Sigal

Bashkimi Evropian i ka kushtëzuar Shqipërisë për hapjen e negociatave reforma më të thella në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria është vlerësuar tashmë si “Kolumbia” e Evropës, për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa mafia shqiptare po bën “ligjin” edhe në shtetet e BE-së, për trafikimin e lëndëve narkotike. Kapja e 3,5 milionë euro në Toyota Yaris dëshmon, që milionat e eurove të mafies shqiptare në BE vijnë e pastrohen në Shqipëri.

Dënime më të ashpra për bosët e drogës edhe në Shqipëri

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi foli për situatën e krimit në Shqipëri dhe nevojën për miratimin e një ligji për kontrollin e mafias. Sipas Bylykbashit në Shqipëri ka ardhur koha për “Nenin 41-bis” shqiptar, që bosët e krimit të burgosur të mos kenë asnjë kontakt me botën e jashtme dhe të mos kontrollojnë aktivitetin kriminal jashtë. Bylykbashi sqaron se kjo situatë e krimit vjen pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës i cili bëri kompromis me kriminelët për të marrë pushtetin dhe se me Berishën si kryeministër në vitet 2005-2007 u kapën dhe u burgosën qindra kriminelë nga po këta gjyqtarë dhe prokurorë që po hiqen nga vetingu. Kjo vjen sipas deputetit nga vullneti që ka politika për të luftuar kundër drogës dhe krimit.

Bylykbashi: Ka ardhur koha për “Nenin 41- bis” shqiptar

Në 2005, kishte dhjetëra e dhjetëra banda të krimit te organizuar dhe atij ordiner. Midis 2005 dhe 2007 këto banda u dërrmuan nga qeveria e Sali Berishës, bosët dhe anëtaret e ‎tyre përfunduan me qindra pas hekurave. Këta gjyqtarë e prokurorë që po hiqen sot nga vetingu ishin ata që i hetuan e dënuan këta bosë të krimit, sepse ishte vullneti politik i qeverisë që nuk bëri kompromis. Ata bosë të krimit që ishin arratisur u kapën, u ekstraduan dhe përfunduan pas hekurave me dënime përjetë. Më pas erdhi në pushtet Edi Rama me paktin e tij me kriminelët për të fituar vota e pushtet. Më pas u kanabizua vendi, bosët e krimit të dënuar përjetë u liruan e po lirohen nga burgjet dhe sot përcaktojnë deri se kush bëhet deputet. Bashkimi Evropian për herë të parë ka folur për “rrjete kriminale” dhe jo thjesht “banda”, për herë të parë ka folur për “çmontim” të rrjeteve kriminale dhe jo thjesht “goditje” të bandave. Të jemi të qartë, Kryeministri nuk ka mbyllur sytë. Ai në fillim i shkeli syrin krimit dhe sot qeveris bashkë me të me sytë e mbyllur nga kënaqësia.‎ Pa u qëruar Edi Rama nga drejtimi i shtetit, nuk mund të ketë luftë ndaj krimit. SPAK, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, po deshët Reforma Hyjnore mbetet në letër sa kohë ai i shkel syrin krimit nga dritarja e Kryeministrisë, me buzëqeshjen-ngërdheshje të tij.

Bosët e krimit lirohen në çdo fushatë elektorale

Deputeti Bylykbashi pranon, që bosët e krimit lirohen nga burgjet, në çdo fushatë elektorale, për të terrorizuar elektoratin. Bylykbashi: Dhe bosët e “rrjeteve të krimit të organizuar” do vazhdojnë të lirohen, sepse po afrohen zgjedhjet. Shumë duhet bërë për të luftuar rrjetet kriminale. Por duhet bërë edhe diçka që fqinjët italianë kanë kohë që e kanë bërë: Neni 41 – bis “Carcere Duro”, apo në shqip “Burgim i Rëndë”. Duhet miratuar një regjim burgimi i ashpër për bosët e krimit, ku të mos kenë kontakte me botën dhe të mos kenë mundësi të drejtojnë trafiqet dhe punët e fëlliqura kriminale nga qelia, ndërkohë që shohin televizor me ekran të madh HD, vendosin baste e japin urdhra apo porosi kriminale me telefon, madje zgjedhin llojin e pijes alkoolike, që ua shërben i burgosuri “shërbëtor” nën “mbikëqyrjen” me të dy sytë mbyllur të administratës se burgjeve dhe, kur të duan, marrin liridalje për t’u dukur edhe në barin në qendër të qytetit. Bosëve të krimit u duhen hedhur çelësat në det, jo të lirohen e më pas t’u jepen tenderë, të bëhen kryetarë bashkish, ‎deputetë, apo kur nuk mundën vetë, të përcaktojnë ata emrat e listës së deputetëve. Le të dalin pastaj drejtuesit e PS e të thonë se kjo është antikushtetuese, siç thoshte Rama për ligjin Antimafia, kur u miratua vite më parë apo për ligjin e Dekriminalizimit, tre vite më parë, kur mbronte Rroshin e tij.