29 Nëntori ende përçan unitetin e popullit

717
Sigal

Mazhoranca dhe LSI festojnë 74-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, komunistët thërrasin:Poshtë qeveria neoballiste!”

Dje, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë vendosën morën pjesë në ceremonialin shtetëror kushtuar 29 Nëntorit, duke vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” në varrezat e dëshmorëve të kombit tek një kodër mbi kryeqytet. Në ceremoni morën pjesë familjarë të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore dhe qytetarë nga Tirana dhe krahina të tjera, që nderuan të afërmit e tyre të rënë në luftë. Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi së bashku me deputetët nderuan dëshmorët. Monika Kryemadhi: “Nderimi ynë ndaj këtyre djemve e vajzave është më e pakta që mund të bëjmë për ta, sepse ata janë ata që i dhanë gjithçka atdheut dhe nuk i morën asgjë”

Opozita nuk e njeh 29 Nëntorin

Përfaqësues të opozitës nuk morën pjesë në ceremonial, pasi sipas tyre, Dita e Çlirimit të Shqipërisë është 28 Nëntori, ndërsa 29 Nëntori është një festë e sajuar artificialisht nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha, për të shënuar varësinë dhe servilizmin ndaj regjimit komunist të Beogradit pas mbarimit të Luftës. Opozita e feston Ditën e Çlirimit në të njëjtën datë me Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor.

 

Komunistët dhe veteranët: Ceremonial i zi i turpshëm shtetëror i qeverisë rilindëse

Si çdo vit homazhe në Varrezat e Dëshmorëve kanë bërë edhe komunistët dhe veteranët, që nderojnë Enver Hoxhën. Ceremonia e tyre u mbajt një orë pasi kishte përfunduar ceremonia shtetërore, ku presidenti Meta dhe kryeministri Rama nderuan me homazhe para monumentit “Nëna Shqipëri” Ata vendosën një foto të madhe të Enverit para monumentit dhe më pas vijuan homazhet. Ndarja me PD-në, të cilën e quajnë parti neofashiste është normale por këtë herë, komunistët kishin diçka për t’i dhënë edhe qeverisë neoballiste të Ramës, siç e etiketuan ata, fill pas sjelljes së eshtrave të Mit’hat Frashëri, që u pa si një akt tradhtie. “Populli shqiptar dhe gjithë bota panë e dëgjuan me zë  figurë ceremonialin e zi të turpshëm shtetëror të qeverisë rilindëse të Edi Ramës për sjelljen e eshtrave, varrosjen me nderime e ngritje të bustit të kryeballistit, kryetradhtarit Mit’hat Frashëri.” 29 Nëntori shënon 74-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga forcat nazifashiste.