“Thashethemi” që ka “ndezur” Dibrën: 500 të drejta studimi shtesë, nëse fiton kandidati i PS

468
Sigal

Marifetet e fushatës zgjedhore për bashkinë e qytetit të Dibrës, nuk kanë mbërritur akoma tek “thesi i miellit”, por për të “mbushur thesin e votave” për kandidatin e PS, nga “Rilindja” po përdoret një “rast i artë” që përkon me këto votime. Zgjedhjet e parakohshme që po bëhen në bashkinë Dibrës, po shoqërohen me një premtim të parakohshëm, që ka nisur të përdoret intensivisht e mjeshtërisht si “karrem” e pothuajse me sukses të plotë, prej atyre që kërkojnë ta mbajnë këtë bashki, pas shkarkimit të ish-kryetarit që premtonte vende pune në shkëmbim të “aferave të qejfit”. Pas alarmit që dha opozita, se në bashkinë e Dibrës janë “desantuar” forca ekstremiste për presion dhe se prej Drejtorisë Arsimore të Qarkut Dibër po kërcënoheshin dhe po largoheshin mësues nga puna si presion për të votuar kandidatin e dytë të PS, në krejt territorin e bashkisë ka nisur të qarkulloj “thashethemi” tjetër, se “Rilindja” ka ofruar një dhuratë të shumë-pritur prej banorëve të zonës, që nuk ka lidhje as me tollona nafte, as me vende pune, as me pako ushqimesh, as me shlyerje listash nëpër dyqane, as me licenca kromi e HEC-esh, as me toka e gardhe, por me një premtim tjetër joshës. 

Sipas informacioneve nga Dibra, thuhet se një “gjuhë e ëmbël” elektorale ka përhapur e po tellallizon lajmin, se kupola e “Rilindjes” do të akordoj 500 të drejta studimi shtesë, për gjithë qarkun e Dibrës, nëse në 11 Shtator 2016 fiton kandidati i PS. Ky premtim, thuhet se ka dalë nga “misionarët” e hedhur në veprim prej Drejtorisë Arsimore Rajonale të Dibrës, të cilët e trumbetojnë këtë premtim të bujshëm, si një vendim “bamirës” të kryeministrit. Qëllimi është të ketë fitore, se premtimi mbahet mbasi është në dorën e qeverisë. Mjafton që drejtimin e bashkisë Dibër ta fitoj kandidati i PS dhe do të akordohen 500 të drejta studimi shtesë për maturantët aplikues të fazës së parë dhe 200 kuota shtesë, për aplikantët e fazës së dytë. Mirëpo, sipas “planit elektoral”, që të akordohen këto të drejta studimi shtesë, thuhet se kryeministri Rama, ka vënë si kusht shkëmbimi fitoren e mjekut Rama. Por ka një mos përputhje kohore mes datës së fituesit të bashkisë Dibër dhe datës së shpalljes zyrtare të listës kombëtare të fituesve për në universitete. Konkretisht, sipas shpalljes zyrtare, votimet janë në datën 11 Shtator 2016, ndërsa listat zyrtare të fituesve të universiteteve do të shpallen në datën 5 Shtator 2016, ose 5 ditë përpara votimeve për bashkinë. 
Të trembur se pas dhënies së 500 të drejtave të studimit shtesë 6 ditë përpara ditës së votimeve, përfituesit e :shpërblimit” nuk do të japin votat për fitoren e kandidatit socialist, “specialistët” e këtyre punëve në kupolën e “Rilindjes”, kanë menduar si “garanci” një tjetër marifet elektoral. Sipas thashethemet, që po qarkullon në Dibër e në krejt qarkun dhe që po josh banorët që kanë këtë “hall”, thuhet se është menduar edhe për këtë mospërputhje dhe frikë që po përjeton “Rilindja”. Eshtë vendosur të shtyhet data e shpalljes së fituesve të universiteteve deri në datën 15 shtator, pra 4 ditë pas zgjedhjeve, afat ky krejt iu mjaftueshëm për të numëruar votat që janë hedhur për secilin kandidat. Pas bilancit të votave, nëse ato janë në favor të kandidatit socialist, thuhet se do të jepen 500 kuotat shtesë për fëmijët e “familjeve rilindëse”, por edhe për fëmijët e familjeve që ka prova konkrete, se kanë votuar për kandidatin e PS. Ky premtim është bërë pjesë kryesore mbështetëse e fushatës, madje sipas informacioneve që vijnë nga qyteti veri-lindor, thuhet se ka nisur edhe hartimi i listave me emrat e atyre që do të përfitojnë nga 500 të drejtat e studimit shtesë. Këto lista po hartohen nga administratorët e bashkisë dhe të besuarit e kandidatit të PS në të gjithë zonat ish-komuna, të cilët janë përfaqësues të “Rilindjes”, të emëruar prej ish-kryetarit Xhelili, të shkarkuar për videon që çoi edhe në qeli. Mirëpo, që të fitohet një e drejtë studimi shtesë, duhet të plotësohet edhe një “kriter” tjetër, po aq i rëndësishëm.
Ata që duan të shpërblehen me të drejtë studimi nga “Shtesa 500”, duhet së pari të garantojnë jo vetëm votat e familjarëve të tyre në favor të kandidatit të PS, por edhe votat e krushqive dhe të të afërmve e miqve që kanë jashtë territorit të bashkisë së Dibrës si në Bulqizë, por edhe të aktivizojnë miqtë e tyre deri në Burrel e Klos, për të bindur të afërmit e tyre që janë votues në bashkinë Dibër, të hedhin votat për kandidatin e PS. Tashmë, listat e përfituesve janë përfunduar. Kontingjentet përfitues nga kjo shtesë, janë ato familje të cilat kanë fëmijë ish-maturantë, që për shkak të treguesve të dobët mësimorë, janë të bindur që nuk fitojnë të drejtë studimi. Ndaj dhe shpresojnë, se me lajmin e përhapur që shpallja do të bëhet pas votimeve të bashkisë Dibër, premtuesit do ta mbajnë fjalën dhe do t’u akordojnë të drejta studimi fëmijëve të tyre, duke u premtuar madje edhe degët që preferojnë, të cilat tashmë janë përcaktuar në listat e hartuara. Por ka edhe një premtim tjetër. Thuhet se do të bëhet shtesë të drejtash studimi edhe për fazën e dytë të aplikimit, për ata që nuk përfitojnë të drejtë studim i në fazën e parë. Nuk e dimë, nëse do të mbahet të paktën ky premtim elektoral prej “Rilindjes”, por dimë faktin që njerëzit janë joshur nga shpërblimi dhe janë vërsulur të mbledhin vota për kandidatin e majtë, por zëra të tjerë thonë se ky premtim shtesë nuk do të mbahet edhe nëse fiton kandidati i PS, duke i përcjellë me justifikimin: “Ne bëmë vendimin, por nuk na lejon BE që të shtojmë numrin e studentëve në universitete”!