Prof. As. Dr. Dine Merja/ Kapitullimi i shtetit me rrafshimin e Marinzës

692
Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Mjedisit në funksion të rehabilitimit të tokave bujqësore të Marinzës nga ndotjet toksike të tyre për shkak të shpërthimit të pusit të naftës, të shikojnë mundësinë e hartimit dhe miratimit të një projekti riabilitues. Ky projekt do të kishte për objekt përdorimin e teknologjisë dhe operacioneve përkatëse për çkripëzimin dhe detoksikimin e tokave bujqësore, hapjen dhe pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kullues, mbjelljen e kulturave bujqësore në funksion të këtij qëllimi, analizat agrokimike dhe toksikologjike periodike të tokës dhe të kulturave bujqësore deri në normalizimin e tyre. Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjitikës dhe Industrisë dhe institucionet vartëse të tyre, në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes të pastërtisë ekologjike të zonës së Marinzës, duhet të kontrollojnë sistematikisht subjektet e kërkim-shfrytëzimit të vëndburimeve të naftës nëse respektojnë dhe zbatojnë kërkesat për sigurinë dhe mbrojtjen e pastërtisë ekologjike dhe të parandalimit të incidenteve, veçanërisht në drejtimet e mëposhtme: 
Nëse rezervuarët e naftës, aksesorët, impiantet, tubacionet dhe puset e naftës plotësojnë kushtet teknologjike të nevojshme: për sigurinë e mosndotjes së mjedisit dhe të teritorit nga ndryshku, rrjedhjet ose avullimi prej tyre i hidrokarburëve të naftës, ujrave të ndotura ose gazeve toksike. 
– Nëse rezervuarët e naftës janë të pajisur me kapakë hermetikë dhe filtra kimikë përkatës për të mbrojtur pastërtinë ekologjike nga avullimi eventual i hidrokarbureve dhe i gazeve toksike që shoqërojnë zakonisht naftën. 
– Nëse subjektet e përmëndura më sipër, respektojnë ose jo ruajtjen dhe mbrojtjen e territorit nga derdhjet dhe shkarkimet mbi të, të mbeturinave të naftës, të ujrave të ndotura nga puset e naftës, nga rezervuarët, tubacionet ose autobotet. Nëse këto subjekte bëhen ose jo shkaktarë të ndotjes së mjedisit (ajrit, ujërave, tokës, bimëve) me ujëra nëntokësore të ndotura me naftë dhe vajra, me pellqet, gropat dhe kanalet të mbushura me mbeturina nafte, si rezultat i veprimta-isë së tyre naftënxjerrëse ose përpunuese. 
– Nëse subjektet e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe të gazit në vendin tonë respektojnë dhe mirëmbajnë vazhdimisht pastërtinë ekologjike kimike,sizmike dhe akustike të zonës ku punojnë dhe nëse ato bëjnë analiza dhe kontrolle sistematike të mjedisit për mbajtjen e pastërtisë ekologjike të zonës brënda normave të lejuara. 
– Nëse subjektet e shpim-kërkim-shfrytëzimit të naftës, instalojnë ose jo linjën e dytë të parandalimit të fontanës në puset e naftës dhe nëse respektojnë sistematikisht protokollin teknik operacional në puset e naftës, për mbajtjen nën kontroll dhe reduktimin e presionit të prurjeve fluide në pus nga shtresat e thella nëntokësore naftëmbajtëse, të domoszdoshme për mbytjen (bllokimin) e menjëhershëm të fontanës. 
– Nëse këto subjekte janë të informuara paraprakisht me kushtet dhe historikun e puseve të vjetra të naftës përreth vendburimit, me kërkesat dhe detyrimet ligjore për parandalimin e avarive, të mbrojtjes dhë ruajtjes të pastërtisë ekologjike, të ruajtjes dhe mbrojtjes të pasurive mbitokësore të zonës naftëmbajtëse, të përjashtimit absolut të ndotjeve dhe të kontrollit sistematik të tyre në mjedis. 
