Aristidh Kola: Argumente historike të prejardhjes së arvanitasve

856
Sigal

Me argumente historike, Aristidh Kola rrëzon çdo përpjekje për të ngatërruar prejardhjen e arvanitasve

3 mijë arvanitas çamë nga Thesprotia për të çliruar Morenë

Nga Aristidh Kola

“Shqiptarët që bënë Greqinë”, një artikull në revistën “Besa” dhe disa detaje të rëndësishme të arvanitasve ku spikat edhe “moda” e çuditshme e kokës së rruar përpara, dhe bishti i zgjatur luftarak i flokëve nga pas.

“Ata që u përpoqën të ndajnë arvanitët myslimanë nga ata të krishterët, duke i quajtur të parët “turkallvanos” dhe të dytët helenë, nuk dinin ç’të bënin me Skënderbeun, të cilin populli, të krishterë e myslimanë, e quanin hero kombëtar.”

Është ky një argument i Aristidh Kolës, kundër përpjekjeve greke për të ndarë arvanitasit në myslimanë e të krishterë. Kjo përpjekje kishte si qëllim kategorizimin e tyre sipas intereave greke për të çbërë faktorin arvanitas në historinë e shtetit grek. Është një artikull shumë interest i arvanitasit të shquar, Aristidh Kola, në revistën “Besa” në vitin 1984, një media e Shoqatës së Arvanitasve të Greqisë, e cila ka nisur botimin qysh në vitin 1983. Në numrin e pestë të saj, është botuar një artikulli i studiuesit të famshëm arvanitas, Aristidh Kola. Artikulli me titull “Shqiptarët që bënë Greqinë”, është botuar në këtë revistë në numrin e  tremujorit qershor-korrik-gusht 1984. Në atë kohë Aristidh Kola ishte edhe sekretar i Shoqatës së Arvanitasve të Greqisë. Revista, e cila vijojë të dalë për shumë të tjera vite me radhë, trajtonte çështje të historisë, folklorit, letërsisë dhe temave aktuale, ashtu si dhe revista tjetër, e përdymuajshmja “Arvanon”.

Në këtë artikull, Aristidh Kola, jep detaje të rëndësishme të mbiemrave të arvanitasve dhe historinë e përpjekjeve të Greqisë për t’i tjetërsuar ato. Historia nis me Kollokotronin dhe prejardhjen e këtij mbiemri. Me argumente historike, Aristidh Kola rrëzon çdo përpjekje për të ngatërruar prejardhjen e arvanitasve. Në studimin e tij gjejmë detaje, kur Kollokotroni dhe çamët u bashkuan për të çliruar Morenë. Kemi shkëputur pjesë nga artikulli i Aristidh Kolës për të mësuar disa detaje të rëndësishme të arvanitasve ku spikat edhe “moda” e çuditshme (për ata që nuk e dinë) të kokës së rruar përpara, dhe bishtin e zgjatur luftarak të flokëve nga pas.

Aristidh Kola: Shqiptarët që bënë Greqinë/ Revista “Besa” 1984

Interpretimi i mbiemrave të farës së kollokotronëve

Kollokotroni. Sipas pohimeve të vetë heroit, gjyshi i tij Jani Boçka ishte një njeri trupmadh dhe kishte të pasme goxha të gjera. Dikur, e sheh një shqiptar dhe thotë: Ç’është ky bithgur, bre? Që atëherë, thotë Kollokotroni, i mbeti gjyshit tim nofka “Bithgur” dhe u harrua mbiemri i mëparshëm i familjes, Boçka. Në fakt, kuptimi i Kollokotronit si fjalë,është përkthimi i saktë grek i arvanitases “Bithgur”, prapanicë e fortë.

Siç është e kuptueshme, Plakun populli e quan Bithguri. Ndërsa historianët e sotëm fjalamanë i drejtohen me termin e përkthyer “Kollokotroni”; ndaj me të drejtë ngrihet pyetja: Përderisa populli u këndon heronjve të vet (në vargje popullore dhe muzikë) në gjuhën e vet dhe jo në gjuhën e fjalamanëve, ç’u bë me këngët popullore për Bithgurin? Ne dimë këngë për Kollokotronin. Pra njohim këngët e përpunuara nga dora e fjalamanëve, që i quajmë popullore, ndërkohë që këngët origjinale të popullit i mbuloi errësira. Dhe për fat të keq, ky rast nuk është i veçuar.

