Shpërthimi i Ngjelës: Ramë ziu, po të kap reforma në drejtësi

91
Avokati i njohur dhe ish-aleati i kryeministrit qorton sjelljen dhe deklaratat e kreut të PS-së, duke e krahasuar me Maon dhe Enverin
Spaktak Ngjela, ish-aleati i kryeministrit Edi Rama, ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj liderit socialist, duke e cilësuar atë si të frikësuar nga reforma në drejtësi. Në një koment në rrjetet sociale, Ngjela e krahason kryeministrin me Mao Ce Dunin dhe Enver Hoxhën, ndërsa e fton ta presë me qetësi zbatimin e reformës në drejtësi. Sipas Avokatit, kjo reformë do të prekë edhe vetë Edi Ramën. Sipas Ngjelës, “Rama kërkon bashkim me të gjithë korrupsionin shqiptar “nën flamurin kombëtar” dhe kundër Shteteve të Bashkuara, kundër Gjermanisë dhe të gjithë atyre që kanë formuluar Reformën në Drejtësi për të shpëtuar shqiptarët nga grabitësit e tyre dhe padrejtësia shekullore”. “Atëherë, pse e do bashkimin ky kryeministër i ngjitur nga frika? E do këtë bashkim që me 2/3 e votave në Parlament, të ndryshojë Kushtetutën në pjesën e Reformës në Drejtësi, dhe të sigurojë kështu korrupsionin. Po si mund ta bëjë këtë? Është naiv dhe i shthurur mendërisht, deri aty sa të kërkojë edhe ky një Kinë apo një Mao, për ca para, ashtu siç bëri Enver Hoxha kur i kërkuan aleatët e tij ndërkombëtarë që të tërhiqej se kishte bërë krime kundër shqiptarëve”, nënvizon Ngjela. Ai shpreh bindjen se reforma në drejtësi, e garantuar nga Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ndalet. 

Komenti i plotë i Ngjelës
“Frika nga Reforma në Drejtësi, tani e plotësuar ligjërisht, e ka trembur deri në panik Edi Ramën. Nën peshën e kësaj frike, ai sot shpalli hapur frikën e tij kur kërkoi “bashkim me Partinë Demokratike nën flamurin kombëtar”. Siç duket kjo paska qenë biseda e fshehtë me Bashën. Kjo, domethënë ky bashkim, mund të ndodhë kur ka një rrezik ndërkombëtar kundër Shqipërisë. Po ku është rreziku?

Asnjë rrezik. Po çfarë është ky bashkim, kundër kujt? Kuptohet: Ky eshtë një bashkim kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Turp historik! Njëlloj si Enver Hoxha.

Rama kërkon bashkim me të gjithë korrupsionin shqiptar “nën flamurin kombëtar” dhe kundër Shteteve të Bashkuara, kundër Gjermanisë dhe të gjithë atyre që kanë formuluar Reformën në Drejtësi për të shpëtuar shqiptarët nga grabitësit e tyre dhe padrejtësia shekullore. Atëherë, pse e do bashkimin ky kryeministër i ngjitur nga frika? E do këtë bashkim që me 2/3 e votave në Parlament, të ndryshojë Kushtetutën në pjesën e Reformës në Drejtësi, dhe të sigurojë kështu korrupsionin. Po si mund ta bëjë këtë? Është naiv dhe i shthurur mendërisht, deri aty sa të kërkojë edhe ky një Kinë apo një Mao, për ca para, ashtu siç bëri Enver Hoxha kur i kërkuan aleatët e tij ndërkombëtarë që të tërhiqej se kishte bërë krime kundër shqiptarëve.

Siç duket këtij të sotmit i shkon mendja se mund të shkojë në Moskë për ca pak para, sa të gënjejnë shqiptarët dhe të vijojë në Shqipëri abuzimin njëqindvjeçar. Kjo do të jetë aventura më qesharakë e fëmijëve të korruptuar dhe hajdutëve shqiptarë. Ramë ziu! Ti kështu do të futesh në një rrezik shumë më të madh sa rreziku që ke menduar për Reformën… Nuk e ndalon dot më askush, asnjë forcë rrugën e shqiptarëve për drejtësi dhe mirëqenie shoqërore drejt Perëndimit… Kjo tashmë është një çështje e mbyllur. Po të kap Reforma, prite me qetësi: rruga e drejtësisë shqiptare është e pandalshme. E ka siguruar Uashingtoni”.