– Nëse subjektet e mësipërme, respektojnë kushtet teknike gjatë studimeve gjeofizike dhe shpim-shfrytëzimet lidhur me detonacionet e ndryshme, presionet e injektimeve të gazit karbonik në shtresat e naftës, kërkesat teknike të rrjetit të shfrytëzimit të puseve, ruajtjen e shtresave naftëmbajtëse nga dëmtimi apo përmbytja gjatë shfrytëzimit racional të tyre etj. 
Në qoftë se kërkesat e sipërpërmëndura nuk plotësohen ose shkeljet përsëriten nga ana e subjektit përkatës edhe pas paralajmërimit prej institucioneve shtetërore përgjegjëse, atëhere subjekti duhet të përballet me detyrimet dhe sanksionet ligjore në fuqi, siç veprohet edhe në vendet e tjera. 
Monitorimi sistematik i pastërtisë ekologjike të zonës
Institucionet shtetërore të shëndetit publik, të ruajtjes së territorit dhe të mjedisit dhe ato të bujqësisë dhe ushqimit, duhet të kryejnë me përgjegjësi kontrollin sistematik, për të ruajtur në mënyrë permanente nivelin higjieno-sanitar, kimik, sizmik dhe akustik, në të gjithë zonën e vendburimit të naftës në përputhje me normat ndërkombëtare. Të ruhet niveli i pastërtisë ekologjike të ajrit, ujërave, tokave dhe bimëve në të gjithë zonën. Veçanërisht kontrolli i ndotjeve të mjedisit nga derdhjet dhe rrjedhjet e naftës, ujërave të ndotura, mbeturinave të naftës ose të gazeve toksike nga puset e naftës, nga rezervuarët, sistemi i tubacioneve të lidhura me puset, rezervuarët ose impiantet përpunuese të saj, nga autobotet e naftës, nga detonacionet ose shpërthimet me pasoja sizmike dhe akustike ndaj zonave të banuara. Në këtë aspekt zona e Marinzës duhet trajtuar si një zonë industriale me probabilitet të lartë intoksikimi nga puset e naftës, nga grifonet e gazeve, ujrave dhe nafta e shtresave nëntokësore, si dhe nga mundësia e ndotjes të ajrit dhe të ujrave nga gazet dhe hidrokarburet toksike që mund të dalin nga rezervuarët e naftës ose sistemi i tubacioneve të tyre të lidhur me puset e naftës. Ky kontroll duhet të jetë veçanrisht më i shpesht deri në riabilitimin e plotë të situatës emergjente në Marinzë dhe më pas. Kontrolli i ruajtjes së pastërtisë ekologjike në Marinzë, si në çfarëdo zonë tjetër industriale ose të shpim-kërkimit e shfrytëzimit të naftës, duhet të bëhet sistematikisht dhe paralelisht nga disa institucione të pavarura nga njëra tjetra. Ajo duhet të bëhet së pari nga vet subjekti brënda zonës të aktivitetit të tij, nga Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, nga Agjensia Kombëtare e Ruajtjes së Mjedisit, nga Institutionet e Shëndetit Publik Rajonal dhe Qëndror, nga Shoqatat ose Organizatat Ekologjike joqeveritare. Kundërvajtësitë e ndotjeve ekologjike kimike, sizmike dhe akustike duhen penalizuar në përputhje me dispozitat ligjore për ruajtjen e mjedisit. Ruajtja e pastërtisë ekologjike të mjedisit kërkon në radhë të parë zbatimin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e mjedisit nga pushteti lokal, kërkon ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e të gjithë banorëve të zonës dhe të sindikatës, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve demokratike që ju jep ligji, për mbrojtjen e shëndetit të tyre duke vënë para përgjegjësisë subjektet kundërvajtëse, menjëherë pas çfardo shkelje eventuale. Kështu veprohet në vëndet e BE, me të cilat kërkojëm të bashkohemi. Ministria e Shëndetësisë nëpërnjet institucioneve vartëse të saj, për shkak të incidentit në Marinzë dhe pasojave eventuale shëndetësore tek banorët e saj, mendojmë se duhet të kryej kontrollin shëndetësor të specializuar falas bashkë me ekzaminimet laboratorike mjekësore të nevojshme, për të gjithë banorët e Marinzës që janë ekspozuar ndaj mjedisit toksik (ajër, ujëra, tokë, bimë) si dhe të nevojës për trajtime suplementare të personave me komplikacione eventuale deri në kurimin e tyre. Ky kontroll dhe ekzaminim mjekësor diktohet edhe nga fakti se sipas rezultateve të analizave laboratorike të ISHP dhe DRSH Fier, janë konstatuar nivele të larta të gazrave toksike në ajër dhe përmbajtje të fenolit në urinën e disa banorëve mbi normën e lejuar. 
