Roland Qafoku: Sëmundja e qeverisë “Rama” disa ministra e zyrtarë arrogantë

453
Roland Qafoku, moderatori i “Debati në Channel One” në intervistën për gazetën “Telegraf” duke bërë skanerin e politikës tonë, “diagnostikon” sëmundjen, e cila është “Harxhimi i energjive me konflikte politike personale mes kundërshtarësh”, ndërsa sëmundja e qeverisë “Rama” është arrogance e disa ministrave, që kujtojnë se janë zotër të këtij vendi. Publicisti Qafoku, thekson se, nëse nuk reformohet drejtësia, qeveria “Rama” do të dështojë. Zoti Qafoku, duke evidentuar shkakun e vërtetë të inkriminimit të politikës, te listat e mbyllura të sistemit tonë elektoral, ku kryetari i partisë vendos për gjithçka, pohon se “ Listat e mbyllura, një krim politik që Shqipëria do ta vuaj sa të jetë”. 

-Zoti Qafoku, pas dy vjetësh nga qeverisja e Rilindjes, mund të themi që ka sjellë ndryshimin e premtuar në politikëbërje, një sjellje ndryshe në marrëdhëniet me opozitën?
– Në fakt, premtimet dhe pritshmëritë ishin problemi kryesor që në start të punës së kësaj mazhorance. Më kujtohet, që sapo qeveria “Rama” nisi punën më 15 shtator 2013, një eksponent i PS deklaroi se kjo do jetë qeveria më e mirë që nga koha e Ismail Qemalit. Në fakt, ky është premtimi më i pakuptimtë që ka bërë një qeveri, që nga koha e Ismail Qemalit. Duke llogaritur edhe premtimet e fushatës krijojnë një superpremtim, që një zot e di se si do ta realizojë qeveria. Për hir të së vërtetës, kjo qeveri ka treguar vullnet dhe dëshirë për të ndryshuar shumë e shumë punë në qeverisje. Unë futem tek ata persona që e shikoj pozitivisht aksionin ndaj abuzuesit të energjisë elektrike, aksionin në Lazarat, reformat në policinë e shtetit, operacionin ndaj informalitetit, në ndarjen territoriale, e të tjerë. Por, kjo qeveri duhet të premtonte pa filluar punën se do punonte më mirë se qeveria paraardhëse dhe kjo mjaftonte. Por shqiptarët, duke dëgjuar superpremtime të tipit “Për herë të parë”, “vetëm ne”, “vetëm kjo qeveri”, nisi të zhgënjehet. A e dini pse? Vetëm për një arsye: Ekonomia, jo vetëm nuk është më e mira që nga koha e Ismail Qemalit, por krahasohet me periudhat aspak të mira që ka kaluar vendi ynë. Ndërsa sëmundja më e rëndë e qeverisë janë disa ministra dhe disa zyrtarë, që pas dy viteve në detyrë, kapardisen si të jenë zotër të këtij vendi. Kryeministri kishte shumë të drejtë me atë e-mailin që u dërgoi anëtarëve të kabinetit të vet. Për të mësuar se cilët janë ministrat problem të kabinetit të tij, unë e kam përmendur edhe në një shkrim, e lidhur me thënien lapidare të ish-presidentit të Bosnje-Hercegovinës Alija Izetbegoviç: Kafsha e uritur dhe njeriu i ngopur janë dy qeniet më të rrezikshme. 

– A mund të themi, se konfliktualiteti i skajshëm, për çdo problem deri më sot, nga opozita është opozitarizëm aktiv dhe konstruktiv?
– Kjo është sëmundja e politikës diletante shqiptare. Kështu bënte opozitë dikur edhe PS. Mohonte çdo gjë dhe punë të mirë të qeverisë Berisha dhe tani i duhet të vuajë të njëjtën mënyrë formë dhe përmbajtje që PD mohon gjithçka që kjo qeveri bën. 

– Edhe pse politikëbërja është e mbarsur 12 muaj me tensione, me konfliktualitet, sa i ka në fokus problemet reale të shoqërisë, të qytetarëve, të progresit?
– E thashë pak më lart. Kur konflikti bëhet pjesë normale e politikës së ditës, kjo e largon gjithnjë e më shumë politikën nga qytetari.

– Edhe pse maxhoranca dhe opozita kanë drafte të kundërta për dekriminalizimin, mund të pohojmë, që ato (qoftë edhe veçmas nga njëra-tjetra) kanë analizuar cilat janë shkaqet, që sot flasim për kriminalizim të politikës?
– Unë nuk dalloj dhe veçoj PS dhe PD në këtë proces. Të dy palët kanë vullnet dhe dëshirë për ta kryer këtë proces. Të dy palët kanë idetë e tyre se si ta realizojnë dhe të dy palët kanë rënë dakord në parim. Por ama, mos të bëjmë se njëra palë është djalli dhe tjetra engjëlli. Kur themi klasa politike shqiptare, nuk ka ndonjë dallim të madh mes PS e PD. Historia e politikës nuk fillon në vitin 2015. Sa e sa deputetë kemi parë, që nga viti 1990 e deri më sot që kanë rezultuar kriminelë, trafikantë, kontrabandistë e deri vrasës me pistoletë në brez. Të të dy krahëve politikë kanë qenë. Nuk kanë qenë vetëm të një krahu. 

– Çfarë duhet të na bëjë optimist, se kjo reformë që ndërmerret në Drejtësi, do të vendosë në shinat e drejtësisë drejtësinë tonë dhe se politika nuk do të ushtrojë ( si deri tani) ndikimin e saj mbi Gjyqësorin?
– Unë e kam shprehur edhe në një shkrim pak kohë më parë. Nëse nuk reformohet drejtësia, ka shumë mundësi që qeveria Rama të dështojë. E para nga gjithçka, është drejtësia. Dhe drejtësia shqiptare është hallka më e dobët e shtetit shqiptar. Nuk ka vend, besoj, për diskutime. 

– Kriza ekonomike që ka mbërthyer ekonominë tonë, është pasojë e keqqeverisjes apo shkak i krizës ekonomike globale?
– Ne shqiptarët nuk pyesim shumë për krizat globale. Ne kemi rregullisht krizat tona. Na mjaftojnë dhe teprojnë. Kështu që, nëse në renditjen e reformave kryesore, ka një rezultante që nuk jep rezultate, kjo është ekonomia. Nëse ekonomia është në rënie, nuk na e ka fajin tjetër kush, që ta shohim si armik të jashtëm.

– Janë zbardhur draftet partiake për ndryshimet Kushtetuese. Mendoni se procesi deri te përpilimi i tyre ka qenë transparent? Apo ato janë produkt vetëm i politikës?
– Derisa i harton dhe voton politika, padyshim që ka interesa politike. Por, në rastin aktual, besoj se ka shumë çështje që kanë interes të gjerë politik. 

– Mos vallë ribëhet gabimi i 2008?
– Është një nga punët më të pista të politikës shqiptare, që ka bërë në historitë e saj. 

-Pse PD-PS nuk flasin fare për ndryshimin e Sistemit Elektoral, që me listat e mbyllura u dha mundësi kryetarëve të partive, të fusin në parlament edhe persona me rekorde kriminale? 
– Listat e mbyllura, një krim politik që Shqipëria do ta vuaj sa të jetë. Kryetari ( i partisë) është ai që vendos për gjithçka!
– Faleminderit!
Sigal