Mbështetim Aleancën, presim Ramën të respektojë marrëveshjen

515
Prof. Dr. Paskal Milo, kryetari i PDS, në intervistën për gazetën “Telegraf” e shpreh hapur shqetësimin se partitë e mëdha, në këtë fushatë zgjedhore, merren me sharje dhe me akuza ndaj njëri-tjetrit, dhe aspak me problemet që kanë zgjedhësit dhe kjo, sipas Prof. Milos, tregon varfërinë ideore dhe të programit të kandidatëve. Por shqetësimi kryesor i kryetarit të PDS është se kush do t’i numërojë votat, kur subjektet politike mungojnë në tavolinën e numërimit, duke bërë aludim të hapur për vjedhjen e votave nga të mëdhenjtë. Prof Milo shpjegohet se pranoi të jetë në koalicionin me PS, pasi Rama u zotua se do të respektojë marrëveshjen e paresoektuar të 2013. Prof. Milo, për herë të parë i përgjigjet kritikave të Gjinushit, duke i kujtuar, se PDS ia kishte bërë paraprakisht të qartë Gjinushit, se, nëse Rama do respektojë marrëveshjen, atëhere, në këto zgjedhje PDS do jetë në koalicionin e Majtë. 

– Profesor Milo, sipas jush cilat janë problemet shqetësuese të fushatës zgjedhore të 21 qershorit.
– Ajo që mua personalisht më shqetëson është se partitë politike dhe këtu e kam fjalën kryesisht për ato që quhen të mëdha, në vend që të merren me një fushatë konkrete për çdo bashki me ato probleme që i interesojnë komunitetit lokal, merren me sharje, me akuza reciproke dhe me probleme të karakterit të përgjithshëm që nuk ka të bëjë me një fushatë zgjedhore për pushtetin vendor. Shqetësimi tjetër i imi në këtë fushatë është se përsëri ka shënja që gjithnjë e më qartë po shfaqen për përpjekje për të manipuluar zgjedhësit, në forma dhe në mënyra të ndryshme duke tjetërsuar vullnetin e tyre qoftë dhe përmes blerjes së votës dhe shqetësimi i tretë ka të bëjë me aktin final të përfundimit të zgjedhjeve, që është dhe më i rëndësishmi, numërimi i votave. Edhe njëherë shtrohet pyetja, kush do të numurojë votat e subjekteve politike që mungojnë në tryezën e numërimit? A do të përsëriten skenarët e vjetër të vjedhjes së votës në tavolinë? Apo këtë herë do të ketë një sjellje tjetër. Ky është një problem shumë i madh që ka të bëjë edhe me konceptin themelor te demokracisë, të respektimit të vullnetit të zgjedhësv, e por ka të bëjë njëkohësisht edhe me maturinë e politikës shqiptare dhe institucioneve shqiptare që monitorojnë zgjedhjet dhe që vulosin në fund të fundit edhe rezultatin përfundimtar.

– Atë që thatë profesor, se partitë e mëdha merren më shumë me akuza ndaj njëri tjetrit sesa me problemet dhe shqetësimet e elektoratit, mos vallë ngaqë nuk kanë programe çfarë t’iu japin? 
– Varfëria ideore dhe programore duket qartë, për sa kohë që pjesën më të madhe të fushatës e zënë akuzat reciproke. E dyta, është që ka një numër premtimesh kaq të mëdha saqë ato bëhen të pabesueshme për sytë dhe veshët e zgjedhësve, të cilët kanë një përvojë të hidhur nga fushatat zgjedhore të kaluara. 
-Profesor, ju nuk keni kandidat për kryebashkiak. Kjo është pjesë e marrëveshjeve që keni bërë me Edi Ramën, apo nuk kishit mundësi që të konkurronit? 
– Mundësitë për të konkurruar, ose për të propozuar kandidatë ne kemi patur plot, por ne për shkak të negociatave të vonuara me Partinë Socialiste dhe për shkak se si kusht për të hyrë në koalicionin e ASHE, ne vendosëm respektimin e marrëveshjes së parespektuar dhe të pazbatuar të 2013-ës, ne nuk vendosëm kushte që të mund të propozonim kandidatë për kryetarë bashkie, qoftë edhe në njesi jo shumë të rëndësishme, apo dhe të mëdha.

– Derisha ju, si PDS, nuk keni kandidatë për kryebashkiakë, dhe kandidatët për këshilltarë secila parti do ketë nga lista e vet, ku qëndron thelbi i marrëveshjes, që ju keni bërë me PS? 
– Marrëveshja është kjo, që ne u japim gjithçka dhe ata nuk na japin asgjë. Ne i mbështesim me votat tona, të cilat mund dhe do të jenë vendimtare për të fituar garën për kryetar bashkie në disa bashki, ku rezultati do të jetë i ngushtë, ndërkohë, që ata jo vetëm që nuk na japin asgjë, por do të përpiqen të na marrin dhe ato që ne do të grumbullojmë në saj të fushatës sonë elektorale. 

-Skënder Gjinushi u kritikoi juve, duke thënë që ju nuk e çuat deri në fund marrëveshjen që kishit me të për të dalë si subjekte zgjedhore më vete dhe jo në koalicionin e majtë. Si i përgjigjeni kritikës së Gjinushit? 
– Nuk kam patur asnjë marrëveshje me zotin Gjinushi dhe më mirë se kushdo ai e di vetë këtë gjë. Qëndrimi im dhe i partisë Demokracia Sociale ka qënë shumë parimor dhe i thënë disa herë zotit Gjinushi që, Demokracia Sociale në rastin kur Partia Socialiste do të respektonte marrëveshjen e vitit 2013 do të shkonte në koalicion me ASHE. Në rastin kur PS nuk merrte përsipër të respektonte marrëveshjen, atëherë ne do të shihnim një alternativë tjetër së bashku me zotin Gjinushi për të garuar më vete si koalicion. Në momentin që Partia Socialiste, kryeministri Edi Rama personalisht më garantoi se Partia Socialiste do ta zbatojë marrëveshjen e zbatuar në 2013, unë nuk kisha arsye që të mos bashkohesha me koalicionin Aleanca për Shqipërinë Evropiane. Tani ju mund të thoni, a po e zbaton PS marrëveshjen? Apo e mban fjalën që më ka dhënë? E kam të vështirë t’a pohoj, sepse ka disa ministra që po më “driblojnë” përditë dhe që ia ulin kredibilitetin dhe besimin kësaj qeverie në sytë e Demokracisë Sociale, por shpresoj që pas përfundimit të zgjedhjeve, të mund të zbatohet marrëveshja, që në fund të fundit PS të bëhet burrneshë dhe të mbajë fjalën e dhënë.

– Mendoni që elektorati në 21 qershor do të vendosë për votën e tij, duke marrë në konsideratë edhe atë zhgënjim nga keqqeverisja e Rilindjes, dhe pritshmëria e vogël që ka? 
– Unë nuk e di se çfarë do të bëjë elektorati me partitë e tjera politike, por e di shumë mirë që partia Demokracia Sociale do të mbështetet fuqimisht në datë 21 qershor nga elektorati shqiptar.
– Faleminderit!
Sigal