“Lufta me biznesin e vogël, një vrimë në ujë”

51
Duke komentuar fazën e parë të aksionit të qeverisë në luftën kundër informalitetit, Dhoma Amerikane e Tregtisë, shprehet skeptike mbi rezultatet që do të arrihen nga kjo veprimtari shtetërore. Në një intervistë për News 24, presidenti i dhomës Mark Crowford, kritikon qeverinë mbi agresivitetin e treguar mbi biznesin e vogël. Crowford sugjeron një klimë të ngrohtë me biznesin, duke kërkuar procedura të thjeshtuara dhe forma të tjera mbështetëse. “Ne e presim aksionin e qeverisë, e kemi kërkuar këtë aksion, por nuk mund të kapësh ;ujin me grushte pasi ka edhe forma më të buta me kova;. Kështu që nëse do jetë një reformë e thellë duhet të ketë edhe një sens pozitiv dhe jo të ashpër”, tha ai. Crowford tërheq vëmendjen e qeverisë se nuk duhet të krijojnë panik te biznesi duke i kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme pasi kjo pengon aktivitetin e tyre. “Kam pyetur biznesin e vogël dhe më thanë që nuk na kanë kërkuar ryshfet, por na vijnë shumë shpesh për kontroll. Nëse shkojnë kaq shpesh duke e mbytur biznesin e vogël edhe kjo është një pengesë për ekonominë. 
Ka perspektivë për biznesin e vogël që punësojnë më shumë njerëz dhe paguajnë taksat, por procedurat duhet të jenë shumë të thjeshta. Sepse biznesi i vogël nuk ka kohë për të harxhuar me kontrollet tatimore përditë”, shtoi ai. Sipas Crowford, ka të tjerë faktorë që ndikojnë në rritjen ekonomike dhe jo vetëm pagesat që mund t’u merren bizneseve përmes presionit dhe gjobave. “Unë gjithmonë kam qenë pak skeptik me aksionin e ashpër sepse biznesi i vogël nuk është plot me para dhe nuk mund të marrim ujë nga guri. Është një faktor që është në gjithë sistemin, por prapë se prapë duhet të rrisim ekonominë brenda, qarkullimin e parasë, duke nxitur bankat për të dhënë kredi, duke thithur investitorë të huaj dhe duke krijuar lidhje me tregjet ndërkombëtare. Kështu që ulja e informalitetit nuk është vetëm qëllim në vetvete. Sepse në do kemi një ekonomi të vogël, të dobët, ku njerëzit paguajnë tatimet”. 

Jo e drejtë përfshirja e policisë në çdo gjë

Crowford kritikon edhe përfshirjen e policisë në të gjitha fushat. Kjo sipas tij nuk është efikase. “Ne do shikojmë rezultatet, por nëse ai është të mbyllë dyqanet dhe nuk ka një reformë të thellë, atëherë i bie që Shqipëria të jetë në aksion gjithmonë dhe kjo nuk është efikase që qeveria të punësojë forca speciale, të shkojnë nëpër fshatra, njëherë për drogën, njëherë për tatimet, njëherë për mospagesa të energjisë, do jenë gjysmat e punonjësve që janë duke vëzhguar të tjerët, kështu që duhet të ketë një sens pozitiv dhe jo agresivitet”. Duke marrë si model vendet e tjera Dhoma Amerikane e Tregtisë sugjeron një klimë të ngrohtë me biznesin, me procedura të thjeshtuara dhe forma të tjera mbështetëse. “Tani bankat janë nën presion nëse japin kredite e biznesit që kanë dy balance por unë them që mos kërko asnjë bilanc sepse në këtë rast biznesi nuk do ketë dy, pra nuk do manipulojë, sepse nuk ka sens të ketë dy. Nëse bëjnë dy, do të thotë që harxhojnë kohën kot. Nëse kemi një sistem të thjeshtë, mbase vetëm me një pagesë fikse, siç i kanë edhe vendet e tjera, atëherë biznesi do të përqendrohet në biznes dhe jo në sasinë e bilanceve, kështu që le tu krijohen disa iniciativa dhe jo të kontrollohen CD dy tre ditë”. Dhoma Amerikane e Tregtisë këto ditë pritet të dalë me një deklaratë publike për një vlerësim më të detajuar mbi operacionin e nisur nga qeveria kundër informalitetit dhe efektet e para të tij.