Presidenti i përket Republikës. Republika i përket qytetarëve

557
Sigal

Prononcim i Presidentit të Republikës, Ilir Meta: Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë

Presidenti i përket Republikës. Republika u përket qytetarëve

Presidenti i Republikës Ilir Meta, u prononcua dje edhe një herë, duke thënë se dekreti për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit është në fuqi dhe është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjithë dhe se Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, nëse nuk e zbatojnë dekretin, por ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratike në vend.

Zoti President, e keni lexuar këtë rezolutën e shumicës? 100 vota kundër jush zoti President, keni reflektuar?

Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim. Presidenti i përket Republikës. Republika u përket qytetarëve.

Datën e re të zgjedhjeve kur do e keni? Dhe kur do ta thërrisni zotin Rama dhe zotin Basha në takim?

Sa më parë që të jetë e mundur. Po punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin.

Zoti President, ndërkohë që dekreti juaj pritet të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor, a do të pranojë Presidenti i Republikës çdo vendimmarrje, cilado qoftë ajo të Kolegjit Zgjedhor?

Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet. Përkundrazi, i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë Ditë të Dhurimit të Gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për në Bashkimin Evropian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim.

Zoti President, çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?

Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend.