Meta- Minniti: S’ka të paprekshëm, të goditen nivelet e larta të krimit

573
Presidenti Ilir Meta, priti ditën e djeshme në një takim të veçantë, Ministrin e Brendshëm të Republikës Italiane, Marco Minniti. Duke vlerësuar partneritetin strategjik mes dy vendeve, Presidenti Meta, u ndal në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin e gjatë dhe intensiv për çështjet e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Të dy bashkëbiseduesit përshëndetën rezultatet konkrete dhe koordinimin efikas mes organeve ligj-zbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës dhe ndanë të njëjtin mendim se, në këtë luftë është shumë e rëndësishme që të mos ketë të paprekshëm dhe të goditen nivelet e larta të krimit. Presidenti Meta, vlerësoi rolin vendimtar të Italisë dhe të Antimafias italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe garantimin e një të ardhme më të sigurt në të dy brigjet e Adriatikut, si dhe theksoi se Shqipëria është sot në një moment shumë të rëndësishëm për ndërtimin e një ekonomie të shëndetshme e të qëndrueshme, larg burimeve kriminale. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Minniti e konsideroi të rëndësishëm bashkëpunimin mes agjencive të të dy vendeve dhe shprehu angazhimin e tij për vijimin e mbështetjes italiane në forcimin e fuqisë goditëse kundra trafiqeve të drogave, si dhe të kapaciteteve investiguese.
Sigal