Shpërngulja e banorëve nga Marinza, kapitullim para shkelësve të ligjit 
Varianti i shpërnguljeve masive të banorëve nga Marinza nuk është zgjidhje objektive për një vendburim nafte në kërkim-shfrytëzim, por kërkesë për shkaqe subjektive të shkeljeve flagrante sistematike të pastërtisë ekologjike të zonës të trashëguara nga e kaluara ose nga subjektet e shfrytëzimit. Sipas këtij varianti u dashka të shpërngulen të gjithë banorët e të gjitha vendburimeve të naftës ose të zonave të përpunimit të saj për shkaqe të njëjta, në vënd që të detyrohen subjektet e shfrytëzimit për të respektuar pastërtinë ekologjike të zonës përkatëse, ashtu siç veprohet kudo në botë. Një shpërngulje e tillë do të ishte me pasoja të rënda ekonomike familjare dhe shtetërore. Nuk duhet shpërngulje por siguri të plotë dhe shfrytëzim normal paralelisht i pasurive nëntokësore dhe mbitokësore të zonës naftëmbajtëse, duke garantuar plotësisht pastërtinë ekologjike dhe shëndetin e banorëve. Një shpërngulje e tillë mund të ishte komode për subjektet e shfrytëzimit të naftës por kurrësesi për banorët dhe shtetin. Synimi parësor i qeverisë për situatën në Marinzë, duhet të jetë rivendosja e pastërtisë ekologjike (ajër, ujë, tokë, bimë) në mjedisin e saj, në përputhje me normat ndërkombëtare. Kjo mund të arrihet së pari me pastrimin e teritorit të Marinzës nga ndotjet e trashëguara (pellgje, gropa, kanale dhe mjedise të ndotura me ujra të ndënjura dhe të përziera me naftë e vajra, me mbeturina të ngurta të përziera me naftë etj), të cilat janë burime emetuese permanente ndotje,së dyti duke frenuar ndotjet e reja nga subjektet e ndryshme. Shpërnguljet ose çvendosjet selektive, duhen bërë me përparësi nga vatrat me risqe në shëmbjet e banesave nga rrëshqitjet e shtresave të tokës për shkak të incidenteve të përmëndura më sipër. Në mungesë të ish-Institutit të Kërkimeve të Naftës dhe Gazit në Fier (mbyllja e të cilit ka qënë e gabuar dhe me pasoja të rënda për shfrytëzimin e naftës) duhet të ngrihet një Komision Ekspertësh Shqiptar, i cili mbi bazën e një studimi të plotë, do të përcaktonte (në rast se nuk janë përcaktuar), kufijtë e kuq të sipërfaqes aktive të vëndburimit, kufijtë e gjelbër, të së drejtes të shfrytëzimit të pellgut naftëmbajtës, kufijtë portokalli, të limituar të prodhimit dhe kufijtë blu të zonës naftëmbajtëse, që duhen miratuar nga Këshilli i Ministrave. Këta kufij do të ndihmonin edhe për banesat eventuale që duhen zhvendosur ose shpërngulur në Marinzë apo në çdo zonë tjetër naftëmbajtëse në shfrytëzim. Ky komision do të ndihmonte gjithashtu institucionet shtetërore ligjëvënëse dhe ekzekutive edhe në plotësimet eventuale ligjore lidhur me shfrytëzimin racional të vëndburimeve të naftës dhe gazit, si dhe me masat dhe sanksionet shtesë për mbrojtjen ekologjike të mjedisit, nëse do të konsiderohen të nevojshme nga ana e këtij komisioni. Komisioni i mësipërm duhet të përbëhet nga ekspertë shqiptarë