Nishani propozon Gent Sejkon në postin e Guvernatorit të BSH

432
Sigal

TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i propozon Kuvendit zgjedhjen e Genti Sejkos për postin e Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.

Pas rreth 3 muajsh nga shkarkimi i ish-Guvernatorit Ardian Fullani, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, Presidenti i Republikës ndërmerr hapin e parë konkret për zgjedhjen e kreut të ri të Bankës Qëndrore.

Propozimi i Nishanit, vjen pas përzgjedhjes së listës së tij prej 3 kanditatësh si Guvernator të ri të BSH, në mesin e të cilëve, krahas Sejkos, ishin edhe Arjan Kadare, dhe Nik Markola

Sipas komunikatës për shtyp të Presidencës, në përfundim të fazës së aplikimeve, ku u depozituan 42 kërkesa, si dhe bazuar në listën e kandidatëve që plotësonin kushtet ligjore, Presidenti Nishani zhvilloi një proçes informimi dhe diskutimi me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe opozitës.

Në përfundim të këtij proçesi, Kreu i Shtetit, ka vlerësuar kanditaturën e Gent Sejkos si më të duhurën në BSH, duke ia propozuar emrin e tij, Kuvendit të Shqipërisë.
 
Sipas Nishanit, propozimi i Sejkos si kandidati i guvernatorit të ri të BSH, ka të bëjë me përvojën menaxheriale të tij në sistemin bankar.

“Eksperienca mbi 20 vjeçare në funksione të ndryshme në sistemin bankar i kanë dhënë zotit Sejko njohje dhe ekspertizë të lartë për sistemin bankar shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Po kështu, edukimi dhe formimi i tij profesional në Shqipëri dhe në vendet e zhvilluara, si dhe integriteti i lartë moral që ka treguar përgjatë këtyre viteve, në vlerësimin tim, e bëjnë zotin Sejko një kandidat serioz që arrin standartet më të larta të kërkuara për funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.” thuhet në komunikatën e Presidencës.

Tashmë është Kuvendi i Shqipërisë ai i cili do të votojë propozimin e Sejkos. Vendimi i Presidentit Nishani vjen një ditë pas një takimi kokë më kokë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu. Gjatë kësaj kohe, kreu i shtetit ka zhvilluar disa takime edhe me kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu Nishani ka pritur në takime edhe Kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe kreun e PD Lulzim Basha.

Deri më tani nuk dihet ende nëse propozimi i Sejkos ka ardhur si rezultat i një konsensusi të mundshëm ndërmjet mazhorancës dhe Presidentit, gjatë takimeve të zhvilluara. Qëndrimi i mazhorancës pritet të shihet, gjatë shqyrtimit të propozimit në fjalë në Komisionin e Ekonomisë. 

Skeda/ Kush është Gent Sejko:
Gent Sejko ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Tiranë, përgjatë periudhës Shtator 1987 – Gusht 1991, ku është diplomuar për ekonomist industrie. Gjithashtu, zoti Sejko ka kryer studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc) të kryer pranë Universitetit të Glasgow-t, Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës, Skoci, Mbretëri e Bashkuar, përgjatë periudhës Shtator 1996 – Tetor 1997 ku ka mbrojtur temën e dizertacionit për: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.

Ai ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë në periudhën 1993-1995 në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Inspektorit të Mbikqyrjes, duke u angazhuar për ekzaminimin e bankave private apo Joint venture që operonin në Shqipëri.

Përgjatë periudhës Qershor – Gusht 1996, Zoti Sejko ka qënë pjesëmarrës në ekzaminimet e Bankave tregtare në SHBA, Iowa, Chicago, përkatësisht në Federal Reserve Bank, Departamenti i Mbikëqyrjes.

Përgjatë Tetor 1997 – Janar 1998 ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Kryeinspektorit të mbikëqyrjes, si përgjegjës për përgatitjen e raporteve të mbikqyrjes bankare sipas sistemit CAMELS.

Zoti Sejko ka punuar pranë firmës DELOITTE & TOUCHE, në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000, si auditor i lartë dhe konsulent, ku ka mbuluar detyrën e përgjegjësit për menaxhimin e procesit të auditimit.

Në periudhën janar 2001 deri më gusht 2001 ka punuar në Bankën Amerikane të Shqipërisë si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm dhe Përputhshmërisë duke qënë përgjegjës për procesin e Kontrollit të Brendshëm të Bankës dhe për përputhshmërinë me kuadrin rregullator.

Zoti Sejko ka punuar për hapjen e degës së Bankës Amerikane në qytetin e Vlorës, në pozicionin e Drejtorit të kësaj dege në periudhën Shtator 2001 – Qershor 2002.

Në periudhën Qershor 2002- Qershor 2004, zoti Sejko është rikthyer të punojë pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e shefit të sektorit të ekzaminimeve në vend.

Zoti Sejko ka pasur eksperiencë pune pranë Bankës RAIFFEISEN në periudhën Korrik 2004 – Maj 2007 në pozicionin e Drejtorit të Divizionit të Auditimit të Brendshëm, Përputhshmëria dhe Marrëdhëniet me Qeverinë.

Në vijim, ka punuar në RAIFFEISEN LEASING. Sh.A., në periudhën qershor 2007 – nëntor 2008, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm.

Ndërsa në periudhën nëntor 2008 – korrik 2010 ka punuar si Drejtor i Divizionit të Korporatave pranë Bankës RAIFFEISEN BANK, ku krahas detyrave të poshtëshënuara ka qënë dhe Anetar i Komitetit të Kreditit të Bankës, Anëtar i Komitetit të Menaxhimit të Aktiv Pasiveve, Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Raiffeisen Leasing dhe Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Fondit të Pensioneve.

Korriku i vitit 2010 dhe aktualisht e gjen zotin Sejko në pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail dhe Rrjetit të Degëve, pranë Bankës “SOCIETE GENERALE ALBANIA” ku mbulon një seri detyrash dhe është anëtar i Komitetit të Menaxhimit të aktiv-pasiveve, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të SG Leasing dhe anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës.