Dok. Arqile Veshi: Ku ndryshon shërbimi shëndetësor privat nga ai shtetëror?

941
Si koncept, shërbimi shëndetësor është tërësia e sistemit të institucioneve, që merren me mbrojtjen e shëndetit të popullit, me parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve. Organizimi dhe funksionimi i tij bëhet me bazë të kushteve dhe sistemit ekonomiko-shoqëror që përcakton një vend. Kështu në vendin tonë para vitit 1990 sistemi ekonomiko-shoqëror që zbatohej në Shqipëri, karakterizohej nga kriteri bazë i atij sistemi që ishte “Prona shoqërore mbi mjetet e prodhimit”, që do të thotë se shteti edhe për sigurimin shëndetësor merrte përsipër që ndihma mjekësore me tërë komponentët e saj, si për popullatën në qytet dhe në fshat, i punësuar ose jo, shpenzimi përballohej nga shteti për të gjitha shërbimet ambulatore apo spitalore. Kjo ishte e përcaktuar në nenin 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas të cilit “Shteti u siguron shtetasve falas shërbimin e nevojshëm mjekësor dhe mjekimin në qendrat shëndetësore të vendit”. Për realizimin e këtij detyrimi kushtetues shteti i para viteve 1990 e kishte mbështetur punën me një rrjet të gjerë institucionesh, që përfshinin spitale, poliklinika, ambulanca, dispanseri, sanatoriume, farmaci (barnatore), si dhe një rrjet i gjerë institucionesh të posaçme të kujdesit për nënën dhe fëmijën, si shtëpitë e lindjes, këshillimore e gruas dhe fëmijës dhe çerdhet e fëmijëve. Ndërkohë për orientimin profilaktik ishin ngritur dhe funksiononte shërbimi higjieno-epidemiologjik, me institucione të specializuara në të gjitha rrethet si Drejtoria e higjienës dhe epidemiologjisë, inspektorati sanitar etj. Kujdes i veçantë tregohej edhe për shërbimin shëndetësor në fshat ku në çdo fshat me popullsi të madhe kishte qendra shëndetësore kurse në disa zona të thella kishte edhe spitale zonale e të tjera. 

Në të gjitha këto institucione shërbenin kuadro mjekësor sipas specialiteteve përkatëse dhe shpenzimet përballoheshin nga shteti. Me ndryshimin e sistemit ekonomiko-shoqëror që u bë mbas viteve 1990, që forma e pronësisë ndryshon nga ajo e pronësisë shoqërore mbi mjetet e prodhimit në formën e pronësisë. “Prona private mbi mjetet e prodhimit” që do të thotë se shteti si në çdo sektor edhe në shëndetësi është në tërësi rregullator dhe nuk merr e mban përgjegjësi për të gjitha nevojat që ka popullata. Në këto kushte edhe në vendin tonë për periudhën e tranzicionit sidomos për shërbimin shëndetësor janë lejuar e funksionojnë si shërbimi shëndetësor shtetëror (publike) ashtu edhe shërbimi shëndetësor privat me qëllim që shtresat e ndryshme shoqërore të popullsisë të frekuentojnë sipas mundësive njërin apo tjetrin shërbim publik apo privat. Mbi këtë bazë, krahas shërbimit shëndetësor publik janë ngritur e funksionojnë edhe shumë institucione shëndetësore private. Pa dashur të bëjë analizë për përparësitë e secilit shërbim, por desha të theksoj që secili ka anët pozitive dhe negative në raport me shtresat dhe nivelin ekonomik të popullsisë. Kështu, sektori publik është i frekuentuar nga pjesa më e madhe e popullsisë për shkak të mundësive financiare, prandaj edhe administrate shtetërore aktuale ka marrë përsipër përballimin më të madh të shpenzimeve shëndetësore për popullatën gjë e cila po realizohet me kujdes e me vëmendje gjithmonë në rritje. Me këtë nuk dua të shmang apo të kundërshtoj problematikat që ngrihen herë pas here si nga invalid ashtu edhe institucioneve të ndryshme, por dua të vë në vëmendje të publikut që aktualisht shërbimi shëndetësor publik është më se e domosdoshme dhe shumë herë më i leverdishëm për pjesën më të madhe të popullsisë prandaj edhe duhet parë e gjykuar më me pozitivitet. Këtë do mundohen ta ilustroj me përvojash e dy pacientëve të trajtuar njëri në një spital privat dhe tjetri në një spital publik. 