të njohur, me aftësi dhe eksperiencë të gjatë në profilin e vet (mbi 20-25 vjet përvojë profesionale aktive), të cilët nuk i mungojnë vendit tonë. Komisioni do të përbëhej nga 10 ekspertë, mes të cilëve: ekonomist, jurist, gjeolog nafte, gjeofizik nafte, teknolog spim-shfrytëzim nafte, kimist analist, sizmolog, ambjentalist, toksikolog dhe hidroteknik, jashtë strukturave ekzistuese energjitike dhe vartësisë prej tyre. Në raste incidentesh, që zakonisht ndodhin shumë rrallë dhe për shkaqe subjektive të shkeljeve teknologjike operacionale në procesin e shpim-kërkim-shfrytëzimit të pellgut naftëmbajtës, merren masa urgjente të detyrueshme për subjektin e shfrytëzimit për sigurimin e plotë të banorëve, evakuime të përkohëshme të banorëve të rrezikuar, rikuperimin e shpejtë dhe riabilitimin e situatës deri në normalizimin e gjendjes, pa qënë nevoja e shpërnguljes së banorëve të zonës naftëmbajtëse. Bazuar edhe në eksperiencën kombëtare dhe ndërkombëtare të vendeve të zhvilluara Euroatlantike, kjo shpërngulje nuk ka arsye objektive për t’u bërë, në qoftë se do të zbatohen kërkesat e përmendura më sipër nga organet shtetërore dhe subjektet e interesuara për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës. 
Epilogu 
Nafta vlerësohet si ari i zi por njëherazi ajo mund të kthehet edhe në helmin e zi kur keqpërdoret ose keqshfrytëzohet nga vendburimet e saj. Ajo mund të jetë me të vërtet floriri i zi për ata që e shfrytëzojnë, por mund të jetë helm i zi për banorët kur mbeturinat e naftës dhe gazet shoqëruese të saj, tepër toksike për shëndetin, ndotin mjedisin e zonës naftëmbajtëse, kur ndotjet ekologjike kimike, sizmike dhe akustike kthehen në sëmundje për banorët e këtyre vëndburimeve. Këto pasoja mund të jenë vetëm rezultat i neglizhencave skandaloze në shkeljet teknologjike të çpim-kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe gazit. Mund të jenë pasojë e inekzistencës ose apatisë funksionale të institucioneve shtetërore përgjegjëse për kontrollin,analizën dhe penalizimin e ndotësve të mjedisit. Mosfrenimi i ndotjeve ekologjike nuk rrezikon vetëm banorët e Marinzës, emetimet toksike të hidrokarburëve të naftës në ajër nuk njohin kufij zone, fshati apo qyteti. Ato mund të përhapen nga vektori i erës edhe në qëndrat e tjera të banuara, pa përjashtuar edhe qytetin e Fierit, i cili është në “grykën e topit” të Marinzës dhe Patosit. Vendburime nafte kemi edhe në Kuçovë, Arrëz, Visokë, Ballsh, Cakran, Mollaj, Gorisht, Amonicë,etj. Atëhere me llogjikën e shpërnguljeve për shkak të ndotjeve ekologjike, u dashka të shpërngulet e gjithë Shqipëria, po për ku?! Duhen larguar jo të ndoturit nga shtëpitë dhe vatrat e tyre shekullore, por duhen formalizuar ose përzënë vet ndotësit. Nuk braktiset shtëpia, pronat, ekonomitë, lagjia për shkak të erës së keqe të VC, por rregullohet dhe pastrohet VC për të mos qelbur shtëpinë dhe gjithë lagjen. Në një raport të ISHP, mbi vlerësimin