Rama mbron Ruçin, replika me gazetaren austriake

Në Shqipëri, këto ditë, komisionet e verifikimit fillojnë të gjejnë ata gjykatës dhe prokurorë, që janë të korruptuar ose që kanë shpërdoruar detyrën e tyre. Çfarë prisni ju nga ky proces?
“Këto verifikime janë vendimtare për një arkitekturë të re të sistemit, të cilin e kemi ndryshuar me anë të reformave të thella. Ne kemi një pallat të ri drejtësie. Dhe këto verifikime do të sigurojnë që banorët e këtij pallati të skanohen, disa nuk do të mund të futen brenda. Do të varet edhe nga akuzat, që do të bëjnë (paraqesin) një formë të re drejtësie. Së shpejti do të shohim rezultate konkrete”.

Por edhe rezistencë kundërshtuese apo?
“Rezistenca kundërshtuese ishte e pranishme që në ditën e parë. Por tani procesi e ka kaluar pikën kritike dhe reformat nuk u ndrydhën”.

Sa thellë ka zënë vend korrupsioni në sistemin e drejtësisë shqiptare?
“Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve me siguri do të pushohet. Procesi i tanishëm nuk lejon hapësirë për ta, që ata t’i shpëtojnë apo të depërtojnë në sistem”.

Shqipëria ka qenë prodhuesi më i madh i kanabisit në Evropë, vitet e fundit. Tani shumë plantacione janë shkatërruar, por policët janë përfshirë shumë në tregtinë e kanabisit. Çfarë do të bëni rreth kësaj?
“Kjo është një çështje e mbyllur, nuk ka një problem real me këtë. Rezultatet e monitorimit do të tregojnë në fund të muajit, se kanabisi është zhdukur nga toka e Shqipërisë. Ka vetëm disa pika të vogla, shumë më pak se sa kultivohet në vende të tjera të Evropës. Është bërë e zakonshme të flitet për “krimin shqiptar”, por kjo është raciste”.

Policë të përfshirë në trafikun e drogës nuk janë ndjekur penalisht. Autoritetet e hetimit ndërkombëtar kanë konfirmuar se ka një problem.

“Unë kurrë nuk kam thënë se s’ka pasur problem. Ka të bëjë se mbi çfarë imagjinate krijohen opinionet. Kam lexuar një raport të BE mbi korrupsionin dhe kishte shuma që janë më të larta se Prodhimi Kombëtar Bruto. Prandaj le të flasim seriozisht. Kishte një problem para se ne të hynim në qeveri dhe ne kemi deklaruar luftë kundër drogës”.

Pas shkatërrimit të plantacioneve në Lazarat u përhapën më shumë plantacione kanabisi.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ju duhet të kuptoni diçka shumë të thjeshtë. Deri në vitin 2015, të gjitha deklaratat e policisë ishin sekrete, pra, jo publike. Ne i kemi publikuar ato, më pas, prandaj njerëzit kanë folur më shumë rreth kanabisit. Por, në qoftë se shkon në arkivat e para vitit 2013, do të shikoni se ka pasur kanabis kudo. Në qoftë se do të vërtetën, unë të them të vërtetën. Në qoftë se doni të qëndroni me imagjinatën tuaj, qëndroni me imagjinatën tuaj”.

Kryetari i ri i Parlamentit, Gramoz Ruçi, ishte Ministër i Brendshëm në vitin 1991, kur 4 vetë u vranë në demonstratë në Shkodër. A po bëhen hetime brenda Partisë tuaj Socialiste për atë kohë?
“Kjo është hetuar dhe gjykuar në gjykatë dhe është liruar nga të gjithë akuzat e çmendura. Pse duhet që partia të hetojë tani për këtë. Unë jam për një kohë të gjatë lider i kësaj partie. Unë kam qenë edhe lider i lëvizjes antikomuniste. Kjo Parti Socialiste që unë drejtoj nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën...”.

...megjithëse ai ka qenë ish-ministër i Brendshëm
“...i cili ishte ministër i Brendshëm në periudhën e tranzicionit, saktësisht pas revoltës. Ai ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer, sepse ai organizoi zgjedhjet e para të lira dhe të drejta si ministër i Brendshëm dhe në këto zgjedhje, presidenti komunist humbi zgjedhjet. Pjesa tjetër janë thjesht broçkulla dhe nuk e kuptoj, se si mund të diskutohet në 2017, kur ne kemi miratuar ligjin që lejon publikimin e të gjithë dosjeve nga koha e komunizmit, kemi punuar për rreth 1 vit me Gjermaninë për këtë propozim. Ne kemi hapur “Shtëpinë e Gjetheve” dhe Muzeun e Bunkerit të Komunizmit, në mënyrë që njerëzit të trajtojnë të kaluarën dhe ne i kemi paguar kompensim të gjithë ish të përndjekurve politikë që janë gjallë. Dhe tani ju më thoni mua, ish-ministër i Brendshëm?”

Po, sepse ai është simboli i asaj kohe. A ka diskutime në partinë tuaj për këtë?
“Jo, sepse partia është shkëputur prej tyre kohë më parë dhe ai nuk është simbol i asnjë gjëje. Ai është vetëm objektivi i një opozite barbare, e cila kërkon vetëm të demonizojë njerëzit. Një numër i madh shqiptarësh e respektojnë atë shumë, sepse ai ka treguar integritet dhe ka reformuar partinë dhe unë jam i kënaqur që parlamenti tani punon si një parlament dhe jo si një klub të dehurish – pak muaj më parë”.

Marrë me shkurtime nga “Der Standard”