Pacienti që u shtrua në spitalin privat “Hygeia” në Tiranë dhe qëndroi në spital rreth 15 ditë ku ju nënshtrua ekzaminimeve të nevojshme sipas diagnozës dhe pasi u krye edhe operacioni që u gjykua, pacienti doli nga spitali dhe pas 10-15 ditëve që qëndroi në shtëpi humbi jetën. Në përfundim të ditëve që doli nga spitali familjes së të ndjerit, iu desh që për çdo 24 orë të qëndrimit në spital për mjekim, ushqim e akomodim të paguanin mesatarisht 1000 Euro dhe në total për 15 ditë qëndrim në spitalin privat “Hygeia” të paguanin rreth 15 mijë Euro. Referuar pacientit, që u shtrua në spitalin publik “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, i cili u ekzaminua, u kurua dhe u rikontrollua, duke bërë të gjitha analizat për gjak, urinë, për zemër, për diabetin, për tiroide, për mushkri, për veshka si dhe dy herë “skaner” etj., sipas rregullave që kishte spitali pagoi 10% për skanerin, baras me 2500 lekë si dhe 19.500 lekë për dy analiza gjaku që u nevojitën për t’u bërë në një laborator privat, pasi institucioni publik nuk kishte mundësi për t’i bërë. Pra, i interesuari në total pagoi për nevojat shëndetësore të tij 22.000 ose rreth 20 për qind të kostos reale, ndërsa 80% i përballoi shteti. Natyrisht që kostoja e gjithë këtyre shërbimeve është shumë më e lartë nga sa pagoi pacienti në spitalin publik gjë e cila flet qartas se edhe shërbimi shëndetësor në institucionet publike me këto masa të marra dhe të realizuara jo vetëm në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë ka tendencë që në të ardhmen shërbimi shëndetësor në institucionet publike jo vetëm të përmirësonte, por mundësisht të jetë falas. E megjithatë shpenzimet në spitalet publike në krahasim me këto private nuk kanë të krahasuar, pasi nga një përllogaritje e përafërt, pacientit në spitalin publik për 15 ditë i shtruar, shpenzimet për të gjithë shërbimet i shkuan 80-100 mijë lekë, ndërsa në spitalin privat iu desh të paguante mbi 2 milionë lekë ose gati 20 herë me shumë, gjë të cilën, aktualisht pjesa më e madhe e popullatës nuk është në gjendje ta përballoj. Duke mos pretenduar se këto dy raste përbëjnë të tërën, mendoj që si organet shtetërore, ashtu edhe mjetet e informacionit në analizat që bëjnë, më shumë të venë theksin në përparësitë dhe pozitivtetin që ka secili sektor dhe pastaj të ndalen edhe në mangësitë, që jo në pak raste janë të dukshme, si për shkak të organizimit strukturor ashtu edhe për shkak të mangësive në furnizim e shërbim nga personeli shëndetësor e sanitar pasi sistemi i ekonomiko-shoqëror që aktualisht kemi ka edhe kështu edhe ashtu. Me këtë dua të theksoj se sistem ekonomiko-shoqëror të kulluar nuk ka, prandaj vendi ynë, që i njeh si anët e mira dhe plagët e secilit sistem, ka avantazhin që ta orientoj shoqërinë shqiptare drejt një sistemi më të pranueshëm, duke evidentuar dhe implementuar anët dhe përvojat më pozitive të secilit sistem, në çdo fushë të jetës shoqërore.
Sigal