e situatës mjedisore dhe shëndetësore në Marinzë, 29.04.2015, vihen në dukje një sërë shfaqjesh të theksuara simptomatologjike karakteristike e ekspozimit të banorëve të Marinzës ndaj ndotësve të ajrit, të emetuar nga komponimet e hidrokarbureve dhe gazrat shoqëruese toksike. Këto simptoma lidhen me probleme pulmonare, me lëkurën, me djegie dhe skuqie të syve, shqetësime për konfuzion mendor, marrje mendësh, tremorit (dridhjes), përgjumje, dhimbje koke, dhimbje barku, këputje trupore, shqetësime të theksuara nga lëkundjet sizmike të detonacioneve të shpeshta. Në këtë raport jepen rezultatet e analizës së fenolit në urinën e 8 banorëve të Marinzës, përmbajtja e të cilit ka qënë rreth dyfishin e normës mjekësore. Në raportin e mësipërm rekomandohet ndjekja e shërbimit shëndetësor të specializuar për banorët e Marinzës, një depistim i popullatës së zonës dhe vazhdimi i monitorimit të zonës lidhur me ndotjen mjedisore dhe risqet shëndetësore të derivuara prej tyre. Sipas këtij studimi, arrihen një sërë përfundimesh drastike dhe mjaft të rëndësishme lidhur me ndikimin e rrezikshëm ndaj shëndetit të banorëve, për shkak të ndotjeve ekologjike kimike, sizmike dhe akustike të vazhdueshme në këtë vendburim, nga emetimet e gazrave toksike të komponimeve hidrokarbure të naftës dhe nga eksplozionet e herëpas-hershme në çpim-kërkimet e puseve të naftës. Kështu në Marinzë, rreth 51% e familjeve të banorëve kanë persona me shfaqie të herë pas hershme me probleme pulmonare, sidomos me pneumoni, bronkite dhe astma bronchiale. Rreth 50.5% e popullatës të studjuar vuajnë nga probleme të lëkurës, në formë alergjike, prurite, dermatite dhe ekzema. Gjatë vitit të fundit, rreth 86% e popullatës të studjuar kanë patur shfaqie me djegie dhe skuqje të syve, ndërsa rreth 83% e familjeve ndjejnë shqetësime nga aromat e pakëndshme të hidrokarburëve të naftës në ajër. Rreth 48% e banorëve kanë patur probleme diarreike gjatë 12 muajve të fundit. Rreth 87% e banorëve ndjejnë shkallë të lartë perceptimi të lidhur me ankthin e rrezikëshmërisë së lëkundjeve dhe vibracioneve të shpeshta sizmike të tokës, si rezultat i eksplozioneve gjatë shpim-kërkimit të puseve të naftës. Kjo gjëndje është mëse alarmante për të kaluar në marrjen e masave urgjente lidhur me vendosjen e normalitetit të pastërtisë ekologjike në Marinzë, në përputhje mesa u fol edhe më sipër. Në këtë shkrim u prekën vetëm pasojat e dëmshme në pjesën mbitokësore apo të dukshme të vëndburimit të naftës në Marinzë. Por larg qoftë se çfarë ndodh në thellësitë e kësaj nëntoke, e mënyrës dhe shkallës efiçente të shfrytëzimit të kësaj pasurie kombëtare, të nivelit teknologjik të përdorur, të ruajtjes së kësaj pasurie nga ndonjë “babëzi” me pasoja të parikuperueshme. Komisioni i Pavarur i Ekspertëve që u rekomandua më sipër për t’u ngritur nga ana e qeverisë, mund t’i jepte një përgjigje adekuate edhe këtij shqetësimi nëse do t’i kërkohej.  
Sigal