pa emocion tek dy vëllezërit e tij rrobaqepës, Xhafer e Fatmir Bakiu. Ndërsa bashkëshorte Merita, mësuese e palodhur, do vazhdojë të ndriçojë mendjet e fëmijëve krutanë me Dritën e Diturisë. Pa lënë mënjanë Meleqin e shtrenjtë, djalin student në Tiranë… Por mua, veç të tjerave, dy arsye të forta më detyruan të ulem e të hedh në letër këtë meditim në Festën e Novruzit. Së pari, në memorien e lexuesve të shumtë brenda e jashtë Shqipërisë, gati 3 vite më parë, zuri vend edhe ai lajmi i kobshëm për autobusin e mbushur me gra vizitore nga Vlora, që në pak minuta u dogj e u shkrumbua aksidentalisht në mes të qytetit të Krujës. Krisën e u çanë gurët e drurët. Vetëm emërmira fatzezë Violeta Pashaj nga Selenica, shoqja jonë e paharruar në Shkollën Pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër, mjerisht nuk u shpëtoi dot flakëve përvëluese! Mandatën e saktë e morëm vesh tepër vonë. Nuk e meritonte kurrë atë fund të tmerrshëm… Gratë e tjera shpëtuan, falë Met Bakiut me shokë që thyen në kohë rekord xhamat dhe dyert e mbyllura e të skuqura të autobusit. Falë edhe motrës doktoreshë, Verës që ka parë nga afër kasaphanën e vdekjen me sy. Ekskursionin e organizonte një Kishë në Vlorë. Por heroi i vërtetë e fjalëpakë, ishte dhe mbeti Meti. Madje, krahu i tij i majtë (djegur në përleshje me flakët), herë pas here pikonte dhimbje fizike e shpirtërore. Deri vonë sa iku në atë botë…

Së dyti, siç thoshte shpesh ustai krutan, e mira me shokë dyfishohet, hidhërimi përgjysmohet! Kur mbërritën nga Tirana kushërinjtë e dashur (vëllezërit Gazmend, Arben e Abdyl Bakiu), u befasuan natyrshëm: Ceremoninë nderuese të përcjelljes e shoqëronin jo vetëm hoxhallarë. Në krah të tyre ishin edhe dy priftërinj ortodoksë! Veprim sa njerëzor e qytetar, por edhe me prush mëmëdhetarie. Nderim i rrallë mes qindra vetëve në mort. Nderim që ndoshta sfidon pa zhurmë e bujë mjaft fjalime politikanësh e analistësh megalomanë për bashkëjetesën fetare në vendin tonë. Njerëzit e mirë, të thjeshtë e gjithnjë “shpirt njeriu”, zakonisht u qëndrojnë disi larg tribunave partiake e shtetërore. Veçanërisht Meti, që nuk ishte as politikan e as deputet hijerëndë, as zyrtar i lartë e as nëpunës në administratën shtetërore. Miku im, Dyli, kur e pyeta parmbrëmë te rruga “Tefta Tashko Koço”, i ra shkurt e bukur, vetëm me një fjali kuptimplote përtej fjalisë dëshirore: “Iksha si Met Bakiu në Krujë!”… -Përsiatje nga cikli “Na mbyti Polit(h)ika“-