Meta viziton disa biznese në Kosovë “Duhet hekurudhë Durrës-Prishtinë”

58

Një linjë hekurudhore Durrës-Prishtinë do të rriste më tepër bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe do të ulë koston e prodhimit. Kështu deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ku gjatë qëndrimit në Kosovë vizitoi një fabrikë mielli.

Fabrika e miellit “Universal Food” në Fushë Kosovë  është një nga më të mëdha në Ballkan e cila është rindërtuar në vitin 2007. Ajo ka një kapacitet deponimi prej 500 ton grurë dhe prodhon rreth 380 ton miell në ditë. Kosto e investimit në këtë fabrikë arrin 22 milionë euro dhe është e lidhur me rrjetin e kompanive “Aksoy Group” e cila ka filialet e saj në Shqipëri dhe Turqi.

Gjithashtu Meta vizitoi dhe Kantinën e verës “Stone Castel” në Rahovec të Kosovës. Numri një i Kuvendit theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në mënyrë që produktet e kësaj kantine të eksportohen edhe më shumë tregun shqiptar.

Fabrika e verës është ndërtuar në vitin 1981. Në këtë kantinë prodhohen produkte të ndryshme të rrushit si vera e kuqe dhe e bardhë, konjaku, i cili ishte i stazhionuar për një periudhë 10 vjeçare dhe ofronte punësimin e rreth 150 punonjësve sezonalë si dhe të 20 punonjësve permanentë. Produktet e kësaj kantine vere eksportohen në Shqipëri dhe në tregjet e Bashkimit Evropian, si Gjermania, Çekia etj.