Boçka. Siç thamë edhe më lart, mbiemri i mëparshëm i Kollokotronëve ishte Boçka (BOTSIKA). Por ç’do të thotë Boçka dhe me cilën gjuhë shpjegohet kjo fjalë? Duke rilexuar me kujdes kujtimet e Kollokotronit, e gjeta përgjigjen. Theodhor Kollokotroni thotë: “Djali i këtij Dhimos (Çergjinit) u mbiquajt Boçka dhe e la emrin e familjes së vet, që ishte Çergjini. E quajtën kështu, sepse vinte i vogël dhe i zeshkët..,”. Kësisoj, Kollokotroni na thotë se edhe Boçka ishte një nofkë, që ka kuptimin “i paktë dhe zeshkan”. Jo vetëm kaq, por ai e dinte kuptimin e kësaj fjale, e dinte cilët e përdornin këtë nofkë dhe ç’gjuhë flasin ata. Por ja që studiuesit e historisë dhe biografët e heroit nuk hedhin dritë mbi këtë çështje. Me pak fjalë, Theodhor Kollokotroni e dinte gjuhën arvanite dhe e fliste më mirë se gjyshi im që nuk ma shpjegoi dot se ç’do të thotë fjala boçkë, derisa u detyrova të kërkoj nëpër fjalorë dhe të konstatoj që: Boçka është në fakt emri i bimës që ne e njohim si qepa e egër; një bimë me bulb, nga e cila nëpër botë ekzistojnë mbi 80 lloje dhe në Greqi nja katër a pesë, ku njihen mirë ajo e bregdetit, që mbin nëpër kodrat e bregut, dhe ajo e Me-sinisë që gjendet kudo nëpër këtë krahinë, e cila është atdheu i parë i Kollokotronëve të vjetër. Pikërisht rrënja e kësaj bime, bulbi me ngjyrë të errët, që ngjan me qepën, besohej se kishte veti forcuese për zemrën, kurse arvanitasit e vjetër e varnin nëpër dyert e shtëpive për të mbajtur larg të ligën. Pikërisht kjo bimë, pra, në gjuhën arvanitase qubet boçkë ose kuçupë apo kutupë, dhe nga kjo bimë mori nofkën-mbiemrin paraardhësi i Theodhor Kollokotronit, djalë i Dhimo Çergjinit. Përderisa ky djalë ishte kaq i vogël në trup dhe i errët në lëkurë, nuk inund ta quanin as qiparis, as rrap, por e krahasuan me një nga bimët më të hasura bulbore të krahinës.

Por përtej të afërmve natyralë dhe atyre të krijuar, edhe luftëtarët e Kollokotronëve, “asqerët” e tyre, ishin gjithashtu arvanitas, pa dallim nëse qenë të krishterë apo myslimanë. Qoftë nga Morea, apo jashtë saj. Theodhor Kollokotronin do ta shohim me Ndretë e Moresë gjatë revolucionit të 1821-it. Pak vite më herët, kur ai lufton bashkë me Ali Farmaqin për ta çliruar Morenë, do të rreshtojë për këtë qëllim mbi tre mijë arvanitas çamë ngaThesprotia. Më të shumtët e tyre ishin myslimanë. Më vonë, kur të jetë në ishujt e Jonit, do të ndjekë “teknikën”arvanitase – kleft-si pirat i detit dhe do të hyjë në legjionin “greko-shqip-tar’’ siç e quajnë historianët. Tani, se cilët prej tyre ishin grekët e cilët shqiptarët, nuk do shumë mend për ta kuptuar, përderisa arvanitasve të krishterë u thoshin “grekë” dhe atyre myslimanë / shqiptarë”.

Duke lënë mënjanë kuptimet gjuhësore të mbiemrave të Kollokotronëve, përtej këtyre dokumenteve ekzistojnë edhe disa të tjera, njësoj të rëndësishme që i vënë vulën origjinës arvanitase të Kollokotronëve. Janë traditat dhe zakonet ende gjallë të tyre, që dëshmojnë për prejardhjen e padiskutueshme të heroit. Është veshja e tij me të nderuarën fustanellë, guna e hedhur krahëve dhe sidomos, është ajo skicë autentike e portretit të tij, e vizatuar në të gjallë nga koloneli francez Voutier, me atë“modë” të çuditshme – për ata që nuk e dinë – të kokës së rruar përpara, dhe bishtin e zgjatur luftarak të flokëve nga pas; një modë e pagabueshme arvanitase, siç shkruaja në numrin e kaluar të “Besës”. Po, kështu e rruanin kokën të gjithë Iuftëtarët arvanitas, qofshin muslimanë apo të krishterë. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë tendencë të dikurshme që e pëlqeu edhe jo-arvanitasi Kollokotroni për ta imituar. Jo, është një traditë e rrënjosur thellë, qoftë zakon apo bindje e brendshme, që siç kam shpjeguar, ka prejardhje të lashtë. Kur Ali Pasha, duke synuar të uniformizojë forcat e tij dhe t’i “europianizojë” ato, urdhëroi zgjatjen e flokëve dhe braktisjen e kësaj mode të çuditshme, ushtarët ngritën krye dhe Aliu u detyrua ta anullojë urdhërin. Historianët e “nderuar” të shtetit të lirë grek, u përpoqën ta paraqesin Kollokotronin siç ua merrte mendja. Kurrë nuk u përmend në biografitë e mëpasme se ai ishte arvantas, se fliste arvanitishten apo diçka e tillë. Në të kundërt, sajuan ikonën e dëbuesit të pamëshirshëm të arvanitasve, pikërisht me këtë përfaqësues klasik të arvanitasve të Moresë! Nuk lanë makijazh pa i bërë figurës së tij, por ama ai nuk i lejoi t’ja ndryshonin një gjë të fundit: Atë qethje të lashtë luftarake arvanitase, që e mbajti të pandryshuar deri në fund të jetës, duke rrëzuar kështu të gjitha muret prej rëre që ngritën rreth tij demagogët.

Kollokotroni dinte edhe pak shkrim dhe fliste shkel e shko edhe greqishten zyrtare. Kështu, i njëjti na thotë në kujtimet e tij se libri i tij më i dashur ishte historia e Skënderbeut (“lexova për jetën e Skënderbeut. Vepra e tij më vuri në mendime…”). Nuk ka nevojë për shumë koment. Ata që u përpoqën të ndajnë arvanitët myslimanë nga ata të krishterët, duke i quajtur të parët “turkallvanos” dhe të dytët “helenë”, nuk dinin ç’të bënin me Skënderbeun, të cilin populli, të krishterë e myslimanë, e quanin hero kombëtar. Populli nuk bënte dallime të tilla.

Kudo ku ka arvanitas, nga Azia e Vogël, në Ballkan, në Egjipt e Italinë e Jugut, e nderojnë Skënderbeun si heroin e tyre. Ndërsa ne, të bindur nga studiuesit tanë zulmëmëdhenj, vendosëm ta shkulim nga rrënjët dhe nuk lamë demonë bizantinë – shkatërrues të grekëve si Theodhosi – pa i ngritur në qiell.

Interpretimi logjik

Ta mbyllim me një arsyetim të përmbysur: Përderisa është fakt historik që epokën post-bizantine e vulos me praninë e vetë elementi arvanitas – dhe unë personalisht mendoj se që atëherë duhet numëruar historia e re greke; përderisa e dimë se ata që u përballën me turqit pas shkatërrimit të Konstandinopojës janë arvanitasit, nga kryearhondi arvanitas i Manit, Krokondhil Kladha; tek udhëheqës si Petro Bua Sklepa; që mbrojnë deri në fund Morenë të vetëm dhe disa syresh detyrohen të mërgojnë në Italinë e Jugut me shpresën e kthimit, duke kënduar të famshmen këngë nostalgjike “Moj e bukura More”; përderisa dhe Moreja e atëhershme mbiquhej Moreja arvanitase dhe banohej në shumicë nga arvanitas, atëherë shtrohet pyetja: Si dhe kur pushoi së qeni arvanitase Morea? Mos, që kur arvanitët e Arkadisë, fjala vjen, pushuan së foluri gjuhën e tyre dhe i ndërruan mbiemrat arvanitas me prapashtesat zvogëluese –“-opulos” dhe “-pulos”, që të mos duket se Morea është arvanitase? Epo, nëse në epokën e Kollokotronëve (1500-1800) Morea ka qenë arvanitase në mënyrë të padyshimtë, atëherë objekt vërtetimi nuk do të ishte nëse Kollokotroni është arvanitas, por nëse nuk është! Pra, dyshuesit e origjinës arvanitase të tij do të duhej të ofronin prova për të mbështetur pretendimin e tyre, dhe jo e kundërta.

Shumëçka na e kanë mbajtur fshehur, por e vërteta kërcen e del në shesh, prej andej nga nuk u shkon në mendje varrosësve të saj…