“Rilindja” nis “Vetingun” me largimin e avokatit të Aldo Bares, nga posti “çam” i AKU

207
Ende pa u dekretuar ligji për verifikimin, vlerësimin dhe vendimin për qëndrimin, ose jo në poste shtetërore të drejtuesve të lartë të administratës publike, “Rilindja” e ka nisur zbatimin e “Vetingut” me shkarkimin nga detyra, të një zyrtari të lartë të administratës qendrore, përfaqësues të përkëdhelur e të (keq)përdorur të partisë çame. Dje, kryeministri Edi Rama ka firmosur shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKU, të caktuar në atë kolltuk nga PDIU. Partia çame, braktisi PD që i dha votat për mandatet parlamentare në 2013-ën, tashmë gjendet ende në koalicion me “Rilindjen” e madje së fundi ka fuqizuar edhe më shumë pozitat pas shkëmbimit me poste drejtuese zyrtare, të votave për “Vetingun”. Por futja e PDIU edhe më thellë në prehrin e “Rilindjes”, nuk e ka frenuar kreun e “Rilindjes” për ta zbritur drejtorin Isuf Shehu nga kolltuku i kreut të AKU, gjë që duket më tepër si Pazar i bërë mes dy drejtuesve për ta “pastruar’ drejtorin e AKU nga listat e kolltuqeve që do ndajnë në vazhdim!. Sipas informacioneve, mësohet se ky shkarkim ka qenë i diktuar nga disa rrethana, që më së shumti lidhen me mos-përmbushjen prej drejtorit çam të AKU, të “disa detyrave specifike” që i kishte lënë kupola e partisë çame (PDIU), në shkëmbim të përzgjedhjes dhe hipjes në atë kolltuk të lartë shtetëror, nëpërmjet të cilit, ai kishte nën kontroll gjithë sektorin e ushqimit të Shqipërisë dhe tregjet e vendit e të importit deri tek pesticidet, fidanët e farërat, që i kishte lejuar të ishin biznes i zyrtarëve që mbante rrotull kolltukut të tij! 

Zëra të tjerë nga brenda kupolës së “Rilindjes”, thonë se shkarkimi i Isuf Shehut nga detyra e drejtorit të AKU të Shqipërisë, u bë për shkak të shumë denoncimeve të dërguara tek tavolina e kreut të qeverisë, të kreut të shërbimit anti-krim ekonomik në ministrinë “Tahiri”, në tavolinën e kryeprokurorit Llalla dhe të kreut të SHISH, për lidhje abuzive me importues e tregtarë vendas të ushqimeve, por edhe me prodhues e përpunues produktesh ushqimore, ku i përmenden aferat me përpunues qumështi vendas, të cilëve kundrejt “zarfave për kryetarin” u ka shërbyer me raporte kontrollesh fiktive në cilësi, në lëndën e parë, në vlerat ushqyese dhe në mallrat e skaduar lënë në treg. Pa llogaritur faktin, që kryeministri ka patur si referencë denoncimet e bëra nga “Telegraf, lidhur më krimin ushqimor të rifutjes në prodhim të produkteve e nënprodukteve të skaduara të mishit, qumështit e brumërave dhe të kontarbanëd së mishit kancerogjen të prodhuar me stimulues! Përveç kësaj, në “CV” e shkarkimit të Isuf Shehut nga posti drejtues i AKU, janë “zografisur” edhe denoncimet e publikuara në “Telegraf” për presionet që u behshin me gjoba ilegale bizneseve të ndershme “VIP” që zhvillonin aktivitet në sektorin ushqimor e po kështu edhe skandalet e presioneve të shumta të bëra ndaj inspektorëve të AKU në qendër e në qarqe, për të mos gjobitur e për të anuluar gjobat që u vendosnin subjekteve që prodhonin e tregtonin ushqime “vrasëse” dhe me vlerë ushqimore “kashtë”, gjoba të cilët ose i hiqte vetë me urdhër si kryetar komisioni i gjobave të AKU, ose hiqte nga puna ata që nuk anulonin gjobat. 

E më flagranti ndër abuzimet është loja me etiketat e produkteve, për të cilat gazeta “Telegraf” ka bërë denoncime faktike, por që ish-drejtori Isuf Shehu i mbronte abuzatorët dhe rryshfetxhinjtë e tipit I. H, për të cilin disponohet një dosje e faktuar me dëshmi e abuzime e cila do të publikohet! Rasti më flagrant i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ish-drejtorit çam të AKU të shkarkuar dje, ka lidhje me krimin e fshehjes së çokollatave kacerogjene, të cilat i bllokoi me urdhër në orën 8 të mëngjesit dhe i zhbllokoi po me urdhër në orën 10 të mëngjesit! Thuhet se në vendimin e kryeministrit për shkarkimin e tij, ka ndikuar edhe fakti i shkatërrimit të administratës së AKU në qendër e në rajona, duke bërë transferime e emërime klientliste, duke bërë seleksionime nëpunësish e inspektorësh sipas skemës për të përmbushur “misionin” e ngarkuar nga kupola e partisë çame për plotësim e dorëzim “kuotash financiare” çdo muaj, gjë për të cilën në vijim do të flasim me emra konkret zyrtarësh e “viktimash”! Kujtojmë, që drejtori i shkarkuar i AKU, nga data 1 gusht 2015 e deri më 26 janar 2016 kur u gradua në këtë detyrë të lartë, ka qenë në postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, po me tregjet ushqimore, por i transferuar në postin e “shefit” të kontrollit të ushqimeve e tregjeve të krejt Shqipërisë sipas pazarit të “rilindjes” me partinë çame. Një nga motivet sekrete që nuk përmendet, por që e ka nxitur kryeministrin Rama ta shkarkoj nga detyra, ka qenë fakti që drejtori çam i AKU Isuf Shehu është ekspozuar në medie e nëpër procese gjyqësore si avokat mbrojtës i Aldo Bares, të cilin e ka takuar shpesh edhe në qeli! Kolltukun e Isuf Shehut e ka zënë një tjetër përfaqësues i partisë dhe “AND”-së çame. Në krye të AKU është emëruar Dritan Sejko, N/kryetar i Shoqatës Çamëria të Elbasanit, ish-drejtori i Hipotekës Tiranë i shkarkuar dhe i përfolur në shumë “letra popullore” drejtuar kryeministrit aktual, diplomuar për shkenca humane në Fakultetin Juridik në Universitetin e Elbasanit, me “Master” për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Strugës (Maqedoni), administrator i shtëpisë botuese “Sejko”, me dy vite shkollë inxhinieri mekanike të lënë përgjysmë. E ndërsa ky do të ulet në kolltukun e mbajtur prej 8 muajsh nga Isuf Shehu, ndaj ish-drejtorit Shehu janë hapur letrat për akuzat e bëra gjatë kohës në këtë post, ndërkohë që gazeta “telegraf:, do të vazhdoj të publikoj faktet që ka investiguar….